Përgjegjësia!

0
624

Pas mbajtjes së zgjedhjeve të fundit lokale dhe republikane kam bërë një analizë publike. Që atëherë kam ardhur në përfundim se asnjë pushtetar lokal e republikan nuk kanë mandat të vendosin për punët madhore, e sidomos për fatin e kombit.

Kjo analizë ka dal nga numri i votuesve, që ka qenë nën dyzet përqindë dhe logjika e tregon forcën e veprimit të tyre, sepse mbi gjashtëdhjetë përqind e qytetarëve nuk i përfilli fare. Kur ky dyzet përqindësh përpjesëtohet me forcat politike, qoftë në Parlament, qoftë jashtë tij, jep për të kuptuar këtë legjimitet për të cilin foli z. Jakup Krasniqi, duke anashkaluar se nga cili pozicion foli dhe ishin vota të vjedhura apo jo.

Për vjedhje votash nuk e kam ndërmend të flas, sepse këtu janë të përfshirë të gjithë subjektet, kush më shumë e kush më pak. Unë kam dëshmi për të gjithë subjektet, madje edhe për ato që nuk janë në parlament, që jo vetëm se kanë vjedhur vota për subjektin e vet, por kanë vjedhur edhe për grupe e individ të caktuar përbrenda subjektit të vet. Por kjo është kaptinë e mbyllur për mua, e duhet të jetë edhe për të tjerët, por duhet të jetë një mësim për të ardhmen, që me ndërgjegjësim të përcjellin këtë proces bukur me peshë.

Ky debat për privatizim që është hapur në Kuvend të Republikës së Kosovës është i mirëseardhur, por që duhet të analizohet edhe për diçka tjetër, atë politik, sepse nëse këta nuk kanë mandat legjitim e moral për të vendosur për çështje privatizimi, si mundtë të kenë mandat të vendosin për çështje politike. Ky debat dërgon mesazh edhe te ndërkombëtarët, se bisedat me Serbin për Kosovën janë në rrugë kryq dhe nesër pas nesër shqiptarët do të thonë fjalën e vet dhe aty ku janë cenuar të drejtat kombëtare e territoriale do të vihen para shfuqizimit të tyre.

Nëse z. Limaj ka kërkuar të krijohet një komision parlamentar për të hetuar shkelësit e rregullave të lojës dhe vjedhësit gjatë privatizimit të aseteve me peshë kombëtare e klasë punëtore, logjika e thotë që të bëhet edhe një komision për hulumtimin e shkelësve të çështjeve kombëtare në bashkëbisedim me Serbinë, që nga Vjena e deri sot, duke mos shkuar më tutje pra Rambuiles, gjatë tij dhe për të parë të vërtetën e këtij marifetllëku dhe nërskamcat që ia kanë vu popullit gjatë këtij procesi.

Kush duhet dhënë llogari për eks territore që ia kanë garantuar Serbisë përbrenda Kosovës? Kush do të jep llogari për marrjen e të drejtës së shqiptarëve ortodoks në kishat e tyre dhe ato t’i cilësojë si kulturë e trashëgimi shpirtërore të serbëve? Kush do të jep llogari për ndryshim të himnit e flamurit pa asnjë shenjë kombëtare, kur dihet se në OKB janë tre shtete me të njëjtin flamur? Kush do të jep llogari për ndarje e copëzime të komunave e fshatrave shqiptare në etni dhe dhënë benificione serbëve që nuk i kanë edhe në shtetin e vet?

Jam i vetëdijshëm se subjektet që janë në Parlament nuk e kanë të drejtën morale për të ndërmarrë veprime të tilla, sepse të gjithë i janë nënshtruar Pakos së Ahtisarit.

Për privatizim ndoshta do të formohet një komision i tillë për  hulumtim, ndoshta, sepse aty kemi taborin e përfituesve dhe mos përfituesve, taborin e ruajtësve të pushtetit dhe taborin e tentim marrjes së pushtetit. Kjo nuk do të qonte peshë nëse dikujt do t’i merret mandati i ministrit, deputetit, zëvendësministrit, zëvendëskryeministrit, qoftë edhe të Kryeministrit. Ndërsa për t’i hyrë çështjeve politike, këtu do të shkonin si garniturë, sepse të gjithë janë përfshirë në lojën e ndytë, sa siç thotë Ballzaku “as uji i gjithë botës nuk mundët për t’i pastruar” dhe demagogjitë e Isa Munstafës nuk kanë vend, se të parët janë që kanë hyrë në lojëra të pista me Serbin, madje edhe gjatë luftës çlirimtar, ndërsa AAK ishte nismëtar e bashkëbisedimeve në Vjenë. Të dy palët e dinë se loja duhet vazhduar me avazin e vjetër, deri në përmbushje të premtimeve të dhëna, ndryshe nuk kanë se si të shpjegohen trajtimet e modeleve që na vinë nga jashtë, qoftë nga periferitë e pushteteve të akëcilit shtet të perëndimit, qoftë nga analistë të jashtëm. Modelet e “Hohg Hongut, dy gjermanive, Timorit lindor, Tajvanit etj” dhe zyrtarizimi i Ban Ki Munit për trajtesë të Kosovës si problem i barabartë me Palestinën, jep shumëçka për të kuptuar dhe heshtja e lidershipit për këtë mendim të shprehur të Sekretarit të OKB, nuk do koment.

Po, mirë, në fund të fundit, nëse arrihet të pengohet ky privatizim i egër, atëherë shtohen gjasat edhe për pengim të mëtutjeshëm të bisedimeve me Serbinë, e cila duhet plotësuar disa kushte paraprake, për të cilat kam folur edhe herëve tjera. Por kryesorja është dhe kushte të domosdoshme, që Serbia ta heq nga Kushtetuta e vet çështjen e Kosovës dhe të kërkojë falje për krimet e bëra. Për këtë moment duhet të gjithë deputetet dhe analistët e strukturat qeveritare ta rrahin këtë tel dhe kushte të vetme për momentin duhet të jenë këto. Ky kusht do të siguronte edhe mbështetje të mëtejme për të normalizuar marrëdhëniet zbatimin e marrëveshjeve e bëra në Bruksel.

Ky ristrukturim i duhet deputetëve sot!

 

Prishtinë, 04.10.2012

 

Nga Afrim Morina

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu