
Ishin mbledhur për të festuar në një ndej të organizuar për fundvit, por disa zyrtarët e Postës dhe Telekomit të Kosovës e shfrytëzuan atë moment për të çeruar hesape duke u përleshur mes vete.
E nga përleshja fizike dikush nga zyrtarët e lartë të PTK-së e futi në punë edhe revolën, nga plumbat e të cilës mbeti i plagosur Shaban Ramaj, truproj i Kryetares së Bordit të Telekomit, Besa Shatri.
Lajmin e kanë konfirmuar për “Gazeta” burime brenda Policisë së Kosovës.
Ndërkaq edhe zyrtarisht ësht konfirmuar edhe nga raporti 24-orësh i Policisë së Kosovës, derisa bëhet e ditur se zyrtari i plagosur është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.
“Në një lokal ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri. Njësitet relevante policore kanë dal në vendin e ngjarjes. I plagosuri është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Dyshohet se deri tek plagosja ka ardhur pasi një fjalosjeje (zënke) mes disa të rinjve. I plagosuri deklaron se është lënduar aksidentalisht vet-plagosur. Policia ka konfiskuar një armë, ka intervistuar të dyshuar dhe dëshmitarë. Me aktvendim të prokurorit një i dyshuar dërgohet në mbajtje për 48 orë”, njofton Policia.