Përgjimet në Universitet: Ç’është Twitteri? – Mos ma pyet, o presor, se Twitter s’kam

0
820

Pergjimet

Zbardhen përgjimet e pedagogëve të Universitetit të Elbasanit dhe shoferit të drejtorit të Ujësjellësit, Jani Muslli, i cili u diplomua me ndërhyrjen e shefit të tij. Pyetjet e komisionit të diplomës: Nga ndryshon Facebook­u me Twitter­in? A më ke bërë mua shok në Facebook?

Hetimet e skandalit të matësve në Ujësjellësin e Elbasanit kanë nxjerrë në pah një skemë të tërë korrupsioni në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Fillimisht hetimet nisën për tenderin 3 milionë euro, ku dyshohet se drejtori i Ujësjellësit, Altin Cenolli është përfshirë në një aferë korruptive, por nga përgjimet u zbulua edhe një rrjet që ndikonte te pedagogët e Universitetit të Elbasanit.

Sipas prokurorisë, drejtori i Ujësjellësit merrte porosi nga studentë të ndryshëm, të cilët kundrejt pagesës përfitonin nota kaluese. Si ndërmjetës ishte shtetasi Gazmend Loshi, biznesmen në qytetin e Elbasanit dhe mik i drejtorit Cenolli. Bashkë me ta në këtë aferë është përfshirë edhe shoferi i drejtorit, shtetasi Jani Muslli, i cili është arrestuar për “korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Përgjimet më të shumta janë kryer përgjatë muajit korrik, i cili është sezon provimesh në Universitetin e Elbasanit. Por bisedat e përgjuara tregojnë se provimet madje dhe diplomat në Universitetin e Elbasanit merren lehtë, mjafton të kesh bërë shok në Facebook profesorin. E njëjta gjë ka ndodhur me diplomimin e shtetasit Jani Muslli, i cili pasi kishte paguar për provimin, kishte futur ndërmjetës shtetasin Gazmend Laloshi. Ky i fundit kishte marrë përsipër të fliste me 4 nga 5 anëtarët e komisionit të diplomës, të cilët sipas përgjimeve rezultojnë “dashamirës” ndaj Musllit, i cili arrin të diplomohet.
Po nga përgjimet rezulton se njëri prej anëtarëve të komisionit të diplomës është “sjellë keq” me studentin, të cilit i ka ndërruar tezën dhe nuk e ka lejuar të kopjojë duke i thënë të futë telefonin në xhep. Por shpëtimi ka ardhur nga profesor R., i cili e ka marrë studentin dhe i ka bërë disa pyetje të tipit: Ku ndryshon Facebook nga Twitter? Po Instagrami? A e ka bërë shok profesorin në Facebook?

Studenti i është përgjigjur ‘po’ dhe kaq ka mjaftuar për të përfunduar seancën e pyetjeve me gojë duke i thënë studentit Jani Muslli që të priste notën jashtë. Pas pak çastesh ai ka mësuar se kishte marrë notë kaluese duke u diplomuar në Universitetin e Elbasanit. Pas diskutimeve me njëritjetrin, anëtarët e komisionit kanë vendosur të diplomojnë shoferin e drejtorit pasi për të kishte ndërhyrë vetë drejtori, shtetasi Altin Cenolli.

Biseda mes Jani Musllit dhe Gazmend Laloshit

Më datë 20.07.2015, ora 13.15.39, shtetasi Jani Muslli, (Besjani), përdoruesi i numrit të telefonit 0672033311, komunikon me shtetasin Gazmend Laloshi, përdoruesin e numrit te telefonit 0694573875, dhe zhvillojnë këtë bisedë:
Muslli: Hë vëlla?

Laloshi:Si dole? Muslli: Ik se më iku truri, po ik

Laloshi:Pse nuk e more?

Muslli: Po ça, më kapi me telefon ai, dil jashtë tha. Prit i tha A. se do të ndërroj tezë. Unë te teze që më mori ai, kisha shkruar se i mora nga internet. Më dha tezë tjetër, po çfarë të shkruaja?

Laloshi: Kush ishte ai, o burr?

Muslli:Ishte një rob …., një i ri. Ça ke shkruajt, më tha mua A? I thashë unë, ja këto që po shikon. Këto tek fleta tënde i kam hedhur tek kjo fleta tjetër. Po qeshte. Mirë tha, monopoli, vari leshtë, ca budallallëqe që janë të thjeshta. Tha do të vë 5, kalo nga profesor R…. Hajde tha Jani, se do të bëj ca pyetje të vështira. Ku ndryshon Facebook­u nga Instagrami? Twitti çfarë është? Këtë o presor mos më pyet se nuk kam Twitter, i thashë. Ok, Facebook ke? – më tha. Kam. Po mua më ke bërë shok? Të kam bërë bërë. Ik, mbarove­ tha profesori, – dil prit notën jashtë. /Panorama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu