Për Qeverinë Kurti nuk ka vlerë juridike Marrëveshja e Washingtonit

0
111

Marrëveshja e arritur në Washington nuk ka vlerë juridike, pasi nuk është dërguar asnjëherë në Kuvend, ka thënë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu.

“Për ta përsëritur një qëndrim të kamotshëm të kryeministrit Kurti më duhet të them se së pari ai dokument nuk e ka vlerën dhe natyrën juridike të një marrëveshjeje, për shkak se asnjë nuk është sjellë në Kuvend, as për t’u diskutuar, as për ta marrë mbështetjen e Kuvendit dhe si i tillë me të drejtë është quajtur si dokument me zotime të njëanshme. Nga një Qeveri e cila në kohën e nënshkrimit të këtij dokumenti ishte pa legjitimitet dhe më pastaj në ndërkohë u patë vërtetuar se nuk gëzon ligjshmërinë e nevojshme për të qenë në Qeveri. Përtej asaj, ne jemi në kontakt me ShBA-në për të punuar së bashku për temat të cilat kanë interes të përbashkët”.

Tutje, ai shtoi se takimi i ardhshëm në Bruksel në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë dakordim mbi agjendën e një dialogu të ri, transmeton Klankosova.tv.

“Takimi i ardhshëm është takim i cili është në shërbim të dialogut të ardhshëm. Takimi i parë ishte vetëm informues, në të cilën u paraqitën pozicionet e Kosovës dhe pozicioni i saj për dialogun. Në takimin e ardhshëm do të ketë takime të ndërmjetme me ndërmjetësuesin, ashtu që të ketë një përpjekje për të pasur një dakordim mbi agjendën e dialogut të ri. Kjo për shkak sesa është e domosdoshme është e patejkalueshme ashtu që të bëhet shkëputja ndërmjet këtij dialogu me ata të mëparshmit. Tema e të pagjeturve është ndër temat më të rëndësishme në çdo diskutim që ne kemi me ndërmjetësuesin e me palën serbe. E njëjta është përmendur edhe në takimin e parë ndonëse nuk kishte ndonjë agjendë të përgatitur. Qeveria e Kosovës është maksimalisht e përkushtuar për adresimin e çështjes së të pagjeturve dhe e kërkon atë në çdo takim që ka në kuadër të cilido proces i cili mund t’i shërbejë zgjidhjes së saj. Për këtë do të bëhen përgatitjet e nevojshme ashtu që të ketë sukses”, ka thënë Kryeziu në një intervistë për EO.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu