PËR NË MITROVICË…

0
794

Shënim udhëtimi

E pamundur të shkoja në Mitrovicë me këpucë dhe ime shoqe më këshilloi të shkoja me një shapkë për këmbën e majtë të fryrë; vetëm me një këpucë .Kur flë natën me këmbën mbi dy jastëkë, në mëngjes limfa shpërndahet në normalitetin e saj, por gjatë ditës, ngaqë unë nuk rri në regjim shtrati, ajo zbret poshtë këmbës së majtë – ca më poshtë gjurit, sidomos te syprina e këmbës. Një shofer taksie, që e kishin kapluar edhe iluzionet e lodhjes nga dielli , m’u pat lëshuar mbi biçikletë, ndërsa shkoja. Shoferi pukian, i qujatur Viktor, ndërroi drejtim papritur, duke u sulur drejt rrotës së parë të biçikletës sime. Unë, derisa u përplasëm, mendoja se ishte ndonjë shok që donte të bënte numura me mua. Kur zbrita nga pjesa e parë e veturës së tij, ku kisha kërcyer instinktivisht në çastet e përplasjes, Viktori, që e kish ndalur makinën më së fundi stop, ende turfullonte dhe shante “atë “ që i kishte prerë rrugën. Pas dy javësh këmba nisi të fryhej. As dhëmbje e as mpiksje gjaku, siç dyshoi në fillim mjeku i talentuar shkodran, miku im Fatmir Brahimi, që kishte ngrënë një plumb 70 metra mbi “Urën e thijve” majë helikopterit në vitin 1997, ndërsa shoqëronte një të plagosur, nga salla e operacionit në Shkodër për Tiranë. Vendosa të flija një natë në Gjakovë; të vazhdoja pandërprerë për në Mitrovicë duke ndëruar linjat dhe pa njohur rrugët, më frikësoi puna e këmbës. Pas sms-së sime, u duk poetesha Vjollca Kuçi me “kerrin” e saj…

Vjollca

Vjollca është gjimnaste, mësuese aerobie dhe gjimnastike, një aktiviste e njohur e grave dhe e të drejtave të njeriut, pa komplekse “nacionaliste,” por, sidomos kjo na ka bërë miq, ajo shkruan edhe poezi e pikturon po aq bukur. Si një djalosh, ajo sulet “uikendeve”, e vetme ose me tri – katër shoqe me “kerr” që nga Gjakova për në Shqipëri, ku ka mjaft të njohur. E palodhur dhe e pamposhtur, ajo i rregullon vetë defektet e makinës kur ka ndonjëherë dhe asqë bëhet fjalë të përdorë hartë . Mirëpo, me gjithë atë vrull e pasion që i kanë falur gjimanstika e aerobia, tok me poezinë, ajo ka refuzuar pjesëmarrjen nëpër partitë politike të Kosovës, pasi lederët e saj “më nervozojnë”. Me ftesën e presidentit shqiptar të sektorit të CIOFF, Niko Mihali, ajo ka qënë e ftuar një herë në një aktivitet në Përmet, ku edhe ka promovuar vëllimin e saj poetik mes duartrokitjesh të shumta dhe të paharruara përjetë nga ajo. Vjollca Kuçi, si më zuri hotel, ku unë u vonova vetëm 5 minuta e zbrita poshtë – më sajdisi në një lokal të Gjakovës, pasi i ramë asaj anembanë, përfshirë edhe në zona plot kujtime të hidhura nga ushtria dhe paramilitarët serbë. Atje e njihnin mjaft njerëz, që e përshëndesnin nga tavolinat, ndërsa për mua iu thoshte se “asht poet i Shqipnisë, mysafir i jemi” . Kjo vajzë shtatlartë, si një oficere e vijës së parë të kuadratit t ë vajzave të brezit tim, kujton një rast shumë të dhimbshëm. Kur ka qenë në Budvë me dy shoqe të saja për pushime, në lokalin ku po hanin darkë kishte qenë ftuar një DJ serbe. Kur të gjithë kënaqeshin duke dëgjuar këngët e tij melodioze serbe, vajzës gjakovare i qenë errur sytë dhe i kish rënë të fikët. “Më kanë çue shoqet në dhomë dhe atje kom ardhë në vedi. Ishte e pamujtun me pa kangëtarin kah këndonte kongë çetnikësh veshë me rroba çetnikësh …Oh, Rizë, ata kanë bo krime të tmerrëshme te ne, e ato çaste më vijshin para syve skena tmerri !” Në mëngjes, në orën që kishim lënë, luanesha gjakovare e sensibile si një lulevjollcë, siç edhe ka emrin, erdhi të më marrë me “kerr” për te stacioni i Prishtinës, prej nga mandej duhej të nisesha për te poetët e Mitrovicës. Këmba kishte gdhirë më mirë, kisha vënë nën të dy batije, por kur më së fundi po i afrohesha Mitrovicës, këmba nisi të merrte formën e saj , që po i ruhesha – atë të dorezës së boksit.

Në Mitrovicë, në shoqëri me poetin Sabit Idrizi

Isha ndalur tanimë në stacionin e autobusit. Ende nuk më shqiteshin varrezat buzë rrugës të luftëtarëve kosvarë të rënë për liri; papërjashtim, shoqëruar vetëm nga flamuri i Skënderbeut. Këmbën e ënjtur e vura mbi një gur aty pranë dhe dielli piqte. Dallova që frenoi nja veturë 2 – 3 metra para hyrjes së autoparkut dhe që andej fytyrën e qeshur të nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri, i cili paskësh qënë njëri nga poetët e përfshirë në veprën që unë kisha përkthyer në anglisht; për të sjellë të cilën, ja, unë kisha ardhur në Mitrovicë. “Një Riza, hiç Riza; dy Riza bojnë nji kala…hahahah!”- Rizai tjetër, duke qeshur që nga timoni, më hapi derën dhe morëm rrugën drejt ndërtesës së komunës, në kafenenë e së cilës: “qe ku o Sabiti…O Sabit, të erdhën dy Rizatë! Hahahaha!!!”. Sabiti, Rizai, Prof. dr. Adem Zejnullahu dhe Gani Baliu, kishin ardhur në Tiranë, enkas që nga Mitrovica, kishim pirë një kafe së bashku dhe kishin vendosur përfundimisht që unë t’ua përktheja në anglisht vëllimin poetik e disa proza kushtuar plagës së hapur të Mitrovicës, që ka emrin e një ure dhe të një lumi- Ibrit – dhe urës mbi të. Sigurisht që në Kosovë ka njerëz që dinë anglisht më mirë se unë, por burrat nga Mitrovica, qoftë dhe në mënyrë simbolike – një poeti pikërisht nga Tirana, qoftë edhe nga fakti që ata duket se e njihnin mire – poezitë duhet t’i përkthejë vetëm një poet i sporvuar – ata më kishin bërë alamet nderi duke më besuar veprën e kushedi sa poetëve nga hapësira shqiptare , sidomos nga vetë Mitrovica . Ndërsa pinim kafenë, një burrë i ri – “o nji nip i jemi” – e ngushëlloi Sabitin për humbjen e Milianov Kallupit. Idrizi ka kryesuar lidhjet e forcave letrare të Mitrovicës me thuajse të gjitha trevat e shtetit shqiptar. Milianovi, përveç arritjeve të tija si poet e botues, si thuajse askush tjetër në Shqipëri, ka bërë të mundur bashkimin e forcave letrare të qytetit të tij edhe kur Lidhja e Shkrimtarëve funksiononte disi, por edhe kur ajo u shkatërrua krejtësisht, tok me gazetën 106-vjeçare “Drita”. Humbjen e 65- vjeçarit Milianov Kallupi, Sabit Idrizi e kish përjetuar si humbjen e një njeriu të afërt. Për më tepër, zemra e tij sensibile, ia përlotte sytë e vendosur, sapo përmendte bashkëshorten e tij të ndjerë, që e kishte humbur në mënyrë të pazëvendësueshme prej dy vjetësh. Në zyrën lart ndodhen fotografi poetësh dhe mendimtarësh shqiptarë, mes të cilëve poeti ynë më popullor Dritëro Agolli. ( Abdyl Kadolli, njëri nga shtyllat e forta të Lidhjes së Shkrimtarëve kosovarë, ka një djalë që ia ka ngjitur emrin Dritëro më 1971). Unë kam kaluar imtësisht poezitë e grupuara e të redaktuara ,që do të përmblidhen në variantin anglisht të “Fjalë e valë”. Kam vënë re se poezitë më të bukura dhe më pak të vështira për t’u përkthyer, ishin poezitë e shkruara nga njerëz që i kanë përjetuar fizikisht dramat kosovare, sidomos të fundmen – Mitrovicën. Sigurisht, redaksia, siç më thanë, kishte patur shumë kujdes që të zbuteshin notat agresive nacionaliste, që janë të dëmshme kur theksohen, gjithsesi, veç e veç sidomos nga të gjithë. Mitrovica…. Gjëja më e vështirë është shtruarja e problemit në ekuacion – shkruan një filozof i njohur. Është ndërlikuar, kur problemi ishte më i thjeshtë, do të këmbëngulnim ne. Sikur Milosheviçi të mos shkonte pas mentaliteteve mesjetare të oficerëve e fshatarëve folklorikë, ai duhej ta kishte lejuar me të dyja duart pavarësinë e Kosovës në kohën kur u shpërbë Jugosllavia. Për pasojë, të dy popujt që, për fat të keq, në një përqindje të madhe, ende janë të armiqësuar me njeri-tjetrin, do të kishin një prosperitet të madh dhe aspak gjak. Kur i referohemi teoricienit të pamposhtur prusian Klauzeviç: “Politika është formë e koncentruar e ekonomisë dhe vetë lufta vazhdim i politikës me mjete të tjera”, atëherë del në pah e vërteta, që nuk e pranojnë, por e dinë të gjithë – që luftë do të thotë pasuri, para. Kosova kishte dhe ka popullsi të re, kishte valutë që sillnin emigrantët dhe një traditë relative ekonomike e teknologjike me ekonominë e zhvilluar të Serbisë. Të gjitha këto do të funksiononin si më së miri sikur Jugosllavia të duartrokiste e para pavarësinë e Kosovës, në vend që të niste dhunën fashiste e spastrimet etnike në Kosovë.. I njëjtrajtshëm me të na del edhe problemi i Mitrovicës. Në pjesën jugore funksionon miniera me 2000 punëtorë të rinj dhe të përzgjedhur pas kërkesave të shumta. Në anën tjetër, ku bëhej më parë përpunimi i mineraleve, nuk punon askush. A do të punojnë ndonëjherë të dyja, si kanë punuar dikur? Sigurisht po, por kur? Kur Mitrovica të jetë edhe de fakto pjesë integrale e shtetit të ri të Republikës së Kosovës. Pra, kur Qeveria, po të dojë, të vërë rojë kufiri në pjesën veriore ushtarë drenicakë me një barrë mustaqe.. Kalimi në menaxhim të plotë i Mitrovicës nga Qeveria Thaçi, vetëm do t’i sillte dobi ekonomisë së dobësuar serbe dhe fashitjes së gjakrave mes dy popujve të përgjakur. Sërish mua më duket e pakuptimtë, e pasqaruar : përse për mua do të përbënte një farë rreziku po të kaloja Urën e Ibrit? “Janë strukturat paralele….Nëse dikë zë makina, vjen, si jo, policia, por janë policë serbë që paguhen nga Ministria e Republikës së Kosovës … Po kaluam bashkë..mua më njohin dhe mund të më ngjasë diçka, më e lehta, një provokacion”. Është njëri nga shoqëruesit e mi që më jep këtë shpjegim dhe unë ngul sërish këmbë: cila është pozita e ndërkombëtarëve që menaxhojnë në mënyrën e tyre shumëplanëshme këtë Republikë? Pyetja është fare e thjeshtë: i përket shtetit të Kosovës apo atij të Serbisë kjo pjesë e qytetit problematik, që ka të paralizuar njërin prej të dy krahëve të tij. Në pjesën jugore sot ka 2000 minatorë që nxjerrin minerale , ndërsa është e pamundur të përpunohen atje ku janë përpunuar më pare, sepse në pjesën veriore nuk prodhohet asgjë. Deklarata e Daçiçit “se me shqiptarët do të merrej vesh për këmbim territoresh, por këtë nuk e lejon Uashingtoni”, një gjë shihet si në dritën e diellit –përpjekje të paprincipta dhe të pakuptimta për prodhimet e minierës së Trepçës! Prodhime që nuk mund të jenë kurrë me efikasitetin e tyre maksimal në një Mitrovicë të ndarë. Atëherë, çfarë kuptimi ka kjo ndarje e Mitrovicës për Beogradin, xhanëm? Mos ka ndonjë iluzion dikush që Mitrovica e tëra të përfshihet në një të ardhme, qoftë dhe me ndërrim territoresh, në Republikën e Serbisë? Madhësia e kësaj mundësie e ka vlerën zero. Tjetra, më natyralja, po. Një Mitrovicë e vetme nën juridiksionin e Republikës së Kosovës dhe të nisë prodhimi e të pasurohen dy armiqtë e dikurshëm. Siç na thanë, në pjesën përtej urës, ka struktura paralele, ndërhyrje të hapur të Beogradit, mungesë prodhimi, asfiksi totale e pjesës së minierës, lëvizje nacionaliste, ngacmime, provokime dhe nxitje për t’u larguar që andej të shqiptarëve, por unë nuk munda të verifikoja asgjë nga këto, sepse nuk e pashë të arsyeshme të rrezikoja, megjithëse ishte hera e dytë që po plasja nga kërshëria me kapërcye urën së cilës I kishin thurur aq vjersha poetët e librit që kisha përkthyer. Hera e parë ka pas qënë 2 javë pas mbarimit të luftës, kur kosovarët që më shoqëronin Adem Hasanaj dhe Burhan Shallci, pavarësisht se mora përsipër çfardo, nuk më patën lejuar, mbasi “Jem na përgjegjës për jeten tande!”

Fatos Lubonja citohet me simpati nga TANJUG.

Jo vetëm te Sabit Idrizi, por edhe te Riza Haziri, Abdyl Kadolli e cilido që patëm rast të flisnim rreth shkrimit të Lubonjës për figurën e Ramush Haradinajt, kishte vetëm neveritje deri xhindosje. Fatos Lubonja, në një shkrim për revistën “Sudosteuropa Mitteilungen” e ka cilësuar Ramush Haradinajn një vrasës, që u lirua nga Haga pas zhdukjes dhe ekzekutimit të dëshmitarëve. Asnjëherë këtë opinionion, editioralisti ynë, nuk e ka dhënë në shtypin e vëndit të vet, përfshirë dhe gazetën ku boton rregullisht opinionet e tija, gjë që paraqet një mentalitet ruralësh apo shtatëvjeçarëshash qytetarë, për fat të keq të këtij burri të kulturuar dhe që ka vuajtur nëpër burgje. Gjithsesi, Lubonja, ka kritikuar politikanët shqiptarë, duke nisur nga Berisha dhe Rama, pse kanë dalë në mbrojtje dhe kanë përgëzuar Haradinajn për lirimin e tij – ish-komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit.
Ka patur reagime të menjëherëshme papërjashtim nga të gjithë që e kanë marrë vesh. Mes të tjerëve, dhe nga Burim Ramadani, Sekretar i Përgjithshëm i AAK-së, anëtarët e kryesisë; Ernest Luma e Avni Arifi… Memli Krasniqi, anëtar i PDK-së dhe ministër aktual i Kulturës ka reaguar kështu ”A ke turp o Fatos Lubonja për deklaratat e sëmura që bën kundër çlirimtareve të Kosovës? Skizofreninë tënde s’mund t’ia mveshësh kombit tënd!”. Ministresha e Integrimit, Vlora Çitaku: ”Shokuese deklarata e Lubonjës! Pa fjalë!”, Ernest Luma, ndërkaq, shfaqet shumë më i ashpër duke e fyer publikisht. Burim Ramadani shpreh habinë se si mund të akuzohet dikush si vrasës kur ai është shpallur dy herë i pafajshëm nga drejtësia ndërkombëtare. Etj…etj…
“Njerëzit e UÇK-së, që Haradinaj ka drejtuar, kanë rrëmbyer serbë, romë, shqiptarë, ndër ta edhe gra, të cilët janë mbajtur në kushte çnjerëzore robërie në burgje të improvizuara, janë torturuar, përdhunuar dhe vrarë”, ka thënë  Lubonja.
Poeti Sabit Idrizi, njohës sh i mirë i gjuhës sërbe, ka ndjekur komente të “Tanjugut” kur Lubonja paraqitet thuajse si hero, “democrat i vërtetë” dhe jo vetëm një herë, por papushim. Nuk e dimë, ta zëmë, nëse e di zoti Lubonja me detaje të përjetuara se sa gjak kanë derdhur Haradinajt për lirinë vetëm në luftën e fundit, se gjyshen e tij Asën e shkretë, e kanë djegur të gjallë, se vetë ai ka shpëtuar në një rast pa u fshirë nga faqja e dheut e tër brigada e tij me burra e djem e vajza të reja , në minutat e rreshtimit të një mëngjesi…Dakord, nuk i di. Apo ka dëgjuar diçka. Mirëpo, për akuzat e kësaj natyre ndaj Haradinajt, në unison të plotë me çthotë Beogradi për heroin e Luftës së Kosovës, janë marrë hetues e prokurorë të specializuar, përfshirë edhe zonjën Karla Del Ponte ( jo si Lubonja që ka ndjekur gjithëçka nga TV, shtypi apo ndonjë thashethem) dhe luftëtari kosovar dolli i pastër nga Gjyqi i Hagës, madje dy herë!!!??? Kosovarët janë njerëz të mirë dhe të kujdesëshëm. Askund nuk dëgjova akuzën apo edhe hipotezën që këtë artikull analisti ynë ta ketë shkruar për para, kur, normalisht, dikujt i shkon në mëndje edhe kjo hipotezë dhe në të vërtetë, ngado, po shtohen njerëz që shesin dinë e iman për para. Ata e dijnë që Lubonja nuk e shet lekurën për para e nuk e ka shitur deri tani. Mirëpo, një analist duhet të jetë më i kujdesëshëm kur lëshon një fjalë e jo më akuza të pavërtetuara nga askush dhe ndaj dikujt që ka qënë i përfshirë në luftën për liri me tër atë haraç e gjak që la Kosova martire. Të ketë parasysh çdo lexues se ne nuk përmëndëm diçka nga CV e Haradinajt për të justifikuar krimet e luftës, nëqoftëse ai i ka bërë. Nëse ndaj njerëzve të mi bëhen krime lufte dhe unë si kundërpërgjigje bëj po ashtu, krime lufte, edhe unë jam kriminel lufte sikurse ai që më detyroi t’i përgjigjesha krimit të luftës me krim lufte. Këtë gjë ne e dijmë mirë. Por ne i cituam gjakun e haradinajve, djegien gjallë të nënës Asë, brigadën që shpëtoi pa u fshirë nga faqja e dheut etj, se këta janë të dokumentuara, kurse krimet që përmënd Lubonja nuk u vërtetuan dot , de!!!. Ta zëmë, nëse Haradinaj e hedh në gjyq zotin Lubonja dhe gazetën“Sudosteuropa Mitteilungen” me akuzën për shpifje. Se ka raste boll për figura politike që nuk vërtetohet thënia shkodrane “Ku asht za, nuk asht pa gja!”.Pra, Lubonjës do t’i duhej të gjente prova për t’u mbrojtur, nga ata lloj provash që këmbëngulën e insistuan sa mundën tër ata rrogtarë të Hagës dhe nuk u gjetën dot. Gjithsesi, kjo gjellë e prishur besojmë të mbarojë me kaq. Mendojmë që, z Lubonja, burrnisht duhet t’u kërkojë fajle Ramush Haradinajt, popullit dhe luftëtarëve kosovarë ,viktimave të krimeve të përbindëshme që janë bërë mbi popullatën kosovare që shihte shpresën vetëm me sytë nga gryka e pushkës së djemve të Haradinajt e Thaçit. Të kërkojë të falur për papjekurinë e treguar, për gjykimet adoleshente , për gjakun që iu ka prishur kaq e aq njerëzve dhe t’i vërë gishtin kokës se njeriu ka mundsi të turpërohet edhe në moshen 63 vjeçare e pas aq e aq maleve të kapërcyer me sukses. Se gazetari, çdo segment të jetës, duhet të ketë parasysh floririn e folkut shqiptar që “Me tërhekë kamën e pushkës, duhen dy barrë qe”. Me sa kam parë në internet, i vetmi njeri ( le të kufizohemi te “publicist”, nqs e konsiderojnë të tillë )që ka qënë në unison me z. Lubonja për këtë shtjellë dhe që ka emër e mbiemër shqiptarësh, është një farë Arben Idrizi,krejtësisht i panjohur nga unë, por që në foton e tij sigurisht të publikuar nga ai vetë, të kujtonte menjëherë babain e Eponinës, ( shiko “Les Miserables” të V. Hygo) .
Dhe përse ka rënë në këtë handrak zoti Lubonja, aq i nderuar nga jo pak fansa dhe jo fansa të tij? Për absolutisht asgjë origjinale. Për përsëritje të gjërave të thëna nga të tjerë dhe të pavërtetuara asnjëhere; që kanë çuar ujë në anën nga janë bërë krime të përbindeshme mbi popullin shqiptar.
Duke blegëritur atje si dele naive ndërsa ngado ulërijnë ujqër.

Mixha nga Vushtrria

Si u ndamë në mëngjes me Sabitin e me të birin Liridonin (Sabiti më shkruante më vonë se Liridoni nuk ngopej së treguari shokëve që kishte parë e ndenjur me një pilot nga Shqipëria ! Me këtë rast, më lejoni t’i premtoj që, me t’u botuar vll 2 i “Dinosaurët e fundit”, njëra nga të dhjetë kopjet e saja do t’i shkojë atij në Mitrovicë!!!)– zura vend në autobus, në mënyrë që ta mbaja këmbën shtrirë. Aty hyri një mixhë Kosove, i gjatë dhe i hollë “si kosorë e jataganë”, duke uruar tërë autobusin me zë plot “salam alejkum!”. A më mirë të lexoja diçka nga librat e Sabitit, apo të bisedoja me këtë plak, kushedi se ç’minierë ishte!. Këmbën e lashë hajt punë e madhe. Ia lirova vendin tim dhe ai, duke parë i qeshur nga unë, tha: “Po më nderojnë të gjithë, duket se kam fillue me u plakë!” . Autobusi zuri të nxitonte; më sillej në mendje meraku i poetit nga Mitrovica se përse në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës nuk kishte asnjë ekzemplar nga “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxes dhe pse “Fshati midis ujërave” të Kol Jakovës, nuk e përmend më askush sot, kur ai nuk kishte qeshur ndonjëherë mbi ndonjë libër si mbi atë, mbase përjashtuar Don Kishotin e Cervatesit dhe Shvejkun, vll parë. Si më pyeti për fëmijët, plaku më uroi: “Djali t’u boftë burrë me mjekërr, vajza t’u boftë zojë e katundit!”. Ishte 74 vjeç , quhej Xhemal Farduzi . Kishte punuar tërë jetën tokën dhe e punonte edhe tash, përfshirë edhe një lloj ferme të vogël, ku rriste bagëti për kurban- bajram. Edhe diçka nxora nga diktofoni im që po më prishet: “ O kanë ni serb i katundit tonë. Ka pasë katër djem. E ka pasë emnin Millamir Pllatovski. Kur o bashkue ky Millamiri me partizantë e Titës, ai i ka pasë në hatllat e shpisë 100 plisa të përgjakun…Njiqind copë qeleshe burrash kosovarë!…Jo, more! Ai ish kriminel.Partizantë e Titës e të Shqipnisë kur erdhën kanë luftue burri me burrë, jo me gra e thmi. Janë bo me partizantë e Titës edhe shumë kriminela serbë. ….Kur pat ra shi fort ni herë, dolën eshtna njerzish tu përroni, janë kenë tan eshtna shqiptarësh…Kur krisi pushka, katër djemtë i kom nisë për luftë. Njanit ia kom gjetë vetë Golinovin…Jo, jo, unë nuk ika prej shpije. Kur erdhën shkiet , kapën dy kojshitë e mi dhe i vranë për pare. Ata të qitshin fare për pare….Ë? Si po më pvet ti a jom tutë?… Paj qysh jo s’jem tutë, more, po në fillim. Ma vonë kur kërsitshin plumat n’ tana antë, edhe tuta hikte. U mëshefa diku derisa thynë qafën…

Abdyl Kadolli dhe Lidhja e Shkrimtarëve e Kosovës

Gjithmonë e pyes në fb se si e kemi Dritëroin. Një dashuri kaq e madhe për Shqipërinë e ka bërë këtë poet shumë të mirë dhe njërën nga shtyllat e forta të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, t’i vinte djalit emrin e poetit tonë aq të dashur për të gjithë, Dritëro Agolli. Kosova është më mirë se shteti ynë në trajtimin e shkrimtarëve. “Lidhja… edhe tash ndihmohet nga qeveria, por synon të institucionalizohet si subjekt kulturor. Kryetar nderi i LSHK-së është zoti Adem Demaçi, kryetare aktuale Dr. Flora Brovina, ndërsa nënkryetar Prof.dr. Shyqri Galica. Ajo organizon manifestimet letrare: festivalin ndërkombëtar “Drini poetik”, takimin letrar “Esad Mekuli”në Prishtinë dhe manifestimin letrar “Drita e minatorit” në Mitrovicë, si dhe përurime veprash letrare e përvjetorë të shkrimtarëve. Në këto manifestime paguhen punimet e lexuara, akomodimi dhe biletat e mysafirëve, madje edhe të atyre ndërkombëtarë. Manifestime letrare kanë efektin e njohjes së shkrimtarëve dhe të vlerave letrare artistike , si dhe afirmimin kombëtar e ndërkombëtar. LSHK boton revistën periodike lerare “Metafora” dhe do të begatojë edhe botimin e veprave letrare. Tash pret vendosjen në një seli të përkohshme derisa të ndërtohet “shtëpia e shkrimtarëve.” Edhe shkrimtarët në Shqipëri shpresojnë që programi i Rilindjes së Shqipërisë të sjellë një trajtim qytetërues ndaj statusit të shkrimtarëve, t’u kthehet atyre shtëpia e uzurpuar , të ndihmohen botimet dhe manifestimet letrare, që edhe Lidhja e Shkrimtarëve e Shqipërisë të bëhet instutucion i kulturës sikur në vendet e tjera. Se deri tani, libri shqiptar është ibreti mysibret dhe shkrimtarët shqiptarë drejt shfarosjes.

Në kullën e “Shotës”

Me shkrimtarin Abdyl Kadolli bëmë një vizitë tek ansambli kombëtar “Shota”, që sivjet zuri vendin e pare në Folkun e Bursës në Turqi. Doli e na priti aty drejtori i ansamblit, këngëtari i mirënjohur Ismet Bogujevci. Shkrimi ynë në gazetën “Tirana observer”, “Njohjes së Kosovës i paraprin stuhia “Shota”, kish mbërritur mbi tavolinën e punës të minsitrit të Kulturës , zotit Memli Krasniqi. Ky shkrim ishte pritur me shumë dashuri nga artistët e mrekulleushëm kosovarë. Bogujevci na tregoi një fotografi të madhe në zyrën e tij, ku ishin gjithë artistët e “Shotës”, në mesin e tyre edhe dy presidentë – Fatmir Sejdiu e Bill Klintoni. Tanimë ky ansambël po i jep famë Kosovës, sikurse i dha asaj UÇK –ja e lavdishme: “Fërshëllima e vetmuar e vetmuar e maliherit të tij / I detyronte shekujt të ulnin kokat”…Këto vargje të Kadaresë sonë të lavdishëm i shkojnë kaq për shtati kësaj furie kosovare. O shtete, o qeveri, e mira është ta njihni Kosovën kush nuk e ka njohur! Po, edhe pa ju, ajo do të çajë përpara. Nëse ende nuk ju mbushet mëndja, atëherë, ju lutem, ndiqni programin e “Shotës” dhe kuptojeni furinë e shtetit më të ri të Europës! Këtë furi që nuk mund ta ndalë askush, sikurse është e pamundur të ndalet furia e erës apo vërshimi pranveror. Në repertorin e ri të “Shotës”, që Bogujevci e drejton me aq origjinalitet e modesti, fut gjithherë diçka të veçantë,të freskët dhe sigurisht të mrekullueshme. Ai mirpret një bashkëpunim me Korçën e serenadave: “Sapo të na vijnë artistët, pra në shtator, do të përgatitemi për repertorin e ri, ku do të jetë edhe princi i serenadave korçare Mihallaq Andrea. Shpresojmë të realizojmë!” Ai dëshiron të këndojë një a më tepër serenada me gjigandin pa këmbë, shoqëruar me këngë dashurie, me furinë e sulmit pranveror të valleve të vajzave e djemve të “Shotës”.
“ Mbusheni sallën jo me kosovarë, por me serbë, dhe po nuk i bëri ata të duartrokasin sa t’u skuqen pëllëmbët, mos më thënçin në emër!” – i them plot entuziazëm për mikun tim, me të cilin kemi bërë kaq e kaq këngë. Të dy mikpritësit qeshin me të madhe e me dashamirësi. Abdyli vështron këmbën time që është enjtur shumë. Duhet të nisem tashti, meqë nuk mund të buj sonte në Prishtinë, edhe pse më luten disa herë. Ne lamë ndërtesën moderne të “Shotës” si një bukuroshe që e kanë zënë gjumi, që do të zgjohet sapo të vijnë artistët nga leja. Ajo është ndërtuar para tre vjetësh nga Ministria e Kulturës. U nisa për në Tiranë në pikën e vapës, duke fuguar autostradës së re ….

Nga: RIZA LAHI

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu