Plaku i Haklajve: Përse nuk zbulohet vrarësit e djemve?

0
682

Plaku i Haklajve, Muharremi, i larguar sëbashku me nipat e mbesat e vegjël nga kulla e tij(tashmë e rrafshuar) në fshatin Kërnajë, qysh në shtatorin e vitit 2005, ka rrëfyer shkaqet që e detyruan të hidhte një hap të tillë. Në një intervistë që ka dhënë për “Gazetën Shqiptare” nga vendi ku qëndron i strehuar për ti mbijetuar eleminimit fizik, Muharrem Haklaj dëshmon se ngjarjet që rrodhën pas arratisë së tij i dhanë plotësisht të drejtë. “Nëse do të kishim qëndruar në kullë do të na kishin djegur të gjallë. Ju e patë se ç’ndodhi me një kullë të braktisur, ku nuk u kursyen as varret e djemëve të mi të vrarë”, thotë plaku i Haklajve. Ai tregon pse i biri, Hamdiu, i vetmi i mbijetuar nga pesë djemtë e tij, u bë objektivi kryesor i policisë dhe njerëzve tashmë të veshur me pushtet që veprojnë nën urdhërat e kryeministrit. Plaku i Haklajve thotë se struktura të caktuara që veprojnë nën petkun e policisë së shtetit nuk synojnë ekstradimin e djalit të madh Hamdiut, por eleminimin e tij fizik, për të zhdukur përfundimisht edhe dëshmitarët e fundit që u kanë mbijetuar shënjestrës së snajperëve të paguar apo minave të telekomanduara. Muharrem Haklaj dëshmon se nuk mund të ketë besim te drejtësia shqiptare përsa kohë ajo përdor dy standarte. Ndërsa djali i tij, Hamdiu, dhe e bija, Zylfija, janë duke u gjykuar në gjykatën e Tiranës, nuk ndodh e njëjta gjë me autorët e vrasjeve të djemëve të tij, të cilët përkundrazi janë emëruar në detyra shtetërore dhe lëvizin lirisht. Ai shpreson te drejtësia e vendit nordik, Suedisë, ku u arrestua disa javë më parë djali i tij, se nuk do të lejojë ekstradimin e Hamdiut. “Nuk duam që tim biri t’i ndodhë ajo që e gjeti tregëtarin patriot Remzi Hoxha, të cilit nuk i janë gjetur as eshtrat pas rrëmbimit nga SHIK-u i Berishës”, thotë Muharrem Haklaj.
A jeni në dijeni se çfarë ka ndodhur me kullën tuaj në fshatin Kërnajë të Tropojës?
Sulmet ndaj banesës së braktisur nisën pikërisht pas ardhjes në pushtet të Berishës dhe largimit tonë të detyruar për të mos u eleminuar familjarisht nga snajperistët e paguar që sot bredhin të lirë me makinat e policisë. Parashikimi jonë se do të synonin të na vrisnin të gjithëve u provua nga ngjarjet që rrodhën gjatë vitit të kaluar. Skenari nisi pas kontrollit të policisë në banesën time më 9 prill 2006, ku u veprua sikur të ishin paramilitarë serb gjatë raprezaljeve në Kosovë. U thyen dyert dhe u shkelën rrobat e përgjakura të djemëve të mi të vrarë. U thyen fotot e tyre, u morën sende me vlerë dhe u futën armë nga vetë policia, gjoja sikur me to ishin vrarë banorë të tjerë të Tropojës. Ky kontroll u krye pa prezencën e asnjë familjari dhe pa prezencën e askujt nga fshati, vetëm që të vepronin sipas dëshirës dhe të deklaronin se kishin gjetur një arsenal të madh armësh, të cilat dyshoj se janë futur nga disa persona me të kaluar të dyshimtë dhe që mbanin veshur uniformën e policisë. Nga kjo kuptohet qartë se gjithçka u realizua prej makinerisë së komanduar nga vetë Berisha dhe tani duke përdorur përsëri shtetin dhe njerëzit e tij në Interpol, arriti të arrestojë djalin tim për llogaritë e veta personale. Kërkoj nga institucionet shqiptare dhe ajo pjesë e politikës që nuk i ka ngjyer duart me gjak apo nuk i ka ndyrë ato në punë të pista, të ndalojë dorën vrastare të Berishës dhe synimet e errëta të tij për mbulimin e krimeve që ai vet ka organizuar ndaj atyre që nuk i janë rreshtuar nga pas.
A është fajtor djali juaj Hamdiu për vrasjen e dyfishtë më 10 qershor 2004?
Në të gjitha deklarimet që familja ime ka depozituar në institucionet shqiptare qysh nga viti 2002 e në vazhdim nuk rezulton të jetë përmendur emri i personit të vrarë më datë 10 qershor 2004 për asnjë lloj aktiviteti të tij dhe të familjes së tij. Deri tani nuk ka patur asnjë dëshmitar që të provonte në gjykatë se Hamdiu është autor i krimit. Procesi është më tepër i inskenuar keq dhe me nxitim duke bërë shumë gabime, të cilat po dalin zbuluar në gjykatë.
A jeni njoftuar për arrestimin e Hamdiut dhe çfarë po bëhet për ekstradimin e tij?
Jam njoftuar nga televizioni e gazetat si gjithë të tjetër. Sigurisht nuk do të pres të vijë djali im në Shqipëri dhe të pësojë fatin e Remzi Hoxhës, të cilit nuk po i gjenden as eshtrat pasi e mori SHIK-u i Berishës në ’95-ën dhe s’dihet ku e ka groposur. Nëse Berisha është i interesuar të vendosë drejtësinë në Shqipëri, të zbardhë njëherë vrasjet e familjes Haklaj dhe pastaj unë do ta sjell vetë djalin këtu që të ketë mundësi drejtësia të faktojë të vërtetën e akuzave ndaj tij. Por Berisha nuk ka sesi t’i zbardhë vrasjet tona pasi i duhet më parë të arrestojë shefat që ai ka graduar me dorën e tij për shërbimet që i kanë bërë në të kaluarën. I duhet të nxjerrë veten të zbuluar. I them se nuk do ta ketë të lehtë të zhdukë gjithë familjen Haklaj dhe të rrënojë banesat e saj, të asgjësojë çdo provë, fakt apo dokumente që e fajësojnë për implikimin e tij në krimet dhe përgjakjen e Tropojës.
Hamdiu akuzohet se ka dijeni për shumë vrasje e ngjarje të rënda që kanë ndodhur në Tropojë vitet e fundit, sa është e vërtetë kjo?
Me ekstradimin e djalit tim Berisha nuk kërkon të zbulojë çka ndodhur po kërkon të mbyllë të vërtetën e vrasjeve në Tropojë dhe në veçanti të familjes Haklaj. Për vrasjet në Tropojë, ai di më shumë se Hamdiu, sepse Berisha ka strukturat shtetërore në dorë dhe ka qëndruar në Shqipëri gjatë gjithë kohës, kurse djali im ka qëndruar jashtë Shqipërisë nga frika e ndonjë hakmarrje. Berisha nuk ka shkuar në Tropojë qysh nga viti ’97 sepse e ka të qartë se atje akoma nuk është tharë gjaku që ai derdhi nga djemtë e Tropojës. Në Tropojë u qëllua mbi OSBE-në, u vranë funksionarë të lartë të UÇK-së, u sulmuan institucione shtetërore që nga komisariati i policisë, gjykata e prokuroria më 28 nëntor 2000 që u pasuan me të vrarë. U vranë për herë të parë në Shqipëri viktima me mina të telekomanduara në distancë e askush nuk u zbulua apo u dënua. Kurse për djalin tim veprohet ndryshe sepse kështu i intereson dikujt që është atje sipër. Berisha më mori shumë deri tani, por ai nuk duhet të mendojë se mund të më marrë më shumë. E akuzova Berishën haptazi në seancën gjyqësore të të ndjerit Hajdari më 2001-shin. Prisja që ai të më akuzonte për shpifje por për çudinë time ai nuk reagoi fare. Ai veproi në mënyrë mafioze duke eleminuar familjarët e mi njëri pas tjetrit dhe tani kërkon të eleminojë fizikisht edhe djalin tim të fundit nga pesë djem që unë kisha. Për këto shkaqe kërkoj reagimin e institucioneve të pavaruara të Shqipërisë, të klasës politike që nuk është nën urdhërat e tij, të institucioneve ndërkombëtare dhe të gazetave e televizioneve, të cilave deri tani Berisha ende nuk ua ka mbyllur dot gojën në mënyrë që Drejtësia në këtë vend të funksionojë njëlloj për të gjithë pavarsisht se kush është e çfarë bën. Gjithkujt t’i jepet hisja që i takon e mirë apo e keqe, vetëm atëherë do të krijohet mundësia që shqiptarët të marrin vesh se çfarë ka ndodhur në Tropojë dhe kush i ka lyer duart me gjak.
Si nisi tragjedia e familjes suaj dhe a është zbuluar ndonjëri prej vrasësve të djemëve tuaj deri tani?
Tragjedia jonë filloi në një miting të PD-së dhe u pasua me vrasjet njëra pas tjetrës të shtatë familjarëve dhe shtatë të tjerëve të afërm të familjes sime. Unë nuk akuzoj të djathtën shqiptare ashtu siç është thënë në disa media, por konkretisht Sali Berishën, i cili për të qenë korrekt erdhi nga zyrat e sekretarit të partisë e mbetet një komunist i pandreqshëm. Të gjitha këto tragjedi na ndodhën kur në krye të shtetit shqiptar u vu një grup personash dhe politikanësh të inkriminuar që për të mbajtur në këmbë karrigen e tyre nuk kursyen asgjë. Mjafton të kujtoj se nuk është zbuluar dhe as shoqëruar në polici qoftë dhe një person i vetëm i dyshuar si autorë i vrasjes së djemëve apo të afërmve të mi. Pas ardhjes në pushtet të Sali Berishës në vitin 2005, ai u vu në kërkim të djalit tim Hamdiut. Duke përdorur prokurorinë e Tropojës e patjetër edhe policinë, ai rrafshoi banesën time dhe dhunoi varret e djemëve të mi të vrarë. Ai mendonte se djali im Hamdiu ndodhej në Shqipëri dhe do të reagonte për t’u hakmarrë ndaj këtyre veprimeve, e pastaj në përpjekje për t’u kapur nga policia ai të vritej pa diskutim. Bile pa qenë nevoja të bënte gjyq, duke vepruar në të njëjtën mënyrë siç vrau edhe djemtë e tjerë. Veç tragjedive e mos zbardhjes së asnjë dosjeje për 14 personat familjarë e të afërm të familjes sime, tani, ndaj ne të mbijetuarëve hapen çështje penale, të cilat janë të paragjykuara pa filluar ende procesi në gjykatë. Herë pas here nga Ministria e Brendëshme në deklarime publike në televizion i bëhet apel Drejtësisë për shkallën e vendimit ndaj djalin tim. Është arritur deri te dizinformimi nga zv/ministri i Brendshëm Lezhja se djali im është i dënuar me burgim të përjetshëm ndërkohë që ai ndodhet akoma nën hetim dhe e vërteta është se djali im dhe anëtarë të familjes sime nuk vrasin pleq, gra e fëmijë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu