Për Serbinë s’ka Gjykatë Speciale, pse po u dashka për Kosovën?

0
695

Gjykate

Edhe Lëvizja “Vetëvendosje” do të votojë kundër kësaj Gjykate, e cila do të merret me krimet që dyshohet se janë kryer nga krerët e lartë të UÇK-së.

Deputeti i kësaj partie, Rexhep Selimi, i cili ka qenë njëri nga komandantët e luftës së UÇK-së ka shpjeguar edhe arsyet se pse 16 deputetët e kësaj partie do të votojnë kundër.

“Ne jemi konsistent me qëndrimin tonë rreth kësaj Gjykate. Një arsye kryesore është se nëse bëhet fjalë për të nxjerrë drejtësi, gjë që të gjithë protagonistët e UÇK-së nuk i frikësohen drejtësisë, deri më tani UÇK-ja ka kaluar tre filtra: Tribunalin e Hagës në tri procese gjyqësore ndaj luftëtarëve të UÇK-së, të cilët janë shpallur të pafajshëm, UNMIK-un dhe EULEX-in. Për të pasur Kosova një tribunal të tillë çfarë po synohet të ndërtohet, duhet që fillimisht të shpallen jolegjitime të gjitha gjyqet e Hagës, UNMIK-ut dhe EULEX-it”, ka thënë ai për gazetën.

Sipas tij, kundërshtimi i “Vetëvendosjes” nuk ka të bëjë me kundërshtimet ndaj drejtësisë ndërkombëtare, por ndaj padrejtësisë për UÇK-në dhe vlerat e luftës. Deputeti Selimi ka thënë se ka tendenca për t’i fajësuar shqiptarët përballë serbëve.

“Për Serbinë nuk ka gjykatë të veçantë speciale për t’i dënuar krimet që i ka kryer shteti serb që i ka shkaktuar në Ballkan, e pse po u dashka të krijohet një tribunal i veçantë për shqiptarët “, ka thënë ai.

Sipas tij, ka tendenca nga kryeministri Mustafa shumë shpejt ta sjellë në Kuvend ligjin për Gjykatën Speciale. “Por kurdo që do të vijë në Kuvend ne do të votojmë kundër”, ka thënë ai.

Ndryshe, Gjykata Speciale për krimet e luftës, pritet të ketë dy dhoma, një në Kosovë dhe tjetrën në Holandë. Kjo Gjykatë pritet të merret ekskluzivisht me krimet e supozuara të luftës së UÇK-së që për bazë kanë raportin e Dick Marty-t, që është miratuar në Këshillin e Evropës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu