Peshkopi katolik: Mbivlerësim për luftën e Skënderbeut në Napoli

0
667

Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Heroi Kombëtar i shqiptarëve, ka hyrë prej kohësh në radhët e atyre personaliteteve të shquara të shekujve të kaluar, për të cilët historiografia europiane nuk ka reshtur asnjëherë së shkruari me përkushtim për ta. Me qindra janë trajtesat monografike dhe me mijëra artikujt studimorë të botuar deri sot në të gjitha gjuhët e Europës, kushtuar jetës dhe luftës epike të shqiptarëve, që ai udhëhoqi në shek.XV kundër invazorëve osmanë. Madhështia e veprës historike të Skënderbeut ka frymëzuar jo pak shkrimtarë dhe kompozitorë të kombeve të ndryshme, që t’i kushtojnë atij poezi, tregime, romane, drama dhe melodrama. Po ashtu, jo pak talente të arteve figurative i kanë kushtuar Heroit të shqiptarëve me qindra portrete dhe skena luftimesh, të cilat ndeshen gjithandej nëpër botë, pa lënë jashtë skulpturat e ngritura në disa qytete të Europës dhe pa harruar morinë e ilustrimeve që zbukurojnë vepra, studime dhe albume të botuara gjatë pesë shekujve të kaluar.
Për një kohë të gjatë, burimi kryesor i historiografisë dhe i literaturës së pasur skënderbegiane ka qenë vepra e humanistit shkodran Marin Barleti (Marinus Barletius Scodriensis), botuar latinisht në Romë midis viteve 1508-1510, me titull: Historia de vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis (Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut, princ i epirotëve). Vështirë është të gjesh në bibliografinë skënderbegiane, vepër shkencore ose letrare që të mos jetë mbështetur tërësisht ose pjesërisht në trajtesën e Barletit ose në punime që janë mbështetur në trajtesën e tij. Dëshmi për këtë ndikim të jashtëzakonshëm janë ribotimet, përkthimet dhe përshtatjet e shumta të kësaj vepre që kanë parë dritën e botimit gjatë këtyre pesë shekujve .
Ky ndikim ka disa arsye. Para së gjithash, shpjegohet me meritat e Skënderbeut si strateg i fitoreve të përhershme të një populli të vogël kundër një perandorie të fuqishme dhe si prijës i një lufte të ngjashme me ballafaqimin e Davidit kundër Goliadit. Ai shpjegohet gjithashtu me motivin që frymëzoi shqiptarët në ndeshjen e tyre të mahnitshme – jo luftë për pushtime, por për lirinë e atdheut kundër pushtimit të huaj. Ai shpjegohet, ca më tepër, me rolin që luajtën shqiptarët me Skënderbeun në krye, si ledh që pengoi vërshimin e invazorëve osmanë në thellësi të kontinentit europian. Ndikimin e veprës së Barletit e shpjegojnë edhe dy faktorë të tjerë – se tregimi i tij është burimi më i hershëm i bëmave të Skënderbeut (vepër e shkruar 40 vjet pas vdekjes së Heroit) dhe se ajo përmban biografinë pak a shumë të plotë të jetës së Shqiptarit të Madh, që nga lindja deri në vdekjen e tij. Në fakt, si biografi, ajo nuk është e plotë mbasi Barleti e trajton Skënderbeun ashtu siç e kërkonte koha, kryesisht kur është në fushën e betejës ose kur ai merret me përgatitjen e saj. Megjithatë, ai nuk e trajton Skënderbeun si kordhëtar (condottiere), as si prijës mercenarësh, siç kishte plot Mesjeta, por si kapiten ose si “athlet”, pra si mbrojtës të një kauze të shenjtë, i cili talentin e tij prej strategu të shkëlqyer e vuri në shërbim të lirisë së atdheut dhe, tërthorazi, të qytetërimit europian.
Humanisti shkodran ishte në moshë të re kur vdiq Skënderbeu. Lëndën e trajtesës së vet në pjesën më të madhe ai e grumbulloi, me sa mundi, nga goja e pjesëmarrësve dhe e bashkëkohëtarëve, ndoshta edhe nga tregimet e pasardhësve të tyre. Vetëm pjesërisht, ai e voli nëpër dokumente të shkruara venedikase. Por pavarësisht nga karakteri kryesisht tregimtar dhe jo dokumentar i veprës, M. Barleti u shkëput nga shkolla e kronistëve mesjetarë, të cilët i rreshtonin ngjarjet me stil kancelaresk, shpesh pa lidhje midis tyre. Në metodologjinë e vet, Barleti bën pjesë në pararendësit e historiografisë moderne. Për më tepër, ai ka meritën se e hartoi trajtesën jo vetëm me mish, por edhe me tru, madje edhe me ndjenja. Ai nuk është një historian i ftohtë, por, siç e kërkonte rreziku që e kërcënonte Europën, edhe një letrar humanist. Si humanist, Barleti ishte i mbrujtur me kulturë klasike latine. Megjithatë, për nga ndjenjat, ai mbeti një shqiptar i mërguar, i lidhur shpirtërisht me fatet e atdheut të vet. Me këto merita, Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut rrëmbeu jo vetëm lexuesit bashkatdhetarë, por edhe qytetarët europianë, të cilët shikonin te vetmohimi i shqiptarëve dhe te madhështia e Skënderbeut, një burim frymëzimi për të mbrojtur lirinë e atdheut të tyre, sa herë që kjo liri rrezikohej nga ndonjë agresor i huaj. Te këto vlera, të marra bashkërisht, qëndron sekreti përse vepra e humanistit shqiptar pushtoi, për shekuj me radhë, elitën kulturore europiane.
Pas Marin Barletit, u botua një vepër e dytë biografike mbi Skënderbeun. Autori i saj është përsëri një prift katolik shqiptar – Dhimitër Frëngu nga Drishti. Ndryshe nga humanisti shkodran, Dh. Frëngu jetoi për disa kohë pranë Skënderbeut, madje i shërbeu Heroit si funksionar financash në vitet e fundit të epopesë. Vepra e Frëngut, në origjinal latinisht, u botua pas vdekjes së autorit, pa emrin e tij, në përkthimin italisht, për të parën herë në Venedik më 1539, me titullin: Commentario delle cose de Turchi, et del S.Georgio Scanderbeg, principe di Epyrro (Komentar për bëmat e turqve dhe të Z.Gjergj Skënderbeut, princ i Epirit), kurse emrin e autorit në trajtën italishte Demetrio Franco, e mbajnë ribotimet e mëvonshme. Botimi i saj rreth 40 vjet më vonë nga ajo e Barletit dhe disa pika takimi që ato kanë midis tyre kanë krijuar te historianët përshtypjen se ajo është një përmbledhje e trajtesës së Barletit. Por kjo pikëpamje duhet rishikuar. Ndryshe nga humanisti shkodran, Dhimitër Frëngu, sikurse u tha, e ka njohur nga afër Heroin. Si rrjedhim, prifti drishtjan ka qenë vetë burim informatash. Ka, pra, mundësi që Barleti të ketë vjelur njoftime për Skënderbeun nga vepra ende në dorëshkrim e Frëngut dhe jo e kundërta. Pikat e takimit që ndeshen për disa fakte te veprat e tyre, nuk duhen shpjeguar medoemos me huazime nga njëri-tjetri mbasi ka edhe një shpjegim të tretë: se të dy biografët kanë përshkruar, në mënyrë të pavarur, një fakt të vërtetë.
Si çdo trajtesë historike, që mbështetet kryesisht ose pjesërisht në të dhëna tregimtare, edhe vepra e M. Barletit nuk mund t’u shpëtonte disa dobësive dhe pasaktësive në përshkrimin e ngjarjeve dhe në vlerësimin e tyre. Dobësitë dhe pasaktësitë e pashmangshme filluan të dalin në shesh dora-dorës me zhvillimin e historiografisë si shkencë e dokumentuar dhe me qëndrimin kritik që ajo përvetësoi ndaj ngjarjeve historike. Që nga shek.XVII e këtej, jo pak historianë filluan t’i ballafaqonin tregimet e Barletit me njoftimet dokumentare që ata nxirrnin në dritë gjatë hulumtimeve arkivore. Për një kohë të gjatë, këto të dhëna dokumentare qenë të pakta dhe si rrjedhim vetëm pjesërisht e prekën veprën e biografit të parë të Skënderbeut. Diku i vërtetuan, diku i korrigjuan dhe diku i vunë në pikëpyetje njoftimet e tij. Për pjesën më të madhe të tregimit të Barletit, ato vazhduan të heshtnin. Mungesa e të dhënave të plota dokumentare i detyroi historianët të vazhdonin ta shfrytëzonin minierën barletiane për njoftimet ende të padokumentuara.
Me sa dihet, historiani i parë kritik i veprës së Barletit është peshkopi katolik frëng Henricus Spondanus, i cili në veprën e tij të botuar në Ticino më 1680 (Henricus Spondanus, Annales Eçlediastici ab Anno MCXCVII ad Finem MDCXLV.Vol.II), shfaqi dyshimin mbi tregimin e humanistit rreth rinisë së Skënderbeut dhe e vlerësoi të tepruar kontributin që Heroi shqiptar, i dha, sipas tij, Ferdinandit të Napolit në ekspeditën italiane të vitit 1461.
Përkundrazi, tri dekada më vonë, një historian tjetër frëng, J.N. Duponcet (Histoire de Scanderbeg, Roy d’Albanie, Paris, 1709), nuk u pajtua me H. Spondanus. Në përgjithësi ai u bashkua me historianët e mëparshëm, në mënyrë të veçantë me J.De Lavardin (Histoire de Georges Castriot, surnommé Scanderbeg, Roy d’Albanie, Paris, 1597), të cilët e pranuan të saktë tregimin e Barletit. Megjithatë, Duponcet shton se vepra e humanistit shkodran ka disa njoftime jo të sakta të dorës së dytë, së bashku me to edhe fjalimet që i atribuohen Skënderbeut, të cilat janë sipas tij të parëndësishme, kurse pjesa kryesore e tregimit është histori e saktë.
Një vend me rëndësi në historiografinë skënderbegiane zë vepra e priftit italian të shek.XVIII G. Biemmi me titull: Istoria di Giorgio Castrioto Scander-Begh (Historia e Gjergj Kastriotit Skënderbeut), e botuar në Brescia (Itali) më 1742 dhe e ribotuar po aty më 1756. Me veprën e vet, Biemmi u përpoq jo vetëm të shkëputej nga Barleti, por të shkonte edhe më tej – ta zëvendësonte tregimin e tij me një burim tjetër historik më të hershëm dhe më bindës se vepra e humanistit shqiptar. Për të realizuar këtë synim, ai ndoqi dy rrugë. E para, shfrytëzoi burime të ndryshme historike parabarletiane, siç janë letrat e disa personaliteteve italiane bashkëkohëtarë të Skënderbeut, si Fr. Philelphus (1398-1481), J.J. Pontanus (1426-1503), R. Volaterranus (1434-1516), krahas tyre njoftimet e dy kronistëve bizantinë të po atij shekulli Frances (G. Phrantzes 1401-1478), Laonik Kalko-ndondili (L. Chalcocondylas (1423-1464) dhe më në fund dokumente arkivore të viteve të Heroit të botuara nga O. Rinaldi (1595-1671), G. Sagredo (1616-1696) etj. E dyta, ai pretendoi se kishte zbuluar një histori të Skënderbeut shkruar latinisht dhe botuar në Venedik më 1480, pra rreth 30 vjet para veprës së Barletit dhe, si e tillë, duhej besuar më tepër se tregimi i humanistit shqiptar. Biemmi thotë se vepra, që ai kishte shtënë në dorë, ishte në gjendje të dëmtuar (në mes), se i mungonin, përveç emrit të autorit, disa fletë (në fillim dhe në fund të veprës). Nga leximi i tekstit, shton ai, del se autori i veprës ishte një shqiptar nga Tivari, i cili e kishte shkruar trajtesën sipas tregimeve të vëllait të vet, një oficer i gardës së Heroit. Biemmi thotë më tej, se në fund të veprës ndodhej i shtypur ky shënim latinisht: “Explicit Historia Scanderbegi, edita per quendam Albanensem, Venetiis impressa industria atque impensa Erardi Radolt de Augusta, anno Domini 1480 die 2 mensis Aprilis ducante Joanne Mocenygo inclyto Duce” (Këtu merr fund historia e Skënderbeut, botuar prej një shqiptari në Venedik, shtypur nën kujdesin dhe me shpenzimet e Erhard Radoltit nga Augsburgu, në vitin e Zotit 1480, më 2 të muajit prill, nën qeverimin e të shkëlqyerit dogjit Johan Mocenigos). Faqet që mungonin trajtonin, gjithnjë sipas Biemmi-t, rininë e Skënderbeut, ngjarjet e viteve 1443-1449, rrethimin e tretë të Krujës dhe vdekjen e Heroit. Në mungesë të emrit të hartuesit të kësaj vepre me titull: Historia e Skënderbeut botuar prej një shqiptari, Biemmi e quajti autorin Antivarino (Tivarasi), por që tashmë është bërë zakon të quhet Anonimi Tivaras. Nga pasazhet e Anonimit Tivaras, të cilat Biemmi i ka dhënë në përkthimin italisht, del se tregimi i tij mbi Skënderbeun nuk është panegjirik si ai i Barletit. Ai flet me gjuhë të matur. Nuk ka retorikë. Përmend sukseset por edhe dobësitë. Dëmet që pësuan turqit në fushën e betejës nuk i jep të fryra, po ashtu humbjet e shqiptarëve jo aq të pakta, siç i tregon humanisti shkodran. Duke u mbështetur tek Anonimi Tivaras, Biemmi mban një qëndrim të rreptë kritik ndaj Barletit. Nga ana tjetër, për të treguar se është objektiv, mban aty-këtu rezerva edhe ndaj vetë Anonimit Tivaras. Por, me gjithë korrigjimet që i bën Barletit, ai, Biemmi, pajtohet me të në çështjen thelbësore të historisë së Skënderbeut, mbasi i pranon fitoret e shqiptarëve të udhëhequra nga Skënderbeu ndaj fushatave njëçerekshekullore të ushtrive turke, disa nga të cilat u udhëhoqën nga dy prej sulltanëve më të shquar të Perandorisë Osmane, Muratit II dhe Mehmetit II .
Vepra e Anonimit Tivaras deri sot nuk është gjetur nga askush, por edhe trajtesa e G. Biemmi-t ra në duar të historianëve të interesuar gati një shekull e gjysmë më vonë. Si rrjedhim, deri në fund të shek.XIX, me gjithë hulumtimet arkivore, Barleti vazhdoi të shërbente si burimi kryesor për historinë e Skënderbeut. Megjithatë, në të njëjtën kohë, tregimi i humanistit shkodran vazhdoi diku të korrigjohej dhe diku të plotësohej nga të dhënat dokumentare që dilnin herë pas here në dritë. Historiani i shquar austriak, J. Hammer, në veprën e tij të njohur “Historia e Perandorisë Osmane” (Geschichte des Osmanischen Reiches) botuar në gjermanisht në Pest më 1840, sado që kaloi nëpër duar mjaft kronistë të hershëm osmanë, të cilët lëshojnë breshëri mallkimesh ndaj Skënderbeut, e pranoi në përgjithësi tregimin e Barletit. Ne nuk do të zgjatemi me qëndrimet që kanë mbajtur historianët jo të pakët të shek.XIX ndaj Barletit, por nuk do të kalojmë pa përmendur G. Voigt, biografi i Papës Pius II, mbasi ky është kritiku më i ashpër i veprës së Barletit. Në vëllimin e tretë të veprës: Enea Silvio de’Piçolomini als Papst Pius der Zëeite und sein Zeitalter (E.S. Pikolomini si Papë Pius II dhe epoka e tij) botuar në Berlin më 1863, ai e cilëson trajtesën e Barletit si një libër gënjeshtrash, e cila sado që është ribotuar shumë herë, ka vlerë të pakët. Midis atyre që nuk u pajtuan me të ishte edhe historiani gjerman J.Ph, Fallmerayer. Në veprën e vet “Das Albanesische Element in Griechenland” (Elementi shqiptar në Greqi) botuar në Mynih më 1866, ai në përgjithësi e vlerëson trajtesën e humanistit shqiptar, ndonëse diku e kritikon në lidhje me saktësinë historike të njoftimeve që jep. Nga penat e mëvonshme, duhet të përmendim F. Tajanin (Le istorie albanesi, vol.II, Salerno, 1886) sidomos konsullin austriak J.E. Pisko (Skanderbeg. Historische Studie, Ëien, 1894) mbasi këta janë të parët (sidomos i dyti), që krahas veprës së Barletit dhe burimeve dokumentare, në atë kohë ende të pakta, shfrytëzuan trajtesën e Biemmi-t, pra tregimin e Anonimit Tivaras, të cilin e vlerësuan si burimin më të hershëm historik për Skënderbeun. Pas tyre vjen kritiku tjetër i ashpër i Barletit, historiani rumun N. Jorga, i cili në vëllimin e dytë të punimit të tij gjermanisht “Historia e Perandorisë Osmane” (Geschichte des Osmanische Reiches, vol.II, Gotha, 1909) shpreh mendimin se vepra e humanistit shqiptar nuk ka asnjë vlerë si histori, se vlerësimi i Barletit për Skënderbeun është panegjirik, se fitoret që ai i atribuon Gjergj Kastriotit janë trillime, se në të vërtetë ai ka qenë një kapedan çetash që pësonte vazhdimisht disfata. Sipas tij, Barleti duhet besuar vetëm kur njoftimet e tij vërtetohen nga burime dokumentare, me një fjalë, vetë Barleti nuk duhet besuar fare. Por gjykimin ndaj veprës së Barletit, Jorga nuk e argumentoi me burime dokumentare. Për këtë arsye, gjykimi i tij i rreptë nuk i bindi historianët e mëvonshëm. Ai nuk e bindi plotësisht as nxënësin e tij rumun, C. Marinesco, i cili në disertacionin e vet të dokumentuar, Alphonse V, Roi d’Aragon et de Naples et l’Albanie de Scanderbeg, Paris, 1923, pasi konstatoi se Barleti, me gjithë pasaktësitë që ka, nuk është kurdoherë pa mbështetje dokumentare, pohoi se ai duhet besuar jo kur vëtetohet, siç thotë Jorga, por kur nuk kundërshtohet nga të dhënat dokumentare.

 

Prof. Kristo Frasheri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu