Phillips: Asnjë vend tjetër nuk do ta njohë Kosovën derisa diskutohet ndarja e saj

0
405

Phillips: Asnjë vend tjetër nuk do ta njohë Kosovën derisa diskutohet ndarja e saj

Profesori David L. Phillips, i cili së fundi u tërhoq nga pozicioni si këshilltar i Qeverisë së Kosovës, ka folur për opsionin e ndryshimit të kufijve dhe stadin në raportet e dialogut Kosovë-Serbi, duke thënë se debati për ndarjen krijon konfuzion të madh.

Philips theksoi se nuk është e qartë kush është përgjegjës në Kosovë për dialogun me Serbinë, ndërsa tha se asnjë vend tjetër nuk do e njohë Kosovën, sa kohë që diskutimi për ndarje nuk ka merr fund.

“A është presidenti Hashim Thaçi? A ka plane për një ekip të përbashkët ku të marrë pjesë edhe qeveria? Të gjitha këto janë çështje të hapura. Megjithëse unë e kam monitoruar nga afër dialogun, unë nuk e di kush është direkt përgjegjës. Sipas asaj që kam kuptuar unë nga Hashim Thaçi, ai është autoriteti më i lartë”, theksoi Philips.

Sipas tij, kjo pyetje mund t’i drejtohet edhe qeverisë amerikane.

“Çfarë roli luan qeveria amerikane në këtë dialog. Dhe cilat janë politikat e administratës së Trumpit për çështje të caktuara të dialogut, si për shembull rregullimet e kufirit. Deklaratat e John Bolton-it dhe të tjerëve janë të paqarta. Edhe ato duhen sqaruar”, u shpreh ai, ai për DW.

Njohësi i rrethanave në Ballkan theksoi se njerëzit në Kosovë duhet të vendosin për strukturën e negociatave dhe përgjegjësit e tyre dhe zyrtarët amerikanë duhet të sqarojnë, cili do të jetë roli i SHBA, dhe cili është qëndrimi amerikan në çështje specifike.

Duke folur për takimet në Bruksel, Phillips tha se askush nuk ka qenë i pranishëm në takimet midis Vuçiqit, Thaçit dhe Mogherinit.

“Kështu që ne nuk e dimë çfarë diskutojnë ata. Ne nuk mund të themi që Mogherini është duke punuar me një plan për ndarjen, sepse ajo nuk e ka thënë këtë. Ajo që duhet arritur është më shumë transparencë dhe qasje më e madhe, kështu që popullsia që preket direkt nga bisedime të informohet më mirë”, tha ai.

Duke komentuar edhe përfshirjen e presidentit francez, Macron, profesori Philips theksoi se duket se Franca është më e hapur për korrigjim kufijsh.

“Edhe Macron duhet të bëjë deklaratë të qartë për këtë gjë. Në fakt, të gjithë anëtarët e pesëshes duhet të qartësojnë çfarë presin prej bisedimeve, dhe cilat janë qëndrimet e tyre. Pesëshja është Italia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, dhe Shtetet e Bashkuara”, tha ai.

Se a e ke bërë profesorin Philips që situata e paqartë të jep dorëheqje nga këshillimi i qeverisë së Kosovës në çështjet e dialogut, ai tha “Unë i dorëzova dorëheqjen qeverisë së Kosovës. Qeveria nuk ka kthyer ende përgjigje. Por unë nuk mund të marrë pjesë në negociata që punojnë për ndarjen e vendit. Unë nuk mendoj se kjo është një strategji efektive. Dhe nuk mendoj se Kosova mund të arrijë synimet e saj, njohjen nga Serbia, njohjen nga pesë vendet evropiane, që nuk e kanë njohur ende, dhe heqjen dorë nga Rusia dhe Kina prej vetos në Këshillin e Sigurimit. Rregullimi kufitar për mua është një ide që nuk sjell normalizimin e dëshiruar të marrëdhënieve”.

“Problemi i Kosovës është Serbia. Serbia refuzon të pranojë që e ka humbur Kosovën, që Kosova është e pavarur dhe sovrane. Kosova nuk do të kthehet më kurrë nën kontrollin e Serbisë. Serbia është duke bllokuar gjithçka. Serbia është duke e penguar Kosovën në përpjekjet që të marrë njohje më të madhe në botë. Dhe sa kohë që Serbia vazhdon të pengojë, do mbetet vetë jashtë BE-së. Sepse kapitulli 35, kërkon normalizim të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, para se Serbia të përparojë me kandidaturën e saj për tu pranuar në BE”, u shpreh Philips.

Sipas tij, Serbia është duke kërkuar territorin në veri të Kosovës, kompensime për investime dhe pasuri në Kosovë, mbrojtje të veçantë për minoritetet dhe kulturën ortodokse.

“Unë nuk kam parë ndonjë dokument të shkruar nga Serbia, ku të propozohet kjo. Unë kam parë vetëm disa shënime për takime të bëra, por gjërat janë të paqarta. Çfarë merr Kosova si shpërblim për të dhënë 20 për qind të vendit? Njohjen nga Serbia? A do bënte Serbia ndryshimet kushtetuese për të mundësuar njohjen e Kosovës? A mund të sjellë njohjen nga vendet e BE, që nuk e kanë njohur? Edhe njohjen e Spanjës, që është problematike? Moska nuk merr urdhra nga Beogradi. Çfarë do të ndodhë me Këshillin e Sigurimit? Nuk e dimë. Ajo që di unë është se negociatat nuk mund të bazohen tek ëndrrat. Negociatat duhet të bazohen tek realitetet. Ato duhet të mundësohen nga mediatorë ndërkombëtarë, duhen monitoruar për zbatimin, përfshirë masat që merren për t’i prerë rrugën ankesave të palës tjetër. Mua nuk më duket, që dialogu Kosovë-Serbi po ndjek këto rregulla”, shprehet Philips.

Sipas tij, debati për ndarje shkakton në Kosovë konfuzion të madh.

“Asnjë vend tjetër plus nuk do e njohë Kosovën, sa kohë që ky diskutim nuk ka marrë fund. Kosova ka punë përpara punë serioze: të përmirësojë shërbimet e qeverisjes, përfshirë luftimin e korrupsionit. Debati për ndarjen është largim nga punët e qeverisjes. Kjo nuk mund të vazhdojë gjatë. Kanë kaluar shumë vite dhe Kosova duhet të integrohet plotësisht në sistemin ndërkombëtar. Duhet të bëhet pjesë e institucioneve euro-atlantike, përfshirë Interpolin. Duhet të ketë liberalizimin e vizave”, u shpreh Philips.

Profesori Philips ka folur edhe rreth krijimit të Ushtrisë.

“Sigurisht që Kosova duhet të ketë ushtrinë kombëtare. Ushtria kombëtare është për sigurimin e kufijve dhe mbrojtjen nga agresionet e mundshme. Serbia ka blerë armë të sofistikuara nga Rusia, përfshirë aeroplanë sulmues MIG. Rusia ka krijuar një bazë spiunazhi në Nish. Kosova ka nevojë të jetë në gjendje të mbrojë veten dhe të mbrojë sovranitetin e saj. Këshilli i Atlantikut Verior duhet të veprojë nëpërmjet programit PfP, dhe të përshpejtojë anëtarësimin e Kosovës në NATO. NATO nuk është vetëm aleancë për çështjet e sigurisë. NATO është koalicion i vendeve që ndajnë të njëjtat vlera. Kosova duhet të forcojë përpjekjet për demokraci dhe angazhimin për të drejtat e njeriut, nëse kërkon të lidhet më fort me NATO-n”, tha ai. /DW

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu