Përball Urrithëve Titistë !

0
633

Shkruan: Fadil SHYTI

Pjesa e pestë

 

 

(Kushtuar, përkujtimit të vizitës në Shqipëri dhe burgosjes së 8 shokëve e shoqeve tona, gjatë muajit Nëntor të vitit të lavdishëm,  1981)

-Pavarësisht faktit që kjo akuzë që ia thoshte spiuni, ishte e vërtetë, Iliri, në fillim nuk ia pranoi dot por, pastaj me një vendosmëri dhe dëshirë që ta zbulonte spiunin i cili kishte qenë i pranishëm në odë dhe kishte rrëshqitur në tradhti në mesin e të afërmve të tij, -iu drejtua: ”O Sulejamn Arifi, qe ta zëmë se, i paskam kënduar si vjershë ato vargje, dhe po deshe ti të ngritesh më lart mbi vuajtjet e mia në këtë pushtet, ja, po ta pranoj edhe sikur ta di që, do të dënohem 10 vite burg- vetëm dua me ia pa ”fytyrën e pafytyrë” atij pisi që ju ka gënjyer”.

Pasi u përplas vërdallë nëpër hetuesi; pa u hamendur fare, por me një cinizëm shkretan; udbashi ia ktheu: ”E, more dai, po kush je ti, t´i zbulosh njerëzit tanë, dhe dije se, kot e ke, sepse , kurrë atij njeriu s´ke me ia pa fytyrën”!…

Me kaq nuk mbaroi ky përballim-vetëtimë, midis së mirës dhe së keqes, midis atdhedashurisë dhe tradhtisë!

-Nga hetuesia e bërë prej këtij “miku”, Iliri e kishte dhe një “të papritur” prej tij në bashkëpunim me dy-tre të tjerë.

-Një natë afërsisht, pas orës 21 e kishin nxjerrë nga qelia, e kishin lëshuar me shpejtësi makinën, mes përmes qytetit të Mitrovicës, -tani të ndarë me ura gjaku…; 2 agjentë ishin përpara, Iliri ishte në ulësen e pasme të makinës, i ruajtur nga një polic i armatosur që, nuk e fshihte fare revolen; -kishin ikur nga qyteti atje mbi male të Shalës; pasi kishin arritur tek “Tuneli I-rë “ kishin marrë tutje lart në të djathtë, kishin ndaluar në një rrafsh- lartë në malet e Trepçës, pasi kishin shushuritur diçka n´mes vete- dhe, vetëm një fjalë, derisa ishte duke u hapur dera e makinës- Iliri, kishte dëgjuar kur theksuan:

“Puna u krye, tani ikim”! -Kështu, -xhelatët e paqes titiste që, sipas planeve në shërbim të ideve të tyre absurde, tentonin të prodhonin prova frike, ndaj rinisë.

-Kaq kohë kanë kaluar dhe ende ka mbetur enigmë si shumë enigma të tjera me pafytyrësi kriminale, nuk dihet kjo veprimtari misterioze e tyre, por, një gjë dihet që, jo rrallëherë, kur, ashtu  i kanë larguar të burgosurit politikë nga burgjet- kanë vërshëllyer pastaj dhe plumbat, në gjokset e tyre.

-Thuhej që, para se të punonte punën e djallit, Sulejman Arifi, shkja, kishte qenë shofer, nga kjo konstatoj që, si duket e ka humbur drejtimin shpesh në rrugë ashtu sikur në jetë- por, ja “mrekullia” e këtij pushteti “demokratik”; gjithashtu, thuhet se, tani pas luftës “biri i botës” i paska hipur prapë “pelës”, qenka në qytetin e urave të gjakut, njëfarë inspektori në sektorin e tregtisë,  madje, me peshë!!!

Jepi Sylë, jepi, e  lodroje pelën, he, mos t´i pafshim sytë!…

 

Faruk Mehmeti,  një dinak i regjur, një “babaxhan” i tipit hrushqovjan,

që, vetëm me zvarranikët e “bardhë” të stepave të Rusisë, do të krahasohej, portreti dhe mendja e tij.

-Në raportet me të, ruaj kujtime të hidhura nga një dialog i “qetë” dhe tejet cinik. Ky, sy mavi të fryrë e kuqalosh, ky bukëshkalë e fytyrë-përdalë erdhi një natë dimri të ashpër, ishte vonë, -kujtoj pas orës 20-të, ia filloi me ato “këshillat” e përrallave jugosllave: “Ti, je i ri o Ilir, nuk po dini as ju çfarë po bëni, po pse shkuat në Shqipëri e sollët materiale ilegale, libra të Enver Hoxhës dhe vjersha që e shajnë Titon e Jugosllavinë?! Ti, edhe se nuk e pranon– ne e dimë se, Ti ke një familje balliste, që e urren këtë shtet. Ti, mësimet i ke marrë nga gjyshi yt; Hajzer Tafa, i cili atë ditë kur e rrethuam shtëpinë e juaj në katundin Guribardhë, e kontrolluam edhe nën kulme – a keni libra të tjera dhe armë; -kur i treguam se Ti je, në burgun e Mitrovicës, ai pa pikë hezitimi na e ktheu: “Me hair kjoftë kjo punë, se burgu për burra është, dhe dijeni mirë se,  asnjë pikë s´po mërzitem për Ilirin, sepse,  po e di fort mirë përse e paskeni burgosur, atë e paskeni burgosur se po mundohet për atdhe, e jo për hajni”!

-“Nga kjo e kuptuam tha -se, ti je krejt i nxitur nga ai dhe jo vetëm nga ai…

Po ju, o Ilir trimi, a jeni 9 veta nga familja juaj, të ndjekur dhe të burgosur kundër këtij regjimi”?!

-Kështu, i përfundoi këto këshillime dhe akuza, i gjori, Faruk Mehmeti.

-Iliri, pasi e kishte menduar me kohë kundërshtimin e “qetë” ia ktheu: “ O, Faruk Mehmeti, ti mund të thuash ato që ti mendon, por dije mirë se jam krenar se, cilës familje atdhetare i takoj, e nëse më pyet përse, -ja po të tregoj; -sepse, familja ime i ka dhënë gjak lirisë, ndër vite i ka dhënë dëshmorë atdheut; në luftë kundër çetnikëve të Drazha Mihajloviqit e të tjera-  të parët tanë , ai gjyshi im, tani  mjekërbardhë ka luftuar  vetë i treti vëlla, në Tregun  e Ri; atje iu ka vrarë një vëlla,  kurse, ju tani po na burgosni dhe po na quani armiq dhe ballistë”.

-I gjori titist, si dukej ca i doli “gjumi” dhe pas këtyre argumenteve, ashtu si një gomar plak, që s´ka nga të ecën më tej, u step për muri për një çast; dhe nuk vonoi shumë, e mori telefonin dhe i ftoi gardianët me urdhër: “ Ejani merreni e dërgojeni një të burgosur në qeli- gardianët, nuk vonuan erdhën dhe më larguan nga ajo fytyrë e pafytyrë!…

Muharrem Danaj, një udbash i regjur plak, ishte i pamëshirë për shtypjen e mendimeve dhe ndaj nesh bënte maltretime nga më të tmerrshmet, sy e fytyrë çartur, që, as djallit mos iu parafytyroftë në ëndrra.

-Shquhej për vrazhdësinë e tij, mund të karakterizohej me një palaço të krisur; dukej i tmerrshëm për të krijuar bindjen se, i burgosuri politikë, nëse nuk i bindet atij, zor e kishte të dilte i gjallë nga ato biruca ku fshiheshin dhe ruheshin si në muzetë antike obskurantiste-fashiste, idetë titiste.

Në raportet me Ilirin ai, kishte projektuar t´i kapë majat e “zbulimeve” por, në fakt, mori në fiaskon e  kovës ( me nder lexuesve) me m…, por,  jo të zbrazur,  të dështimeve…

-Ilirin, e akuzonte se, ishte në grupin ilegal që vepronte në Francë, nën udhëheqjen e një ballisti i cili quhej, Luan Gashi.

Kjo, akuzë e bëri të lirohej disi nga stresi- për faktin që, me këtë, kuptohej qartë se budallai, si kau plak, nuk kishte lidhje “me muzikën ideologjike”, kur dihej që, Iliri me shokë e shoqe, ishin thellësisht anti-ballistë dhe anti-legalistë; -por, ja që armiku kujtonte se ishin ndryshe…

Muharrem Danaj, pastaj e akuzonte se, kishte marrë instruksione nga atdhetarët, Ajet Haxhiu e Ramadan Pllana, si të vepronte kundër Jugosllavisë titiste.

Mirëpo, Iliri me t´iu gjendur përballë atij shkretani, i ulur në tavolinë, si në vegim qëndrese i erdhi fytyra e ndritur e fotografisë së Fazli Grejqevcit, i cili ra krye detyrës së atdheut, por nuk e dha asnjë sekret; ashtu vendosi të vepronte edhe militanti i viteve të mëvonshme…

Nga Iliri, nuk nxori asnjë sekret që i duhej…

As e kam takuar Ajet Haxhiun – i tha!

As nuk më ka dhënë instruksione ai, as Ramadan Pllana, nuk më ka dhënë libra të Enver Hoxhës – të gjitha këto janë trillime dhe shpifje të kota.

Armikut të pabesë, “Duhej treguar vendi tek thana”, -këtë, e bëri me vendosmëri ato ditë gjatë hetuesisë edhe Ilir Malësia.

Pas përpjekjeve të kota, duke u përpëlitur, hakërrohej e godiste tavolinën me grushte torturuesi, si ujku i plagosur në kokë, udbashi Muharrem Danaj, më në fund u dorëzua!

-Kurrsesi, nuk i mori shkrimet, as librat e ilegales, as e  zbuloi dot grupin se, me cilën organizatë politike ilegale kishin filluar të lëshojnë rrënjë idealet e tij çlirimtare.

Ai, dhe kodoshët tjerë udbashë- krekoseshin se, dinin gjithçka sekrete, por në fakt dinin pak, apo në raste të shpeshta nuk dinin asgjë…

Kjo, shihej qartë në hutinë dhe në makutërinë e tyre.

Burhan Prishtina, heu, i gjori (rahmetlia), sa shumë e shtrydhi dhe e moli dhe në fund e hodhi poshtë, e vrau Serbia!

-Kështu, do të thoshin të gjithë njerëzit me mend në kokë!

Ky, është fundi i tradhtarëve, sepse, iu shërbejnë kot armiqve…

Vijon

Suedi, data, viti?

 

Shkruan: Fadil SHYTI

Pjesa e gjashtë:

 

PËRBALLË URITHËVE TITISTË!

 

(Kushtuar, përkujtimit të vizitës në Shqipëri dhe burgosjes së 8 shokëve e shoqeve tona, gjatë muajit Nëntor të vitit të lavdishëm,  1981)

 

-Burhani , ishte një udbash që, sikur dhelpra të matej me dinakëri me të, kjo do ta humbiste betejën. Por, ja që  në konflikt me shqipot dhe luanët; burhanët e dhelprat dështojnë!

-Kështu, ai mizantrop, përpiqej që me Ilirin dhe grupin e tij të ngjitej lart si ujku me “këmbën me miell”; por, kot u mundua, edhe ky e mori dështimin ashtu si torollakët tjerë…

Ky, i tha Ilirit se: “Besën e  shqiptarit po ta japë, veç m´i dorëzo librat dhe sonte –(ani se është vonë); do të shkosh në shtëpi; njëkohësisht, u vërsul mbi të me një shkop elektrik prej gome dhe i ziu, çilimiu, hetues; Momë Serbiani, anipse me trup ishte i madh dhe dukej si një plep i kalbur…

Ky gjakpirës dinak,  me Burhanin mendje-pak, e kishin dërguar Ilir Malësinë, në një  lokal që dukej si barnatore e burgut. Në fillim të hyrjes kishte objekte spitali, por, edhe barna dukeshin në sirtarë; mirëpo, në brendi nuk shihej shumë çfarë kishte në atë dhomë tmerri; Ilirit i erdhi një si vetëtimë një mendim i turbullt; se, mos po e tradhton mendja nëse këta të pashpirt i japin ndonjë opium…

Shumë, më shumë ia kishte frikën dështimit, -larg qoftë se, po rrëshqiste në tradhti ( me nder lexuesve) si në m…; sesa që ia kishte  frikën dhunës…

Por, posa u ulë në karrige, filloi të merrte veten; dialogu filloi me kërcënime, pro kjo as i bënte përshtypje aq, kur disi u qetësua nga ideja e ndonjë dehje me opium që mund t´ia bënin hetuesit me ndonjë mjet…

-Pasi Momë Serbianit iu nxehën gjakrat e pistë, Iliri, mori “dhurata” prej tij, ca përqafime shkopi; duke iu kërcënuar me një shqipe të trashë “kosovarishte”: “Ti, po ki librat, e Enverit, ti,  ki me m´i dhanë ato”, -e të tjera kërcënime!…

Vetëm atëherë, Burhani u kujtua për “keqardhje” dhe përsëri  iu drejtua Ilirit: Mua m´i dorëzo dokumentet…, besa –besë!

Ilirit, si një vetëtimë yjore i erdhi ideja; u kujtua se, gjyshi plak i kishte thënë: “Biro, besëprerëve nuk iu jepet as u mbahet besa! Atyre, duhet dhënë turinjve, vetëm mashtrimin dhe gënjeshtrat- atë e meritojnë armiqtë e të gjitha ngjyrave”!…

As kjo nuk do bëhej, jo! – i tha: O, Burhan Prishtina, sikur të kisha libra o ty o, askujt nuk do t´ia jepja, por, libra të tilla nuk kisha dhe nuk i kam të fshehura.

Unë, nuk jam aq i marrë që, për libra të Enver Hoxhës të ha dajak, sepse, e di fort mirë që, Tirana i boton me qindra e mijëra ekzemplarë në ditë, pra, sikur t´i kisha do t´i jepja, pse ta rrezikoja veten kot; kur shqiptarët kanë sa të duan libra të tilla!

-Pasi i dëgjoj fjalët e Ilirit, hetuesi cinik, ia ktheu: !Dëgjo pra, mua nuk po m´i dorëzon materialet, sepse, ia ke dhënë besën partisë, -por kujdesu sonte e tutje, mos ia dorëzo askujt, se, po ua dorëzove dikujt tjetër jeta jote ma s´ka me të vye”! Kështu, përfundoi ky dialog flakë-përflakë në mesnatë, midis armiqve të përbetuar…

Ramadan Cana, ndaj veprimtarisë së Ilirit, u tregua i zellshëm duke bërë përpjekje që ta hidhte Ilirin në akuzat si pjesëmarrës i demonstratës në Mitrovicë, këtu Iliri e kuptoi se, ai shkretan s´ka fakte dhe dijeni se, vërtetë ishte pjesëmarrës, kur udbashi i mjerë nga një ish-punëtor i arsimit në lëndën e historisë, ishte bërë djallë i sigurimit, në shërbim të tradhtisë. Ramadan Cana i skuqur në fytyrë, si karotë, bile, pikërisht për këtë figurë karikaturale titiste, ne të rinjtë e qytetit të Mitrovicës, e quanim “me përkdhelje” “Karota”!…

dukej hapur, se kishte pirë raki, sepse, sillej si i dehur…, -i tha i rrëmbyer, Ilirit se: “Ty , të kam parë në demonstratë, trikoja jote e kishte në xhepin e djathtë një shqiponjë”!…

-Nga kjo “akuzë e gabuar”; Iliri, mësoi shumë; sepse, e kuptoi se, udbashi e humbi betejën, sepse, e dinte që atë ditë nuk kishte pasur të tillë triko, por e kishte trikon pa xhepa dhe ishte vetëm me dy vija të trasha – vërtetë kuq e zi, nga ato që atëbotë rinia atdhetare, i vishte shpesh në nderim të ngjyrave të Flamurit Kuqezi! Pasi mori forca gjakftohtësie, iu drejtua udbashit, Cana: “Jo, nuk isha në demonstratë atë ditë, kjo akuzë nuk qëndron, nuk e pranoj dot, ju më akuzoni kot”!

(Kushtuar, përkujtimit të vizitës në Shqipëri dhe burgosjes së 8 shokëve e shoqeve tona, gjatë muajit Nëntor të vitit të lavdishëm,  1981)

-Për faktin që, udbashët nuk kishin fakte as dëshmitarë, për këtë, u detyruan të heqin dorë nga kjo akuzë; kjo qe dhe një sukses, i mbrojtjes ndaj kundër-zbulimit ndaj tyre.

Nexhemdin Ajeti, ngjasonte me sivëllain e tij, Faruk Mehmetin, një djalë i përdalë trashullak e shumë hutaq, që nëpër dhomat e hetuesisë sillej si bualli n pus, që e kishte humbur rrugën; -përpiqej ta ironizonte Ilirin me ca “shpoti” të zeza, që, disi ia qonin vrerin, shumë i vinte ndotje, nga qëndrimi i tij prej kopuku… Nuk kanë thënë kot filozofët se, “Më i mirë është një armik i mençur, sesa një mik budalla”; -por, dhe më fatkeqësi ishte, kur e kishe përballë dhe një armik të lig e budalla!

-Nga këto karakteristika pothuaj të përgjithshme, vëllazërore, puqeshin të gjithë “kapterët” shqipfolës të ish-Jugosllavisë.

Hajriz Mazhiqi, njëri nga ata qyqarë, po me ato sjellje që, mund të quhen më së miri, sjellje të mbrapshta; sepse, ishin fund e krye herë dhelpërishte e herë zagariste; sepse, ndonëse nuk e pati detyrën drejtpërdrejt të merrej me Ilirin; megjithatë, herë-herë i sillej si ujku me prenë –të përfitonte ndonjë “copë pozite, paraje apo…” me akuzat ndaj tij.

-Mirëpo, vigjilenca dhe vendosmëria ishin bërë simotrat tek Iliri, i cili e la këtë soj, “bishe të butë”, duarthatë dhe vetëm endacak.

Kishte dhe të tjerë që hidheshin e përdridheshin në atë valle djajsh, për naivët dhe frikacakët-si zakonisht, deri në fundvitet 90-ta, dukeshin të pathyeshëm, sepse, qerren e kishin lidhur pas “të fortëve”, -pas shtetit të huaj, afër 20 milionësh; por në fakt ishin të thyer po në fillim të atyre viteve kur Revolucioni Popullor, filloi, që kur, grushti i popullit të bie pamëshirë mbi ´ta! Por, ja që është në natyrën e “njerëzve” puthadorë e të gjorë, që nuk e njohin dialektikën shkencore të ndryshimeve të vërteta , si shpërblime të përpjekjeve të breznive dhe në histori.

…Dhe, këto kujtime të Ilir Malësisë, nuk mund të përfundojnë me këto radhë – sepse, shumë vite të stuhishme përjetoi ai dhe brezat radhë-radhë, për të bërë Atmëmëdheun të lirë, të përparuar dhe të ribashkuar.

Për persekutimet dhe dënimet e të rinjve; Ilirit, Fatbardhit, Kreshnikut dhe Agronit dhe të rejave, Zanës, Besës, Dritës dhe Fitores, populli i ka parë e dëgjuar, i ka përjetuar me dhimbje e krenari; ato, ishin të gjata dhe të tmerrshme, -siç janë vitet në robëri.

Uroj, të bëjmë Shqipërinë, Shqipëri, ashtu siç e deshën dhe e duan brezni të tëra atdhetarësh!

Atdhedashuria, iu ngjanë rrezeve diellore, që nuk fiken kurrë!

Tradhtia, i ngjanë muzgut të natës së pabesë, e cila fiket nga lakmitë, krimet dhe turpet!

Fund

Suedi, data, viti?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu