Përmendore tjera u vendosën në Shkup, reagon BDI dhe “ZGJOHU!”

0
838

shkupi 2014

Në Shkup sot me shpejtësi janë vendosur në bazamente të ngritura pesë përmendore tjera të heronjëve maqedonas. (Foto)

Bëhet fjalë për përmendoret e Petre Toshev dhe Andov Lazov Janev, njëra prej të cilave është ngritur përballë përmendores së heroit shqiptar Hasan Prishtina në afërsi të qendrës tregtare ‘Mavrovasja’.

Përmendoret e tjera janë të Nikola Petrov Rusinski e vendosur tek bulevardi “Filipi II” , Gjorgji Sugarevit afëri universitetit “Shën  Kirili dhe Metodi” si dhe përmendorja e Mihajlo Apostolski e vendosur tek rreth-rrotullimi afër hotel “Kontinental”

Përveç kësaj si pjesë e projektit “Shkupi 2014” do të vendoset edhe një numër i madh skulpturash do të jenë përreth lumit pranë Ministrisë së Jashtme.

Bëhet fjalë për figurat historike maqedonase, sllave dhe serbe si Partenija Zografski, Kiril Pejcinoviq, Hristofer Zhefaroviq, por edhe figura me origjinë shqiptare, e përvetësuar nga sllavomaqedonasit Joakim Krçovski.

Në kuadër të këtij projekti që pritet të arrijë në rreth 1 miliardë euro, muajin e kaluar është sanuar dhe rikthyer në gjendjen normale edhe përmendorja e Car Dushanit. Ajo është sanuar, pas dëmeve që u shkaktuan nga tentimet për heqjen e saj.

Derisa po vazhdon vendosja e këtyre përmendoreve, akoma nuk ka asnjë lëvizje rreth vendosjes së tri përmendoreve të personaliteteve historike shqiptare. Komuna Qendër dhe Qyteti i Shkupit vazhdojnë të hedhin përgjegjësinë ndaj njëra tjetrës për këto përmendore.

Në muajin gusht 2012, Komuna Qendër kishte paralajmëruar se përmendoret e Nexhat Agollit, Josif Bagerit dhe të Pjetër Bogdanit do të vendoseshin deri në fund të atij viti, por ato deri tani nuk duken askund. Ky premtim ishte dhënë edhe nga partia shqiptare në pushtet BDI, e cila është pjesë edhe e pushtetit në Qytetin e Shkupit. (INA)

BDI dhe Lëvizja “ZGJOHU!” sot kanë reaguar lidhur me vendosjen e përmendoreve të reja sot në pjesën e banuar kryesisht me shqiptarë në Shkup.

“Qëndrimi i BDI për projektin kontravers Shkupi 2014 është konsekuent dhe mbetet i pandryshueshëm. Ky proekt nuk pasqyron realitetin e shoqërisë në Maqedoni dhe paraqet një pasqyrë inekzistuese monoetnike dhe monofetare të vendit.  Në vitin 2007, proekti kontraverz, monoetnik dhe monofetar Shkupi 2014, u miratua nga Ministrat e PDSHsë të cilët qeverisnin me vendin pa votat e shqiptarëve dhe nëpërmjet të uzurpimit të institucioneve shtetërore.

Në seancën e Këshillit të Qytetit të Shkupit në muajin qershor, pika e 15 e rendit të ditës ishte miratimi i vendimit për vendosjen e 5 përmendoreve.  Ky vendim kalohet me shumicë të dyfishtë dhe këshilltarët shqiptar lehtësisht mund ta rrëzonin nga rendi i ditës. Por, këshilltarët e PDSHsë të cilët qëndruan në mbledhje deri në pikën e 14 të rendit të ditës, çuditërisht u tërhoqën nga mbledhja para votimit të pikës së 15 (përmendoret) dhe në këtë mënyrë e mundësuan miratimin e këtij vendimi, për të cilin këshilltarët e BDI votuan kundër”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas BDI-së, në mbledhjen e lartëpërmendur, gjer në pikën e 14 të rendit të ditës kanë qenë prezent 4 këshilltar nga BDI dhe 2 nga PDSH që mjaftonte për ta ndaluar miratimin e kësaj pike nga rendi i ditës sepse edhe këshilltarja e LSDM votoi kundër. Por, për fat të keq të Shkupjanëve dhe shqiptarëve në përgjithësi, PDSH kishte marrëveshje paraprake për ta përkrahur vendosjen e 5 përmendoreve të reja, njejtë sikur që e përkrahi edhe proektin Shkupi 2014.

Edhe  Lëvizja Qytetare ZGJOHU! reagoi siç thotë ashpër ndaj vendosjes së pesë përmendoreve të reja në Shkup për të cilat nuk dihet as sa kanë kushtuar, as kush i ka porositur e as kush i ka paguar.
“Po vendosen përmendore të reja gjersa rrugët e Shkupit po vërshohen çdo ditë nga shiu më i vogël, gjersa kanalizimi mungon në gati se të gjitha lagjet e kryeqytetit, ndërsa rrugët, ndriçimi, parqet, spitalet, shkollat janë në mjerim. Kur do të tejkalohet kjo krizë e identitetit? Edhe sa përmendore ju duhen që të ndjeheni ashtu si ju mendoni që duhet të ndjeheni?

Shkupi po shëndërohet në qytet ku përmendoret kanë prioritet para qytetarëve të cilët jetojnë në këtë qytet dhe kontribuojnë nëpërmjet të taksave në mbarëvajtjen e qytetit. Për qeverinë, përmendoret në Shkup janë më të rëndësishme se Shkupjanët. Edhepse kjo politikë e përmendoreve dështoi në zgjedhjet lokale sepse qytetarët votuan kundër, Qeveria vepron kundër dëshirave dhe pritjeve të Shkupjanëve duke ju imponuar vlerat joekzistuese që qytetarët nuk i pranojnë”, reagon “ZGJOHU!”. (INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu