Për Ferizajn me Faton Topallin

0
731

Ferizaj është qyteti i tretë i Kosovës për nga popullsia dhe i dyti për nga kontributi në buxhetin qendror. Ferizaj ka kapacitete të mëdha për zhvillim, sepse ka krah pune të kualifikuar, për shkak të industrive që ka pasur. Në Ferizaj dikur kanë punuar 22 ndërmarrje shoqërore, e sot punonjësit e tyre të specializuar, inxhinierë e teknicientë, janë të papunë ose punojnë në profile të tjera. Nga rreth 3.500 biznese kryesisht të vogla e fare pak të mesme, 49% janë shërbime e 43% biznese komerciale, me vetëm 8% të orientuara në prodhim.

Ferizaj sot nuk është një komunë e zhvilluar ekonomikisht. Papunësia është ekstreme edhe për kushtet e Kosovës. Njëmend nuk mund të thuash se Ferizaj është i varfër në vlerë absolute: makinat e shtrenjta dhe shumë ndërtime private e restorante do të ishin tepër luksoze edhe për Prishtinën e Tiranën, e madje edhe për qytete të vendeve më të përparuara se tonat. Mirëpo, ky luks e vë edhe më shumë në dukje pabarazinë karshi varfërisë, e cila fillon menjëherë në qendër të qytetit, theksohet në periferi e arrin kulmin në fshat.

Paratë e nevojshme për këtë luks dalin nga vetë Ferizaj dhe janë pikërisht ato para që do të duhej të investoheshin në një ekonomi që synon zhvillimin, mirëqenien e dinjitetin. Shpesh këto para dalin nga korrupsioni me buxhetin e komunës: 54,34% e këtij buxheti, pra më shumë se gjysma, shkon për shpërblimin e administratës me paga dhe mëditje; 8,85% janë mallra dhe shërbime që blehen për përdorim të brendshëm nga komuna; dhe, 1,46% janë shpenzime komunale, sërish në funksion të administratës.

Kësisoj, gjithsej 64,65% e buxhetit prej 20 milionë eurosh shpenzohen për të mbajtur në këmbë administratën e komunës e për t’ia lehtësuar asaj jetën. Ndërkohë, vetëm 32,54% e buxhetit shkon për investime kapitale kurse vetëm 2,81% e buxhetit i dedikohet subvencioneve. Prandaj, s’është e rastësishme që gjysma e tokës bujqësore nuk punohet, që tek ajo që lavrohet rendimenti mesatar i korrur është rreth 2.500 kilogramë grurë ose elb për hektarë, teksa dihet që nafta për traktorë kushton 1,40 euro, pra njësoj sikurse për xhipat që ndotin ambientin, ndërsa çmimi i një thesi pleh është ngritur në 23 euro.

Kështu, vetëm një e treta e buxhetit shpenzohet për t’u kthyer te qytetari. E, shpeshherë, për shkak të tenderave të manipuluar, as kjo nuk përfundon aty. Qytetari është i braktisur në një varfëri që bëhet gjithnjë e më e thellë, e që lëndon më shumë kur sheh se si pushtetarët vijojnë të majmen. Subvencionet që do të duhej të ndihmonin ata që janë më në vështirësi e që do të duhej të ngjallnin ekonominë, s’janë as 3%. Ky është mentaliteti qeverisës kosovar që pasqyrohet edhe në Ferizaj. Plot 2/3 e buxhetit i merr pushteti, ndërkaq qytetarit i mbesin veçse dromcat.

Kjo situatë ka nevojë për ndryshim radikal. Në Ferizaj, ndryshimi nuk është ndryshim. Ndryshimi radikal është ndryshim. Qytetit i duhet rikthyer rendi: krimi duhet denoncuar e duhet ndaluar me ligj dhe dorë të fortë. Në një qytet me rend, shumë përfaqësues të mërgatës do të ktheheshin për investime. Administratës publike i duhet rikthyer profesionalizmi, duhet të lidhet më fort me qytetarët, kategoritë shoqërore dhe grupet e interesit. Buxheti duhet të reflektojë përqendrim te investimet e subvencionet me më shumë se 50%.

Për secilin qytetar duhet të ketë transparencë, dera e secilit punonjës të komunës, përfshirë kryetarin, duhet të jetë e hapur për investigime nga shoqëria civile, nga kontrolli shtetëror, auditori i brendshëm e ai i jashtëm. Investimet që vijnë nga mërgata e nga të punësuarit në Afganistan (që sjellin mbi 50 milionë euro në vit) duhet të orientohen drejt prodhimit e zhvillimit të qëndrueshëm, e jo drejt disa shërbimeve që nuk ofrojnë perspektivë, apo drejt ndërtimtarisë në një qytet pa plan urban.

Plani zhvillimor urban duhet të ketë në qendër të vëmendjes nevojat reale të popullsisë. Rrugët dhe kanalizimet nuk janë çështje elektorale, që mandej të prishen pas pesë muajsh. Komuna vuan tepër nga mungesa e ujit dhe e kanalizimeve, për shkak të një infrastrukture të ndërtuar pa plan. Shëndetësia ka përfunduar në drejtim të të afërmve të pushtetit. Arsimi, po ashtu. Etika e kërkon që këto të zhvishen nga militantizmi, sepse po prodhojnë veç sëmundje dhe injorancë.

Ama të gjitha këto gjëra s’po i them unë. Këto dhe shumë të tjera po i thotë Faton Topalli. Në secilin tubim e në secilin takim, çdo ditë të javës dhe çdo orë të ditës. Ai po e kërkon një etikë të re përmes një politike të re. Sepse politika është tepër serioze për t’ua lënë politikanëve të deritanishëm. Ajo duhet të kthehet në dorë të intelektualëve dhe të patriotëve që kanë treguar se dinë të sakrifikojnë për atdheun dhe duan t’i përkushtohen shoqërisë. Politika jonë është fushatë e bisedës dhe e takimit të drejtpërdrejtë. Ne këtë e kemi bërë prej se jemi, sepse kështu jemi ne.

Me Faton Topallin, Lëvizja VETËVENDOSJE! është e vendosur kundër korrupsionit, nepotizmit dhe mendësisë e mënyrës që prodhon pabarazinë dhe që ngulfat zhvillimin. Të gjithë ata që do të gjenden fajtorë, ne do t’i procedojmë ligjërisht. Kjo është arsyeja pse ajo çka po ndodh në Ferizaj po i shqetëson pushtetarët. Ata nuk janë të sigurt për të shkuarën e tyre. Ndërsa ne jemi të sigurt për të ardhmen tonë.

 

Nga, Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu