Përzënia e Përbindëshit

0
829

Vet titulli “përzënia e përbindëshit” t’i trazon kujtimet dhe ato sikur të vijnë vërdallë kujtimesh të papritura të një kohe, të një kohe e cila kishte prodhuar gjenocid, dhimbje, lotë, e derdhje gjaku. Pa dashje ta emocionoi lexuesin, do të doja ta veçoja një tablo të nëntorit 1989-së, kohë kur trazirat kishin mbuluar tokën e Dardanisë, dhuna ishte përpjesëtuar me dhjetëfishin e saj.  Kohë që çdo gjë që ishte njerëzore prishej nga dhunuesit, nga  një racë njerëzore, që nuk dihej saksish nga e ka origjinën, ca thonë ardhja e tyre është zbritur nga Karpatet, ca tjerë  shkojnë edhe më lart. Thjesht kjo racë ishte ajo që e trazonte këtë pjesë të botës, e veçanërisht tokën e Dardanisë, racë që dikur kishte pas ngritur çadra Jevgjish  në tokën Ilire, dhe me mjeshtrin dhelparake u bë pjesë e përfitimit të dhunshëm të një pjese të tokës Ilire, e që nga atëherë në saje të gabimit të pasardhësve tanë, Ilirëve, ky përbindësh mori toruan deri më sot.

Koha po lodhej, përbindëshi me etjen e tij famëkeqe filloi shkarravitjen që atëherë kur mori fuqi huazimi dhe shtriu dhunën mbi njërin nga fiset Ilire, në atë të Dardanisë dhe më pas filloi luftën në pjesën tjetër të Ballkanit, si në Kroaci, Bosnje dhe më parë në Slloveni. Këto skena tmerri vërtet ishin të tmerrshme, ku njeriu i sotëm as që do të kishte menduar se ndonjëherë do të ketë pasur kësi lloj gjenocid, ndoshta vetëm në kohën e inkuizicionit. Kjo racë jo tani që ishte  dëshmuar si racë kanibaliste, racë antinjerëzore, por mbi të gjitha i kishte dhënë vetës si pikësynim primar pushtimin, të pushtoi popuj tjerë, mbase këtij qëllimi nuk ia arrit, humbi luftën në Kroaci dhe pas shumë terrorit të bërë në Bosnje, e  kujtoi se si televizori jepte skena më të rrëqethshme mbi myslimanët e Bosnjës, masakrat mbi fëmijë, gra, burra pleq, por fundja e humbi edhe këtë luftë; Humbësi pas të gjitha këtyre humbjeve u egërsuar dhe vendosi që me çdo kusht ta mbante të pushtuar tokën dardane. Këtij shfrenimi antinjerëzor me gjoks hapur i doli rinia shqiptare, si dikur bajlozit të zi, Gjergj Elez Alia. Jo qe besa i kish pas thënë, kurrë këtë tokë s’do ta pushtosh derisa një pikë gjaku i dardanit të mbetej, me këtë qëndrim djemtë ndërtuan idealin e vendosmërisë kundër këtij përbindëshi, djem të veçuar, e pse mos të themi djemtë që kishin ndërtuar idealet nga bacë Ademi, Metush Krasniqi, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, e shumë të tjerë.

Viti 1989 ishte vit i përcaktimit të një rruge të pa kthim, tashmë çdo gjë shqiptare ishte rrënuar dhe mbi këto rrënoja ky përbindësh donte të ndërtonte historinë e vet, fal idealistëve ne sot jetojmë të lirë, sepse po të mos ishte ideali i tyre, i idealistëve, ne sot s’do të kishim mbijetuar si popull. Kjo e keqe që na vinte nga përbindëshi ishte edhe e pritshme, më e pritshme se kurrë, por ajo që ishte më e turpshmja, ishte e keqja më e madhe që na vinte nga ca shqipfolës të cilët kishin  rënë në taborin e përbindëshit, e ishin bërë shërbyes të tij dhe farë e keqe e popullit të vet.

Me këtë tablo të situatës ishte vështirësuar çdo hap i shqiptarëve, madje edhe ajo më elementarja deri te shfarosja si popull, për këtë idealistët, si Afrim Zhitija, Fadil Vata, dhe shumë të tjerë me një veprimtari të palodhshme u vuan në interes të lëvizjes kombëtare, filluan lëvizjet dhe organizimi i demonstratave, vetëdijesimi i të gjitha shtresave popullore, po njëherë edhe grusht kundër përbindëshit dhe shërbyesve e frikacakëve të saj.

Nuk është për të mos i kujtuar ato tri ditët e nëntorit 1989-së, sheshinë e kryeqytetit të Dardanisë-Prishtinën, se si rinia idealiste kishte vërshuar fuqishëm rrugët e sheshit me demonstratat për të mos u ndalur deri te fitorja dhe humbja e përbindëshit, ndonëse  demonstratat ishin vazhdimësi e demonstratave që nga ato të 68-ës 74-së, 81-së e më tutje, të gjitha kishin një qëllim të vetëm bashkimin në Shqipërinë Etnike.

Idealistët e çështjes kombëtare, të vitit 1989, kishin ngritur për tri ditë radhazi ndërgjegjen kombëtare dhe për ato tri ditë ia bëri të qartë përbindëshit se këtu do të jetë e përmotshme  tokë e Dardanisë- Shqipëri Etnike. Ndërgjegjja e kombit bëhej flak e pushkë, të vendosur për lirin dhe largimin e përbindëshit nga këto troje, sepse edhe i kishte ardhur fundi, tashmë vetëm në Dardanën e bukur kishte mbetur të ushtronte dhunë, e më këtë dhunshëm synonte ta mbante të pushtuar. Atë ditë nëntori, veçanërisht  më 2 nëntor 1989, duke parë humbjen që i vinte një pas një, tashmë i kishte humbur edhe shpresa e fundit për Dardanin; Më këtë humbje shprese përbindëshi filloi t’i merrte të gjitha metodat e mundshme antinjerëzore, me faktin që ta frikësonte një popull liridashës, e veçanërisht idealistët. Për këtë përbindëshi nuk zgjidhte metoda, madje as ndaj demonstruesve, të cilit iu kishte bërë halë në sy, sëmundje kronik, sëmundje vdekjeprurëse. Përbindëshi me hapat e fundit të egërsuar dhe me trupat e hekurta për një moment sikur e qëlloi në krye organizatën e idealistëve, qëlloi mbi dy djem shqipe mali që ishin promotorë të lirisë. Atë ditë, dy nëntori, ishte ditë krismash, për 10 orë krismat jehuan, përbindëshi dhe trupat e hekurta çmendeshin, e nga kjo çmenduri vriten heroikisht dy djem të lirisë dhe me këto dy vrasje e bëri më të flakur Dardanin, e bijtë e Dardanisë jo që i frikësoi por më tepër i nxiti për një hakmarrje dhe u dëgjua zëri deri në qiell, tokë e det duam hakmarrje kundër përbindëshit.

Si të mos kujtohet, e të mbetet në mendje për tërë jetën qëndrimi i dy martirëve të kombit i Afrimit dhe i Fahriut. Afrimi sikur i këndoj vdekjes, ndoshta para vdekjes qëllimisht ishte veshur si zotëri, me atë pallto të zezë, kapelë mbi kokë dhe syze që ato i mbante përherë, me at shtat si bredh, poshtë lagjes së kodrës së trimave, hipur mbi urën, e me këto fjalë ju drejtua demonstruesve, ndër të tjera tha: “….Lufta dhe liria janë tonat, e deri më bashkimin e kombit lufta jonë s’do të ndalej, e ne për një komb e një shtet do të luftojmë….”.

Këtij idealist nuk i kishte shkuar ndërmend kurrë që të mendonte se pas përfundimit të luftës do të bëhej kryetar, apo kryeministër, do të përfitonte pasuri, e në emër të popullit të bëhej i pasur.

Jo këtë e them me plot bindje, jo pse kisha rastin ta njihja, të isha krah i tij, por thjesht ai ishte i përkushtuar për atdhe. Atdheu, Shqipëria Etnike, për të ishte jeta, pasuria, nëna, baba, motra, vëllau, e gjithçka tjetër.

Përbindëshi ditë e më tepër bëhej më i egër e më dhelparake, në njërën anë vriste, burgoste djem të kombit, në anën tjetër regjistronte parti, shtihej si tolerante ndaj shqiptarëve. Kjo e fundit ishte një thikë pas shpine e djemve idealist të kombit, tashmë përbindëshi e kishte ndarë në dy tabor frontin, në njërën anë afër dhe në përcjellje mbante partitë e dala legale, kurse në anën tjetër përmes ca njerëzve të këtyre partive dhe të vet angazhimit bënte përpjekje ta zbulonte organizatën e idealistëve.

Vrasja e Afrimit dhe Fahriut, ndjekja e idealistëve dhe burgosja e shumë idealistëve e vështirësoi edhe më tutje jetën e veprimtarisë së çështjes kombëtare. Duke parë se përbindëshi kishte ndërruar taktikën, përpos dhunës kishe josh edhe partitë legale të asaj kohe, apo edhe ndonjë gazetë që i shkonte përshtati përbindëshit; Ngjashmëri kohe, thua me ato të viteve 1981-së, ku ca shqipfolës, nderta kishte edhe poet, publicist, politikan, ekonomistë e çka jo tjetër që ishin bërë vegla të përbindëshit, madje-madje secili nga këta shqipfolës për ta dëshmuar vetën bënin hata mbi popullatën shqiptare, përjashtonin nga puna, me aferën famëkeqe të proceseve diferencuese shokë që kishin punuar bashkë deri në at kohë, dënonin nxënës, student e punëtor si të papërshtatshëm ideopolitikë, e për fat të keq edhe pas 31 viteve ca prej këtyre shqipfolësve i shohim kryetar partie, deputet, mbajtës të rendit e çka jo tjetër vallë! Për kundër vullnetit të përbindëshit çlirimtarët kishin filluar përgatitjet për një luftë të hapur kundër saj, madje fare pa ndier frikë idealistë filluan ta ngritin  më tej jetën organizative, të kalohej nga kjo e propagandës në atë guerile, gjë që ishte edhe e suksesshme.

Kjo vendosmëri e idealistëve përbindëshin e çmendi, ndërsa partitë legale filluan t‘i akuzonin idealistët, e t’i quanin me epitete të ndryshme si “dorë e zgjatur e armikut” , “grup i frustruar”, madje edhe shumë sharje tjera, sepse rruga e idealistëve nuk u pëlqente fare parazitëve të partive legale, të cilët thuajse ishin të njëjtit njerëz të viteve 81-së, por tash me petkun tjetër, më “demokratik” dhe me një fjalor të “atdhetarizmit”.

Guerilja shqiptare kishte marr të mbaren, përbindëshi ishte tërbuar, partitë legale secila më shumë ndjente një lloj frike dhe bashkë me  këtë frikë kishte futë huti në popull, madje përpos hutisë ajo kishte përcaktuar edhe njerëz të veçantë që ta sulmonin me metoda të ndryshme propaganduese, kjo legalistëve nuk u piu ujë, pushka kishte filluar të qëllonte mbi njerëzit e hekurt të përbindëshi, përbindëshi ishte tërbuar tërësisht, pushkët e lirisë kërcitnin në një pjesë, ndërsa mu në kryeqytetin e Dardanisë-Prishtinën bëhej qefi, vallëzohej restoranteve deri diku në mes natës, deri atëherë kur përbindëshi humbi toruan, më nuk njihte as marrëveshje, as përkëdhelje. Lufta mori dhenë, bota u trand, e sidomos Evropa shtrigë e cila me turpin e sajë në vitet 1913-45 e kishte copëtuar Shqipërinë në pesë-pjesë, tani më joshja nuk kishte kuptim sepse edhe vet evropianët kishin kuptuar se qëndrimi i idealistëve, guerilëve, tashmë të UÇK-së ishin farëz e mbaruar, më kthim mbrapa nuk ka, o vdekje o liri! Kështu ishte parulla e idealistëve, tashmë të ushtarëve të UÇK-së. Ndonëse nga Evropianët mundoheshin të gjenin kompromisë me legalistët, por kjo ishte e kotë se më fliste pushka,  zona të çliruara dhe përzënia e përbindëshi nga zona që çlirimtarët këndonin këngën e çlirimit. Tashmë nuk flitet për dorëzim, apo kthim mbrapa, por përpara shokë beteja është e jona. Me këtë vendosmëri të UÇK-së bota dhe Evropianët e kuptuan se fitorja është e idealistëve, edhe pse diku-diku ende ca legalistë me  njerëzit e saj që i kishte shpërndarë, mendonin se fitorja do të bëhej me lajka dhe përkulje, po ashtu edhe i ca legalistëve që thirrin NATON për të mos e sulmuar përbindëshi, se gjoja ajo nuk është e rrezikshme, sa që janë vetë UÇK-ja. As kjo nuk u piu ujë legalistëve. NATO e konkretisht Amerika vendosën për ta sulmuar përbindëshi, sepse përbindëshi për Ballkanin e më gjerë ishte një zjarr sherri, më Evropianët kishin kuptuar se përkrahja e përbindëshi në vitet 1913-45 ishte një gabim, që këtë gabim sot po e paguan Ballkani, e veçanërisht Dardania njëri nga fiset e lashta të Ilirishtes.

Bombat kërcitën, aeroplanët mbuluan qiellin e Dardanisë, UÇK-ja për toke ndiqte njerëzit e hekurt të përbindëshi dhe pas shumë viteve UÇK-ja theu kufirin e ndarjes dhe përzuri përbindëshi për të mos u kthyer më kurrë; Kështu thanë ushtarët e UÇK-së, idealistët, madje-madje edhe legalistët thanë, bile këta të fundit me lojën e tyre përshpejtuan ta ndërtonin një politik të re, tashmë të ftuar të gjithë ata që kishin qenë të bërë me gisht nga populli të merrnin hapa e ta shpëtonin vetën, ndërsa lufta mbaroi, përbindëshi iku me bisht për këmbe të dhënë pas ca plumba nga  ushtarët e lirisë, UÇK-ja.

Përbindëshi ia mbathi këmbëve për të mos u kthye më kurrë, iu fik edhe shpresa e fundi, e në anën tjetër u krijuan parti, sa çdo lagje thua se e kishte nga një parti, ca idealistë harruan idealin për Shqipërinë Etnike, e pranuan planin e Ahtisarit, planë siç than një goje Idealistët, djemtë që kishin ardhur nga UÇK-ja, e donin të bëheshin politikan dhe vet Ilegalistët se ky plan është më i mirë për fillim, e që atëherë përbindëshi sikur e forcoi pjellën e tij në veri të Dardanisë-Mitrovicë, duke parë se politika shqiptare ishte zënë pas interesit privat, e po ashtu e paaftë politikisht ta  qoi përpara vullnetin e popullit shqiptar si duhej, përbindëshi shfrytëzoi këtë paaftësi të politikës shqiptare dhe sikur po bëhej një aktor i fortë e çdo herë më i zëshëm në pengesën e procesit të shtetit dardanë.

Përbindëshi iku, Dardanin e mbuloi bota me ushtar e njerëz të rendit e të ligjit, për fat të keq ardhja e tyre më shumë i solli sherr Dardanisë se sa dobi, me vete çdo ushtar solli kulturën e vet, sollën religjione të ndryshme, kontrabandën, drogën, korrupsionin. Dorën në zemër korrupsionin shpejt e mësuan edhe ca idealistë, e ushtar dhe u bënë trima të saj, e mos të flasim për legalistët fare. Për çudi idealistët, ushtarët politikan tashmë kishin kapur pushkët në mes veti ishin bërë pikë e pesë, afër vetës kishin afruar njerëz dikur që i kishin frikë natës, tashmë këta tipa të bërë trima e kaluar trimërisë, ndër këta idealist kemi edhe të tillë që njeriut të parë të legalistëve, dikur të tërën ia kishte thënë në fytyrë, e sot për çudi, në përkulje, do t’ia puthte gishtat e këmbës, (ja se që na qenka politika). Kështu e do politika e ndërkombëtarëve thoshte “idealisti”-idealist dikur, tashmë ky “idealist” jo vetëm që ju përkul por edhe shkoi më tutje, si të ishte Dardania pronë e tij, emërzonte rrugë, shkolla, sheshe me emra që i tekej “idealistit”.

Vërtet politika Evropian e do që të thuhet se luftën e fitoj NATO-ja, ndërsa periudha e UÇK-së dhe gueriles të mos përmendet fare, se kjo nuk i shkon përshtati NATO-së. Për  këtë dorën në zemër u akorduan legalistët, ndërsa ushtarët politikan dhe idealistët pak sa u prekën deshën ta ngritin zërin se këtu ka pasur luftë, por  disi si e çuditshme, të zënë si me pelë për dore heshtën  dhe disi më këtë heshtje të çuditshme pranuan këtë fakt, faktin që të bën të kuptosh se politika e do që të mos pranohet fakti i luftës, po të faktohet se ka qen një konflikt mes UÇK-së dhe përbindëshit. Ajo që e fakton se ishte një konflikt është përpjekja me dekorim të njeriut të parin të legalistëve, me këtë do të thotë se përbindëshi është trembur nga NATO-ja, dhe nga lufta e legalistëve, gjë që kjo nuk qëndron, se përbindëshi ka ikur vetëm nga plumbat e UÇK-së, nga lufta e saj e drejtë, po duke ju falënderuar edhe ndihmës së NATO-së dhe veçanërisht Amerikës.

Mbaroi lufta, erdhi liria, për Idealistët dhe ushtarët politikan sikur u ndërrua bota, dikur nuk kishin këpucë, tashmë kanë xhipa dhe vila; si pa dashje më kujtohej  gjatë ilegalitetit mezi bënim një pistoletë dhe kapelë mbi kokë, ndërsa sot ca “idealist” si kur kanë harruar të kaluarën dhe për kundër ati realiteti, si shpejt janë bërë zotërinj dhe kaluar zotërinjve. Dikur  flisnim për çlirimin e atdheut, ndërtimin e shtetit; Eh që thoshim: “…t’u vijmë në ndihëm të pastrehëve, shkollat t’i ndërtojmë, mjekësin dhe shtetin ta ngrinim në nivelin botëror, të mos ketë të pa punë, fukarenj dhe padrejtësi, e mbi të gjitha ta kemi një ushtri të fortë…”. Mbase edhe këtë e thoshim: “ Pushtetarët nuk guxojmë të dallohen prej shtresës së popullit”, çuditërisht asnjëri nga idealistët nuk fliste për ndonjë post politik, sepse qëllimi ishte çlirim dhe bashkimi. Eh sa çudi dikur kishim mendje krejt ndrysh,  e sot sikur leku, e kolltuku na i mashtroi ca idealistë, ushtarët politikan, thjesht na i koriti, na i bëni hiq burra. Po më e keqja është për këta “Idealistë, ushtar politikan” sikur dhe i ka lëshuar memoria,  nuk njohin fare, të shkelin po ju the se dikur kemi qenë shokë, apo veprimtar të çështjes kombëtare. E keqja nuk ndalet me kaq, tash kanë filluar edhe në mes vete të shahen e përshahen, eh ku kanë shkuar këta “idealistët dhe ushtarët politikan” të dikurshëm…I ruajt zoti nga të bëmat e tyre!

Edhe pas pavarësisë së Dardanisë sikur djalli po punuaka, janë bërë pikë e pesë, sa lind dita dëgjon se u themelua x paria, me x personin, më nuk ka rëndësi atdheu, ndërgjegjja, populli, vuajtja, mjerimi, e rëndësishmja është se kush dinë ta vjedhë, ta rrjep, e ta mashtron këtë popull të mjerë.

Për fund jam i bindur se toka dhe qielli mban në gji ende amanetin e heronjve, atdhetarëve, Idealistëve të vërtetë që ende i rrinë besnik luftës së nisur për Shqipërinë Etnike. Nga kjo rrugë s’ka që e ndal popullin, në një ditë të afërt do të realizohet aspirata shekullore e popullit shqiptar, ndërsa karrieristët, hajnat, spiunët, frikacakët ku do të mbarojnë nesër?

Ajo ditë, dita e Shqipërisë Etnike do të vije, do të vije se populli e do, pavarësisht politikave të ditës, politikanëve të gjunjëzuar para të huajve. Bashkimi i Kombit do të ndodhë, mu atëherë kur shqiponja do të valëvitet e lirë sa në Çamëri, Preshevë, Ulqin, Shkup, Prishtinë dhe Tiranë.

Uroi që t’iu mban gjallë gjaku i heronjve, ajo për çdo ditë na thërret në rrugën e nderit, na thotë se pa Shqipërinë Etnike eshtrat s’do të na rrinë të qet, e për hir të gjakut të dëshmorëve dhe eshtrave të tyre, ne si popull, e veçanërisht si shok të dikurshëm na obligon më tepër ndërgjegjja që ta shpiem në vend amanetin e tyre për Shqipërinë e Bashkuar, Shqipërinë Etnike.

Ju sot që e shkarravitni vullnetin e popullit dhe i keni hipur në qafë si ujq të uritur keni kujdes se nesër do t’ua vras dikush ndërgjegjen. Mjaftë është lodhur ky popull me gjakderdhje, persekutime, burgosje, djegie, dhunime nëpër shekuj, sot e do ta gëzoi lirinë, atë që ia sollën dëshmorët, bijtë e saj. Sot donë të jeton me rini të lirë të punësuar, me mjekësi që ia shëron sëmundjen, e jo që ja ha zemrën dhe mushkrit në emër të betimit të Sokratit, do ujë të freskët jo helm, të gjitha këto çudira po ndodhin në Dardanën e sotme, jeta në mjekësi kushton sa ke mundësi të paguash, po s’pate lek jeta merr rrugën e vdekjes. Mjeku zgërdhihet i kënaqur e thotë: “budallai vdiq pse s’kishte lek”. Po na vdes populli pa lek, se dikush po ua vjedh, ah more ju të mjerë…! Prapë loti faqeve po thahet, dhimbja dhe mjerimi janë bërë sinonim i një vdekje të trishtuar.

 

(Të nderuar lexues këtë ESE

e shkruaj nga krevati i spitalit

Groshadern në Munich të Gjermanisë

Më 23 mars 2012)

 

Shkruan: Mustafë Krasniqi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu