Përqahet LDK-ja: Kërkohet largimi i Mustafës

0
922

Nga Podujeva, i njohur si bastion tradicional i LDK-së, vijnë zëra që kërkojnë largimin nga udhëheqja e partisë të kryetarit Isa Mustafa. Forumi Rinor në këtë qytezë ka kërkuar që Mustafa të largohet nga timoni i drejtimit të partisë.

“Lëvizjet e fundit në LDK nga ana e kreut të saj Isa Mustafa janë veprime të rrezikshme dhe dëmtuese për subjektin që i takojmë dhe me këto veprime gjendja e krijuar në LDK sa vjen e rëndohet më tej. Kuvendi i punës nuk ishte veçse ngjarje për të realizuar eliminimin nga Këshilli të disa veprimtarëve e figurave të partisë, që nuk i shkojnë përshtati Isa Mustafës dhe klientelës së tij”, thuhet në komunikatën e kësaj dege.

“Pas largimit të disa prej figurave kyçe të partisë, në emër të ndryshimeve në Këshillin e Përgjithshëm u emëruan njerëz servil, të dështuar profesionalisht dhe deri dje edhe anëtarë apo kundërshtar të LDK-së, në emër të shtimit të anëtarëve të moshës së re”, thuhet në komunikatë.

Dega e Forumit Rinor të LDK-së “kërkon nga Isa Mustafa që të shprehë sa më parë gatishmërinë për t’u larguar nga udhëheqja e partisë, në mënyrë që sa nuk është bërë vonë t’i krijohet hapësirë antarësisë së LDK-së që të zgjedhë një lidership çfarë i duhet LDK-së”.

Sipas portalit Indeksonline, kryetar i nderit i LDK-së, Fatmir Sejdiu, ka një mbështetje të fortë në Llap, kurse kryetari aktual i Podujevës, Agim Veliu është përkrahës i krahut të Sejdiut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu