Përfundimisht mbyllen paralelet me mësimi në gjuhën shqipe në Podgorcë

0
830

Mbyllen paralelet me mësim në gjuhën shqipe në Podgorcë. Këtë vendim prindërve të nxënësve të Podgorcës që tre vite me radhë vijuan mësimin në gjuhën shqipe, ua ka kumtua vetë kreu i komunës Ramiz Merko, vetëm disa ditë para fillimit të vitit shkollor.

 

Siç deklaroi Fadil Ramadani- Rexhoski, njoftimi u është bërë në orët e mbrëmjes së ditës së mërkurë, me rastin e një vizite private tek njëri nga prindërit e nxënësve që kanë vijuar mësimin në gjunë shqipe. “Nuk na ka habitur fare ky vendim, për ndërprerjen definitive të mësimit në gjuhën shqipe, por, na ka habitur më shumë mënyra se si na është bërë e ditur, si  na është kumtuar. Ne nuk jemi ilegal në Podgorcë, as fëmijtë nuk i kemi ilegalisht e as mësimin nuk e kanë vijuar fëmijtë tanë ilegalisht, që edhe vendimi në të komunikohet në një mënyrë gati ilegale. Ka qënë e udhës që Këshilli i prindërve të ishte ftuar në takim dhe do të informoheshim drejtë”- tha Fadil Ramadani- Rexhoski, kryetar i Këshillit të prindërve të nxënësve që kanë vijuar tre vjet mësimet në gjuhën shqipe në Podgorcë dhe kanë ngelë pa dëftesa.

 

“Kemi përjetuar premtime, kërcënime me gjyq, manipulime, diskriminime, margjinalizime, mospërfillje, injorime nga më të ndryshmet nga autoritetet kompetente, për kërkesat tona  për zgjidhjen e problemit të nxënësve që kanë vijuar mësimin në gjuhën shqipe. Kemi pasë takim edhe me zëvëndësministrin e arsimit kun a është premtuar dhe garantuar zgjidhja e problemit, në kohën kur filluam ta bojkotojmë mësimin, por ja rezultati i atyre premtimeve është komunikata e Ministrisë së arsimit, ministrit Kralev, që na është përcjellë përmes kryetarit të komunës Ramiz Merko, për mbylljen e paraleleve në gjuihën shqipe”-tha në vazhdim Fadil Ramadani-Rexhoski

 

“Takimet e shumta me zyrtar të ndryshëm nuk kanë dhënë rezultatet e pritura, përkundër premtimeve të njëpasnjëshme. Nga kryetari i komunës na është premtuar se problemi do të zgjidhet në të mirë të nxënësve dhe prindërve të tyre. Premtime të tilla kemi pasë edhe nga ish ministri dhe zëvëndësja e tij e arsimit, Nikolla Todorov dhe Lindita Qazimi. Po të njëjtat premtime i kemi pasë edhe nga ish deputeti Tahir Hani. Së fundmi, edhe nga zëvëndësministri aktual i arsimit Safet Neziri, por nga këto premtime nuk është bërë asgjë për fëmijtë tanë”-theksoi Fadil Ramadani-Rexhoski, kryetar i Këshillit të prindërve nga Podgorca.

“Në fillim të muajit mars, të këtij viti, ne si prindër vendosëm që të mos vijojnë fëmijtë tanë mësimin në gjuhën shqipe, derisa të mos zgjidhet ky problem, respektivisht, përderisa zëvëndësministri i arsimit nuk e sjell atë vendim “famoz”  të ministrit të arsimit Kralev, për legalizimin dhe zyrtarizimin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në Podgorcë”- janë shprehur kohë më parë prindërit e nxënësve nga Podgorca, duke shprehur edhe pakënaqësinë nga nëglizhenca e autoriteteve dhe zyrtarëve të lartë qeveritar nga treva e Strugës, duke theksuar se askush nuk është interesuar për gjendjen në këtë shkollë, ku kërkesat e prindërve janë krejtësisht të natyrshme, legale, legjitime  dhe kushtetuese. Ne jemi shqiptar dhe dëshirojmë që fëmijtë tanë të mësojnë në gjuhën shqipe, që është e drejtë elementare dhe e  patjetërsueshme. Për “dyshimet se a jemi apo jo shqptar, gjatë një takimi me ish ministrin e arsimit Todorov, prindërit janë pyetur në mënyrë provokative se a janë shqiptar?  Po nga ky ish ministër është thënë dhe premtuar se do të bëhet ndryshimi i Statutit të shkollës dhe shkolla do të bëhet shkollë dygjuhësore për tu zgjidhë ky problem, por nga ana tjetër kjo nuk është bërë. Me atë rast bile ish ministri Todorov u ka thënë podgorcasve se kjo është punë e kryer dhe do të pasojë zyrtarizimi, por përsëri asgjë nga ky premtim.

Vërejtjet e shumta të podgorcasve janë adresuar vazhdimisht në drejtim të zv/ministrit të financave Nedim Ramizi, të cilit ia zënë për të madhe që vazhdimisht ka insistuar që nxënësit e Podgorcës të vazhdojnë mësimin në Llabunishtë.  Lidhur me këtë, prindërit e Podgorcës para përfundimit të vitit shkollor patën  deklaruar: “Nedim Ramizi është angazhuar që të bllokohen paralelet në Podgorcë dhe të hidhen në Llabunishtë. Ai nuk është interesuar fare për tre vjet për këto paralele dhe frigohej të vijë në Podgorcë, sepse nuk dëshiron që në Podgorcë të shef shqiptar. Mirëpo, një i besojmë Nedim Ramizit kur ka deklaruar se kryetari i komunës së Strugës, nuk mund ti mbulojë punët e pista me hapjen e paraleleve në gjuhën shqipe në Podgorcë!”- janë shprehur atëhere  podgorcasit, sepse siç ka përsëritur Fadil Ramadani-Rexhoski, :”Jemi të diskriminuar, të manipuluar, të margjinalizuar e çka jo,  nga të gjitha institucionet, duke filluar nga komuna e Strugës, kryetari Ramiz Merko, Këshilli i komunës, Ministria e arsimit, deputetët, partitë politike shqiptare, për shkak të çështjes së pazgjidhur të nxënësve tanë që tani tre vjet vijojnë mësimin në gjuhën shqipe dhe nuk kanë asnjë dëshmi, asnjë dokument valid për shkollimin e tyre. Na është premtuar se do të ndryshohet Statuti i shkollës dhe do të bëhet shkollë dygjuhësore, por kjo nuk ndodhi as sot e kësaj dite. Këtë premtim e dinë të gjithë, pra ku mbeten ato premtime. Ky është manipulim klasik, diskriminim i paparë”.

Të rikujtojmë lexuesit se historia e mësimit në gjuhën shqipe në shkollën “Goce Dellçev” në Podgorcë, ku mësimi zhvillohet edhe në gjuhën  maqedonase, ka filluar që më 2009 dhe ka kaluar nëpër disa “faza” të miratimit dhe abrogimit e shfuqizimit të vendimeve të sjellura.

 

Sipas shkresës së dërguar në selinë e administratës komunale në Strugë, nga Ministria e arsimit, të datës 28.10.2009,  nënshkruar nga sekretarja shtetërore e Ministrisë së arsimit dhe shkencës, Elizabeta Todorovska, jep “dritë jeshile”, duke shtruar edhe kushte, të cilat duhet të përmbushë autoriteti lokal-Këshilli dhe komuna e Strugës.

 

Në shkresën e Ministrisë së arsimit shkruan: “Lidhur me kërkesën tuaj nr.03-1341, datë 28.10.2009,për të dhënë mendim pozitiv për formimin e paraleles me numër më të vogël të nxënësve në shkollën fillore “Goce Dellçev” në fshatin Podgorcë, Ministria e arsimit dhe shkencës ju informon se sipas kërkesës së Këshillit të komunës, do të jape mendim pozitiv nëse: nuk nevojiten mjete plotësuese finansiare, ose, nëse komuna këto mjete plotësuese finansiare do ti sigurojë nga buxheti komunal”.

Pason miratimi nga ana e zëvëndës ministres së arsimit, Lindita Qazimi, e cila përmes shkresës nr. 10-1153/1, datë 09.03.2010, poashtu “jep dritë jeshile” paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, duke siguruar mjete nga buxheti komunal.

 

Nuk vonon shumë, vetëm 16 ditë më pas,  më datë 25.03.2010, nga kjo Ministri, sillet tjetër vendim i nënshkruar nga ministri i athershëm i arsimit, Nikolla Todorov, me nr. 10-1153/2, me të cilin shfuqizohet vendimi i zëvëndëses së tij, duke ndaluar funkcionimin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, të mbështetur në vendimin nr. 10-150/100-1 të datës 23.11.2009.

 

Në mars te vitit 2011, është zhvilluar një takim i prindërve të nxënësve që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në fshatin Podgorcë të Strugës, të cilët ishin edhe në procedurë gjyqësore për këtë çështje dhe ministrit të athershëm të arsimit dhe shkencës, Nikolla Todorov. Në këtë takim, pos ministrit Todorov, kanë qënë të pranishëm edhe zëvëndës ministreja e arsimit Lindita Qazimi, zëvëndësministri i financave Nedim Ramizi dhe deputeti Tahir Hani.

 

Lidhur me bisedimet e zhvilluara për problemin e shkollës në Podgorcë, gjatë këtij takimi në Ministrinë e arsmit, përfaqsuesi i Këshillit të prindërve Fadil Ramadani -Rexhoski asokohe  kishte deklaruar: “Takimi ishte mjaft i efektshëm sipas meje, sepse morëm një përgjigje të pëlqyeshme nga ministri Nikolla Todorov, i cili tha se nga muaji shtator, do të ndryshohet Statuti i shkollës, e cila do të bëhet dygjuhësore. Poashtu, ai pranoi të legalizohen paralelet ekzistuese, me mundësi që në të ardhmen të formohen edhe paralele tjera në gjuhën shqipe, nëse ka interes nga pjestarët shqiptar. Kjo na gëzon, të them të drejtën është befasi e këndshme. Në këtë takim me ne,  përfaqsuesit e prindërve të nxënësve që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në Podgorcë,  kanë marrë pjesë pos ministrit të arsimit Nikolla Todorov dhe zëvëndëses së tij Lindita Qazimi edhe zëvëndësministri i financave Nedim Ramizi dhe deputeti Tahir Hani”.

Nga gjithë kjo, paralelet me mësim në gjuhën shqipe në Podgorcë mbyllen dhe shuhet zhurma e nxënësve në gjuhën shqipe.

 

Strug, Mehmet Latifi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu