» Për jetë e mot duke i përkujtuar flakadanët e lirisë: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla

0
495

Më 17 janar të vitit 1982,  ( datë kjo që shënon edhe ditën e vdekjes së Gjergj Kastriotit –Skënderbeut, i cili vdiq në Lezhë në vitin 1468) janë vrarë në pritë dhe pabesisht tre ndër veprimtarët më të dëshmuar të Rezistencës aktive kombëtare: Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka dhe Bardhosh Gërvalla. Këta tre emra emblematikë të Lëvizës së Rezistencës, kanë qenë dhe po mbeten emrat e nderit të kombit, edhe për faktin se u vranë pikërisht në kohën kur ata, pas një mundi të gjatë shumëvjeçar ndodheshin në prag të unifikimit të Lëvizjes Kombëtare, e cila karakterizohej me përçarje, ndasi deri edhe me pretendime për likuidimin e njëri tjetrit. Pikërisht në kohën kur Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka, në përkrahje të përhershme dhe të gjithanshme të Bardhos Gërvallës, kishin arritur të konsolidonin radhët, ndodhi ajo që liridashësit nga mbarë trojet shqiptare dhe nga mërgata nuk e kishin pritur, por krimin që ndodhi atë ditë e  kishte pritur, madje edhe e kishte planifikuar  dhe realizuar regjimi komunist i Beogradit, i cili po bënte përpjekje për t’i ngulfatur  zërat e lirisë q kishin shpërthyer aq hovshëm,  jo vetëm në Kosovë dhe në trevat shqiptare, që i mbante nën okupim, por edhe në mërgatë, ku ishte intensifikuar aktiviteti antijugosllav me organizimin dhe mbajtjen e protestave e demonstratave para ambasadave të RSFJ-së, kudo në qytetet e Evropës e deri në Amerikë.

 

Goditja, që më 17 janar të vitit 1982 iu dha Lëvizjes Kombëtare, ishte një goditje e rëndë, që pasoi me shkëputjen për një kohë të aktivitetit të bërthamës së fuqishme çlirimtare, por në anën tjetër, vrasja kriminale, të cilën e kishte organizuar dhe e kishte zbatuar regjimi kriminal i Beogradit dha si rezultat zemërimin e natyrshëm të forcave militante atdhetare, kudo në botën shqiptare dhe ata jo vetëm që nuk u dorëzuan, por  ngjeshën radhët dhe u betuan se do ta vazhdojnë aty ku mbeti, aty ku e kishin lënë, Jusufi, Kadriu e Bardhoshi.

Nga 17 janari u deshën të kalojnë 17 vjet deri në çlirimin e Kosovës nga robëria shekullore serbe, falë  luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ndihmës që kësaj lufte i dha bota përparimtare demokratike në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe.

 

Nga përvjetori i parë i organizuar në Shtutgart të Gjermanisë, në vitin 1983 e deri tani, nga viti në vit përkujtohen me pietet këta tre emra emblematikë të Lëvizjes sonë kombëtare. Ata përkujtohen në Kosovë, në mërgatë, në Shqipëri dhe kudo në trojet shqiptare. Nderi dhe respekti që iu ka bërë dhe vazhdon të iu bëhet këtyre tre heronjve të kombit shqiptar, lartëson ndërgjegjen kombëtare dhe vihet mbi zërat e shteruar të mendje robërve, të cilët nganjëherë krrokatin duke nxjerrë ndonjë që të çjerrë e të mekur, me qëllim për të treguar se ata ende frymojnë, edhe pse  nëpër kthinat e tyre të zeza e të lemerishme, nëpër faqet e pista të internetit, nëpër bordele turpi e nopranie,  ku i ka katandisur dielli i lirisë së Kosovës, sepse dielli nuk mbulohet me shoshë, as mund të ndalen dot rrezet e lirisë, ato rreze që na kanë mbajtur e na kanë ushqyer shpirtin nga shekulli në shekull, prej kohës së Skënderbeut,  nga dekada në dekadë, nëpër betejat e përgjakshme,  nga vitit në vit deri në fitore, deri në kohën tonë, kur në rrugë për idealin e bashkimit kombëtar jemi më të fortë seç kemi qenë ndonjëherë.

 

Në çdo përvjetor, por edhe nga përvjetori në përvjetor, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla, rrezatojnë porosinë e madhe të bashkimit, të atdhedashurisë, të shtrirjes së dorës së pajtimit, sepse ata me jetën dhe më në fund me gjakun e tyre shkruan faqe nderi e heroizmi, shkuan faqe të ndritura të historisë sonë kombëtare, faqe idealizmi që buron nga shpirti i pastër i kombit.

 

Sot, ashtu si kurdoherë nëpër këta përvjetorë nderimi dhe respekti, ndihen të burgosur në kthinat e tyre të zeza ku gjallojnë, ata që qëndrojnë pas krimit, ata që mundohen ta shtrembërojnë e ta falsifikojnë historinë, ata që derdhin madje edhe para të majme për këtë qëllim, ata që krrokatin si kurbatka të zeza, në përpjekje për të krijuar mjegull, në përpjekje për ta ngritur veten e tyre mbi të tjerët, në përpjekje për ta larë, atë që nuk lahet dot, në përpjekje për të ndryshuar botën sipas mendjes së tyre të shtrydhur, të ndragur e të shpërfytyruar…

 

Matanë kësaj të lige, ashtu si kurdoherë deri tani, ka qenë  shtrirë dhe vazhdon të shtrihet bota jonë, bota e lirisë dhe e bashkimit, bota e çiltërisë dhe emancipimit kombëtar, bota e ardhme Shqipërisë së bashkuar, ideali i qindra mijëra dëshmorëve e martirëve të kombit i  të gjitha trojeve e Shqipërisë. Jusufi, Kadriu e Bardhoshi vazhdojnë të jenë roje nderi në mesin e gardës së madhe të heronjve e dëshmorëve të kombit. Lavdi deri në përjetësi!

(A.Q.)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu