Përplasja mes etnive në Maqedoni

0
574

Ata janë shtetas maqedonas, por fëmijët e vegjël dinë pak maqedonisht, bashkëjetojnë si dy etni por në fakt shkollën e bëjnë të ndarë me turne, veçmas klasat shqiptare veçmas ato maqedonase, ka të punësuar shqiptarë në administratë por s’kanë zyra, janë shtetformues, por s’kanë fuqi të përfitojnë beneficet që u takojnë me kushtetutë… Jemi në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë, pas rrahjes e protestave të shqiptarëve kundra dhunës, e lufta për territore mes tyre e shqiptarëve duket se do vazhdoj gjatë.

Indiferencë e politikë…

Është e mërkurë 6 mars, e në orën 8 mbërrijmë në Qafë Thanë, kufirin me Maqedoninë. Me të kaluar anën tonë, pyesim policin maqedonas çfarë kishte ndodhur mes dy etnive e nëse situata është e qetë. “Krejt normale, s’ka asnjë problem”, thotë ai. Struga është qyteti i parë e vetëm 10 minuta larg nga kufiri. Duket si ora 5 e mëngjesit. Asnjë dyqan hapur e rrugëve ndonjë kalimtar i rrallë. Ndalojmë në lokalin e parë e nisim bisedën me dy djemtë që punojnë aty. “Jo ne s’kemi asnjë problem, qetë është gjendja, jemi mirë… eh ato janë probleme të vogla”, na thonë djemtë ndërkaq që lajmet na kishin treguar të kundërtën. Dita, është e para grua që hasim në rrugë. Ajo punon në privat ndaj i duhet të dali herët, herët krahasuar me orarin e administratës ku puna nis në 8.30. “Situatën e acarojnë politikanët shqiptar. Ata të PDSH-së, po e çojnë problemin keq. Kanë hallin e zgjedhjeve që mbahen tani më 24 mars. Janë në opozitë e duan karriget e komunave, ndaj nxisin edhe shqiptarët për të bërë rrëmuja. Menduh Thaçit i interesojnë rrëmujat se BDI është në pushtet. Po kot e ka. Këtu në Strugë prapë BDI do e marri komunën. Kemi një djalë të mirë, Arben Labënishti. E ka bërë shkollën te ju, në Tiranë, për mjekësi…”, tregon Dita ndërsa shton se në Strugë është qetësi e s’ka probleme.

Hutimi

Rruga për në Shkup është e lodhshme deri në Gostivar aty ku nis autostrada, sepse ka kthesa pafund e borë në anët e maleve ku dielli s’hyn dot, megjithatë syri të sheh vetëm natyrë. Ndërtime buzë kësaj rruge nacionale s’ka, madje edhe karburantet janë tejet të rralla. Fshatrat shqiptarë dhe ata maqedonas kuptohen lehtësisht, sepse buzë rrugës varen flamujt e secilës etni. Nga Struga në Shkup, zona dominohet nga shqiptarët, qytete të cilat janë ngritur rrëzë vargmalit të Sharrit në pjesën perëndimore të Maqedonisë, terren kryesisht malor e me pak mundësi zhvillimi. Festa e 100 vjetorit të Pavarësisë ka lënë gjurmë në këtë pjesë të vendit fqinj. Në komunën e Zajazit, anës rrugës, është ngritur një përmendore me simbolin e shqiponjës,e të tilla ka shumë përgjatë zonave të banuara nga shqiptarët. Komuna Saraj është në hyrje të qytetit të Shkupit, e nga informacioni i mbledhur paraprakisht, dinim se një pjesë e shqiptarëve të rrahur ishin nga kjo zonë. Futemi në fshatin e Nënë Terezës, për të pyetur qytetarët mbi situatën por ata na thonë se nuk kanë pasur përplasje me maqedonasit sepse zona dominohet nga shqiptarët e ata i frikësohen kësaj. “Janë rrah në qendër të Shkupit. Këtu ata nuk guxojnë”, thotë Ditmiri një djalë i ri që punon në një lavash makinash. Ndalesën tonë, të parën brenda Shkupit, kishim përcaktuar Ambasadën Shqiptare, një bisedë me ambasadorin. E dinim që ishte diku pranë kalasë së Shkupit e ishim shumë pranë saj, por e humbëm fillin e tabelave orientuese dhe jo pa qëllim ndaluam pranë një polici maqedonas për ta pyetur. Jo vetëm na e tregoi me shumë mirësjellje rrugën që duhet të merrnim për në ambasadën tonë atje, por na lejoi të futeshim dhe në një rrugë fare të shkurtër e cila ishte kundravajtje që të mos ngatërroheshim më duke i rënë vërdallë. Ambasada Shqiptare ndodhej në bllokun e selive diplomatike, pranë asaj turke, kosovare e amerikane. Ndalojmë të pyesim dy djem për situatën e përgjigjja e tyre na hutoi edhe më shumë; “Jo moj nuk ka asnjë problem. Ishte si një fllad ere e gjithë ajo çka ndodhi”. Mbetemi ngushtë e duket sikur e gjithë ajo rrugë na shkoi kot sepse sipas njerëzve që takuam deri më tani, çdo gjë është në rregull, ndërsa ne kishim parë në lajme gra e fëmijë që rriheshin, bomba lotsjellëse e maqedonas të egërsuar me shkopinj në duar drejtuar shqiptarëve. “Kanë frikë të flasin sepse këtu funksionon shërbimi sekret më keq se një herë e një kohë. Po i pyetën të huajit e kjo vërehet nga inspektorët, ata i marrin në pyetje”, na thotë një polic roje aty pranë. Ambasadori shqiptar në Maqedoni, Arben Çejku na pret në zyrën e tij ndërsa e gjejmë duke parë shkresat e korrespondencat e ditës. Si ish-gazetar na orienton se ku duhet të fokusohemi ndërsa si diplomat na thotë që; Po ndjekim me vëmendje të veçantë situatën si dhe procesin zgjedhor duke mbajtur komunikim të vazhdueshëm me institucionet e shtetit dhe krerët e partive politike shqiptare.

Çairi dhe lali

Ambasada ndodhet në komunën e Çairit zonë e cila dominohet nga shqiptarët. Për të qenë më të qetë kërkojmë leje ta lëmë makinën tonë në parkimin e jashtëm të selisë diplomatike ndërsa marrim rrugën përposhtë, për Bit Pazar e Çarshi. Super popullim i rrugëve të shtruara me kalldrëm. Burra që hanë byrekë apo gjevrek e pinë çaj nane, gra të mbuluara që shesin rroba turke e kineze në treg, e kënga e preferuar që dëgjohet hap pas hapi; “Të ka lali shpirt, të ka lali xhan”… Komuna Çair sipas regjistrimit të vitit 2002 është 64.773 banorë apo 3.2 % të popullatës së përgjithshme në Republikën e Maqedonisë. Duke marrë parasysh se territori i Komunës është 3.52 km² del se Komuna ka një dendësi shumë të madhe të popullatës (ndoshta më të madhe në Evropë) gjegjësisht 18.400 banorë në një kilometër katrorë. (Iu referuam regjistrimit të vitit 2002 sepse numërimi i ri i bërë në 2011 dështoi). Forma administrative i ngjan një oktapodi, që për vite është coptuar e ngushtuar, ndërsa jo pa qëllim shqiptarët janë spostuar e i kanë lokalizuar aty. Për të pirë një birrë në lagjen shqiptare nuk është e lehtë. Lokalet servirin çaj sepse si myslimanë që janë nuk ua lejon feja alkoolin. I vetmi lokal ku mund të gjesh një kategori tjetër qytetarësh, ata më të arsimuar e më të përparuar është “Spinof”.

Nën rrogoz

Besiana ka mbaruar Universitetin në Tiranë e që nga paraqitja duket ndryshe nga shumica e femrave të Çairit. Kur e pyesim nëse ka frikë nga situata e krijuar në vendin e saj na thotë; Po kam shumë frikë. Ju s’e dini se si precipitoi dhuna të premten e të shtunën, në të qindin e sekondës. Unë e kam shtëpinë këtu pas monumentit të Skënderbeut e sapo dilja nga shtëpia kur maqedonasit nisnin të rrihnin gratë e fëmijët, çfarë u dilte përpara, ndërsa policia i shtynte qëllimisht nga ana jonë. Besiana na tregon se protesta e të shtunës që shkoi (2 mars) u zhvillua vetëm në pjesën shqiptare megjithatë, sërish përfundoi në dhunë. “Kishim frikë mos na hynin nëpër shtëpi, aq keq u bë situata, ndaj ju sugjeroj të mos kaloni nga pjesa maqedonase e Shkupit se po t’ju dëgjojnë shqip mund t’ju rrahin”-përfundon ajo. Azemi një mesoburrë na tregon se kishte mbetur pa fjalë kur e bija 10 vjeçe e frikësuar nga ajo që pa, e kishte pyetur nëse do të kishte luftë. Bisedat tona u dëgjuan edhe nga kamerieri i lokalit, i cili na ftoi të prisnim atë deri në orën 18.00 kur mbaronte turnin që të na shoqëronte në zonën maqedonase, për çështje sigurie, por puna s’pret.

Qendra Shkupit

Sheshi qendror është kthyer në një kantier ndërtimi. Nga ana shqiptare busti i Skënderbeut, ndërsa nga ajo maqedonase monumente mbi 20 metra të lartë, mbi kuaj, me shpata në duar, disa figura alegorike që duket se janë vënë aty për ti shtuar krenarinë maqedonasve. I vetmi që njohim është monumenti i Aleksandërit të madh… Monumenti nga monumenti është vetëm 10 hapa larg dhe e gjithë kjo përpjekje na duket se po i merr frymën qendrës. Ne sigurisht që flasim shqip me njëri-tjetrin, ndërsa komentojmë ndryshimet e bëra në qendër të kryeqytetit të Maqedonisë. Takojmë disa maqedonas të cilët kanë marrë me qira disa shtëpiza druri në qendër e shesin suvenire. I pyesim për situatën dhe ata më shumë se sa sherrin me shqiptarët e kanë hallin te kriza ekonomike. “Këtu në Maqedoni investimet e huaja janë të pakta, plus që edhe ekonomia vendase ka rënë. Administrata është shumë e fryrë, pagat janë të ulëta e siç po e shihni çmimet janë rritur shumë. Ky është halli ynë i madh, plus që edhe shqiptarët kanë ndikuar në gjithë këtë situatë sepse kanë marrë punët që dikur na përkisnin ne”, thotë Branko, të cilit i shkëlqejnë sytë nga inati kur thotë fjalinë e fundit. Në fakt dikur maqedonasit kanë pasur gjithçka, por me nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit, shqiptarët si shumicë e konsiderueshme e popullsisë fituan të drejtën e të qenurit shtetformues. Në censusin e vitit 2002 shqiptarët rezultojnë 25 për qind ndërsa maqedonasit 64 për qind, pjesën tjetër e zënë etnitë e tjera, turq, romë, serb, boshnjakë… Në sitet e internetit shkruhet se shqiptarët zënë 33 për qind të popullsisë, por sipas tyre janë rreth 36 për qind sepse nataliteti i shqiptarëve është shumë i lartë, plus që po sipas shqiptarëve, në regjistrimin e vitit 2002 nuk janë shënuar fëmijët. Futemi në qendrën tregtare “Ramstore”. Shitësit janë përgjithësisht maqedonas. Ka shumë lëvizje dhe ndërsa ne vazhdojmë të provokojmë me shqipen tonë, ato s’e vënë ujin në zjarr, kanë hall të shesin ndonjë produkt e të çojnë para në shtëpi.

Frika

Konfliktet në Maqedoni mes shqiptarëve e maqedonasve, përveç etnike duket se janë edhe fetare. Ne myslimanë dhe ata ortodoks. Ky hendek duket se është shkaktari kryesor i frikës që ndjehet përqark, sidomos edhe pas sulmeve të fundit ku të rinj maqedonas sulmonin gra të mbuluara. Këtë të premte, me 15 mars, Bashkësia Islame ka njoftuar zhvillimin e një proteste për një xhami që ka qenë pronë e tyre ndërsa në vend të saj do ngrihet një hotel. “Jemi të frikësuar se nuk i dihet. Ata e urrejnë fenë tonë e kemi shqetësim se mos nisin prapë dhunën kundrejt nesh”, thotë një Vera një grua që e takojmë në një market pranë qendrës. Frikën shpesh e mohojnë, por kjo grua na thotë të pyesim shoferët e autobusëve. “Që prej një jave pas orës 7 të mbrëmjes nuk ka më femra që hipin në urbane. Kanë frikë se i sulmojnë, i rrahin”, thotë njëri prej tyre. E autobusët interurbanë jo rrallë janë bërë pre e sulmeve nga të rinj maqedonas. Ka rënë mbrëmja e na duhet të largohemi nga Shkupi në drejtim të Ohrit ku do kalojmë natën. Pas rreth 2.30 minuta jemi në qytetin buzë liqenit ku shqiptarët janë në minoritet krahasuar me popullsinë maqedonase. Nadica është mikpritësja jonë. Sa herë na bie rruga në Ohër ndalojmë në vilën e saj, në Ohrin e vjetër, ndaj jemi bërë miq. Ajo na shpjegon se në Ohër nuk kanë probleme të tilla, dhune apo mllefesh. Sipas saj qytetarët në qytetin e vogël diskutojnë më shumë për zgjedhjet. Shqiptarët në këtë zonë kanë vetëm këshilltarë komunal.

BDI apo PDSH?

Bisedat më të shumta që hasim gjithkund nëpër çajtore, janë ato politike dhe pyetja që ne na vjen spontanisht është BDI apo PDSH… Kaq mjafton për të nisur analizat e tyre të gjata mbi zgjedhjet që mbahen në 24 mars 2012 e partitë. Në Strugë shumica konsideron fitues kandidatin e BDI-së Arben Labënishti. Sipas tyre edhe Zijadin Sela i PDSH-së është burrë i mirë por ka zgjedhur partinë e gabuar. Tetova është qendra e partive shqiptare, aty ku gara bëhet edhe më e fortë. PDSH ka nxjerrë si kandidat, kryetarin aktual Sadi Bexheti, ndërsa BDI, Teuta Arifin, ish-zëvendëskryeministre. Një pjesë ndjehen të lodhur nga drejtimi aktual sepse sipas tyre Tetova s’ka bërë asnjë hap drejt zhvillimit, ndërsa të tjerë, më pak në numër, mendojnë se qyteti i tyre është zhvilluar në krahasim me vite më parë. Në Shkup, në Çair kandidat i fortë duket Izet Mexhiti, sepse atë përmendin më shumë qytetarët, ndërsa dy kandidatët e tjerë shqiptarë për bashkinë e madhe, Artan Grubi e Bekim Fazliu nuk kanë shanse të mëdha për të qenë fitues. Duke qenë se partitë shqiptare kanë si qëllim mbrojtjen e interesave të popullit të tyre, i pyesim pse janë tre parti BDI, PDSH e RDK, ndërsa të mbledhur në një do ishin më të fuqishëm karshi maqedonasve, e në këtë moment plas lufta e sharjeve. Ata s’duan një bashkim partish, po duan një parti, atë të Ali Ahmetit. Largohemi nga Maqedonia me kokën pas, në pritje të rrëmujave të radhës që mund të plasin këtë javë, në fund të muajit por edhe më pas, mes luftës së vazhdueshme të maqedonasve që kanë pasigurinë se po vazhdojnë të humbin terren dhe shqiptarëve që janë të etur për ti fituar ato. Kjo është Maqedonia, vullkani aktiv i Ballkanit që zien nën vete.

 

Reportazh nga Rezarta Delisula/ Gazeta Shqiptare

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu