Përmendorja e Adem Jasharit në Prishtinë

0
451

Ngritja e hijeve, ruajuni hijeve…!

Hijet e akorduara filluan të shpërfaqeshin me një llogaritje të orës së mesnatës me një matje të kohës së dyshimit nëpër padukshmërinë e mjegullës, sikur me këto shpërfaqje të hijeve u trand bota e plisbardhëve nga hijet e ngritura dhe habitshëm pyesin se: kujt po i shërbejnë këto hije…?

Këto pyetje datuan që nga koha e dëshirës së dritësimit në hapësirën e tokës së plisbardhëve, sikur erdhi kjo kohë e pritur, jo nga këta që duan hije, por nga ata që deshtën dritë, rrezet e diellit të binin mbi hapësirën e tokës së shqiponjave.  Pa dashje kundër asaj dëshire të flaktë lindi politika… sikur edhe u shndërrua në engjëll, e shtrihet si zonjë e të gjitha veprimeve politike, mbase edhe i takon të jetë e tillë, por jo me skenime, për hije e kundër dritësimit të dëshiruar, por për një politikë që është e arsyeshme e nuk cenon të drejtën kombëtare e atë historike.

Kjo formë e deformimit nga ana e skenarëve të qëllimtë, apo aktorëve të fshehur pas perdes së skenës nuk i kontribuon gjithësisë, as përhapjes së dritësimit të shumëpritur, mbase as nuk është akt patriotik e kombëtar, as njerëzore e demokratike, kjo që po ndodhë me ngritjen e hijeve është më tepër në zonën e prushit, për të përfituar ata që kanë humbur edhe dy gishta fytyrë. Po nëse ne pretendojmë të jemi në boshtin e botës demokratike, së pari duhet përligjur drejtësinë dhe ta rreshtojmë në analet historike si i takon realisht shtetit tonë shqiptar, Shqipërisë Etnike. Mbase vetëm me këtë të drejtë të ligjshëm arrihet vlera e një kombit, apo shtetit të civilizuar dhe mu për këtë të vendosur duhet ta luftojmë të keqën, sidomos kundër atyre që për interesa të politikës ditore synojnë ta falsifikojnë, apo ta shtrembojnë  tërë një historisë edhe duke ngritur hije. Logjikshëm duhet të vetëdijesohemi në atë se sa peshon hija përball rrezeve, sidomos ajo hije e pështjellur në mjegull.

Hijet parë: Hijet po ngritën, nuk ka rëndësi në që kohë, me shi, apo diell, në errësirë apo me mjegull, këto po ngritën në përqeshjen e kohës, e më këtë përqeshje po injorohen dhe po u lëkunden eshtrat e atdhetarëve të ndërgjegjes kombëtare, të Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Azem Bejtes dhe shumë të tjerëve.

Hija e dytë e zvarritur e shtrirë e humbur nëpër mjegull, e rraskapitur që edhe jeton me frikë se sa do të rrojë në Prishtinë? Kjo hije erdhi në saje të politikës nga vet ata që dje e patën lënë vetëm në gjysmë të rrugës, të humbur diku në rrugët e Evropës si kërkues azili. Sikur turbulencat po e habisin ndërgjegjen e kombit dhe më këtë po i trazojnë eshtrat e të rënëve, të Ademit, Zahirit, Fehmiut etj, mbase edhe po trazohet një histori që nuk është e largët, po ende e freskët në memorien e çdo shqiptari që kërkon të ngrohet në rrezet e diellit.

Hija e tretë që do të vije e heshtur në Gjakovën që të lë përshtypje se  kjo më tepër i përket politikës ditore se sa ndërgjegjes kombëtare dhe me ngritjen e kësaj hije po shpaloset një dhimbje e madhe, dhimbja e Tivarit.

Nuk është e rastësishme që nesër të ngritët edhe ndonjë hije tjetër, e llojit të tyre, që të bashkohen në një hije të vetme, e të bashkuar të na tmerrojnë, dhe me këto tmerrime të pajtohemi me atë se e shkuara e harruara. Ndonëse, nga këto hije do të përfitojnë shokët, bashkëpunëtorët…, ku edhe do të ndihen më të sigurt dhe më të përviligjuar gjatë rrugëtimit nëpër mjegull deri te lëshimi i rrezeve në sipërfaqen e tërësisë së tokave të shqiponjës dhe krenarisë së gjakut të martirëve të kombit.

E shkuara e harruar, thotë populli, kurse realja po zë vend e po pluhuroset nga ata që duan dokumente të falsifikuar, historinë ta shkruajnë sipas dëshirës dhe fuqisë së tyre duke e tejkaluar historinë reale. Kjo ngritje hijesh ndodhë vetëm te ne, plisëbardhët. Ndodhë edhe kjo çudi deri në përkulje të gishtat e këmbëve të atyre që u thamë se kush ishin…, duke harruar se hijet janë dhe do të mbetën hije, e ata që vrapojnë për ngritje e tyre do të ndihen komod, sidomos shokët dhe besnikët e këtyre hijeve të ngritura dhe s’do mend se nesër apo ndonjë të ardhme  të afërm do të publikohen edhe albumet e tyre me foto të shokëve dhe bashkëpunëtorëve të këtyre hijeve, shtrohet pyetja se “Kush fshihej pas palltos…”? Pa u lodhur fare do të mësojmë se kush janë ata… Të zëshmit që kërkojnë ngritjen e hijes dhe mbledhjen e fotove për interesat e tyre politike, e pas përfundimit të këtij qëllime t’i rrahin krahët duke thënë se kush jam unë shikoje albumin, se në cilin krahë kam qenë, duke shtuar atë se edhe unë e kam pasur shok, kam vepruar me të, apo kushedi çka tjetër.

Mendoi se nuk është koha për këto lojëra të frikshme, e aq më keq kur populli shqiptar po përjeton krizën e mos përcaktimit të saj si duhet dhe si i takon të jetë në bazë të vullnetit dhe aktit moral të popullit pa imponime të politikës diskriminues, qoftë e pushtuesit Serbo, Maqedono,Greke e Malezeze, apo ajo Evropiane që nuk po e rishikon të kaluarën e saj të gabuar mbi fatin e çështjes shqiptare.

Ne nuk duhet të lejojmë si popull që historinë t’na e bëjnë paçavure ata që i kontribuuan të së keqes. Ata që djemtë e lirisë na i quajtën me lloj-lloj epitete të ndyra; Ata që nuk e deshën kurrë Republikën e Kosovës, e as ndarjen nga Serbia, apo ish Jugosllavia e Titos, Ata që as sot nuk e duan bashkimin me Shqipërinë, e as nuk e deshën UÇK-në. E për fat të keq të tillë kemi kudo nëpër organet gjegjës politike, mbase edhe në struktura të larta partiake, apo edhe ato shtetërore etj.

Te ne, shqiptarët, duhet të mbizotëroi arsyeja dhe historinë ta shkruajnë historianët dhe jo politikanët. E në anën tjetër,  me ngritjen e hijeve, është më tepër pezëm në popull se sa një nderim e çuarje përpara interesin e kombit.

Të heqim dorë nga kjo ligësi e dhunshme, e t’i lëmë kohë e mundësi profesionistëve-historianëve ta vlerësojnë dhe ta shkruajnë historinë ashtu si duhet dhe e meriton, pavarësisht me të mirat dhe të këqijat e saj që ka mundur të ndodhë gjatë periudhave kohore deri me sot. Ne të jemi të sinqertë, e me krenari t’i nderojmë bijtë e lirisë dhe jo t’i injorojmë me ngritjen e hijeve.

Sot në ditët e marsit, në zjarret e flakadanësh që pas pesëmbëdhjetë vite ende heroi, legjenda e kombit, Adem Jashari, nuk ka vend në kryeqytetin e Prishtinës. Figura e ndritshme që me të u kthye mbar tërë një histori, shpresë për rrezatimin e kombit, që me të morëm emrin e vërtet të kombit, të një popullit liridashës e heroik, që me këtë rreze lëshimi në hapësirën e tokës së shqiponjave na njehë bota. Pa këtë rrezatim të kësaj legjende do të ishim atje ku dëshironin hijet e zeza. Sot sikur për hije ka vende e për heronjtë e kombit mungojnë sheshet.

Për këtë duhet njëherë e për mot të kuptojmë se hijet nuk na sjellin askund, me to vetëm sa dalim qesharak para botës së civilizuar e demokratike. Ky veprim me prapavija politike denigruese të disa politikanëve-titist, apo të disa përulësve të tyre na bënë të ndihemi më qesharak para botës së civilizuar.

Duhet të kemi kujdes nga hijet!

Në fund pyes lexuesin e nderuar se Prishtina jonë Heroike a e ka merituar tërë këtë injorancë që birin e tij të madh e të pashembullt në tërë historinë  kombëtare të mos e ketë në Lapidar? A nuk është injorancë që edhe pas 15 vite kryeheroi ynë, Legjenda e Kombit, Adem Jashari të mos e ketë Përmendoren mu në sheshin e Prishtinës?

Unë e përfundoi këtë shkrim me pezmin se politika ditore po luan me gjakun e dëshmorëve, me fatin e Kombit, Shqipërisë Etnike.

Ne, si popull, nuk duhet të hidhem në ujëra të turbullta të disa politikave ditore që për interesat e tyre të ngushta lozin me gjakun e dëshmorëve të kombit, sikur vetë këta politikanë po na i zgjedhin se kush po e merituaka apo jo. Për ne dëshmorët janë dëshmorë, rrezet e kombit dhe për ta vetëm përkulje dhe jo fyerje.

Legjenda e kombit, Adem Jashari, në Prishtinë është nder i kombit dhe thyerja e mitit për pushtuesin dhe botën e çoroditur, që ka ngritur krye kundër UÇK, që kundër saj po angazhohet të ngit edhe një gjykatë ndërkombëtare për ta dënuar dhe zhvlerësuar luftën e shenjtë të saj. UÇK-ja ishte dhe do të mbetet në historinë e lavdishme të popullit shqiptar si ushtri që na e solli lirin dhe jem kundër djajve, shtrigave të liga që marrin sulëm kundër UÇK-së.

Si përgjigje e këtyre sulmeve ndaj UÇK-së është përgjigjja më e sakt…: Përmendorja e Adem Jasharit në Prishtinë!

 

Shkruan: Mustafë Krasniqi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu