“Për Ujërat nuk ka marrëveshje, Ministria e Jashtme, e papërgjegjshme”

0
858

TIRANË – Një nga njohësit më të mirë të diplomacisë së jashtme dhe veçanërisht të çështjeve rajonale, Bashkim Zeneli, ish-ambasador i Shqipërisë në Greqi, i cilëson deklaratat e fundit për nisjen e negociatave për marrëveshjen detare me Greqinë, si ‘të papërgjegjshme’.

Gjatë intervistës për ‘Ora News’ ai e cilëson të vonuar ngritjen në këtë periudhë të grupeve të punës për bisedime, pasi ekipi negociator, sipas tij, duhet të kishte marrë jetë menjëherë pas rrëzimit të paktit nga Gjykata Kushtetuese, pra 2 vjet më parë.

“Mendoj se në këto deklarata të fundit nga Ministria e Jashtme ka pasur një mungesë serioziteti, por do thoja edhe përgjegjshmërie. Më duket se kanë dashur të thonë diçka dhe kanë krijuar më shumë konfuzion. Së pari, do thoja që nuk ka marrëveshje, marrëveshja është nul, marrëveshja është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, por edhe sikur të mos ishte hedhur poshtë, nuk është ratifikuar nga pala greke, pra nuk ka marrëveshje. Sa i përket grupit të punës, ky i duhet bërë transparent publikut”, shprehet ai.

Mbi këtë argument, Zeneli thotë se nuk ka vend për deklaratat e fundit për dërgim të kësaj çështjeje në Gjykatën Ndërkombëtare.

“Nuk ka çfarë çohet në Gjykatën e Arbitrazhit, nuk ka marrëveshje. Është si të shkosh në Gjykatën e Tiranës apo të Durrësit dhe të thuash: “Dua të divorcohem me gruan time”, e të thotë: “më sill certifikatën e martesës”. Nuk ka martesë. Ç`punë ka gjykata? Nuk ka marrëveshje. Marrëveshja është hedhur poshtë”, vijon Zeneli.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në Greqi komenton edhe vizitën e njoftuar për në muajin shtator të kryediplomatit, Edmond Panariti në shtetin helen.

“Vizita do të jetë e mirëpritur edhe nga Shqipëria dhe nga Greqia. Them e mirëpritur, se që nga shtatori i 2004 nuk ka pasur vizitë të ministrit të Jashtëm në Athinë, përjashto rastet e takimeve rajonale.

“Kjo flet shumë, flet për marrëdhënie të ngrira, flet për marrëdhënie të tendosura”, përfundon Zeneli.

Përgatiti: M.Alla

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu