Plani ’81, u parashikua spastrimi etnik në Kosovë

0
835

Xhevat Agolli, ish-komandant dhe komisar i Brigadës së Artilerisë në Burrel, tregon planin e vitit 1981, për evakuimin e popullsisë civile të mbetur mes dy zjarresh në rast lufte

Deri në vitin 1981 strukturat e ushtrisë e të pushtetit lokal nuk kishin parashikuar lëvizje masive popullsie përveç asaj vendase që do të gjendej në mes të zjarrit të luftës. Por pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, në brigadat e skalionit të parë në ushtri, ato të cilat përballeshim me kufirin, qarkulloi një material sekret ku kërkohej nga komandat të merreshin masat në rast të dyndjes së refugjatëve shqiptarë nga përtej kufijve shtetërorë.

Për të përballuar një fluks të mundshëm refugjatësh lufte, u bënë një mori stërvitjesh në rang brigade e divizioni, ku qëllimi ishte kompaktësimi i rolit të Forcave të Armatosura, të cilët duhet të bënin transportimin e kontingjenteve larg vatrave të zjarrit. Më pas në bashkëpunim me pushtetin lokal duhej përballuar dhe situata në ushqime, veshmbathje e medikamente. Por nuk ishte vetëm kjo….

…Asgjë nuk mbaronte me shpërnguljen e shqiptarëve nga përtej kufirit që në panik e sipër kërkonin t’i shpëtonin zjarrit të armëve dhe masakrave. Në pikën e grumbullimit të tyre ushtarakët shqiptarë do të bënin një seleksionim i shpejtë. Kush ishte në gjendej të mirë shëndetësore, i ri e i fuqishëm, do të shënjohej si rekrut i ardhshëm i ushtrisë.

Mbas disa ditësh stërvitje të përshpejtuar për përdorim arme, ata do të përbënin kontingjentin rezervë për vazhdimin e luftimeve. Pjesa tjetër, gra, fëmijë e meshkuj të pamundur, të strehuar në thellësi të territorit, do të prisnin përfundimin e luftës. Xhevat Agolli, ish-komandant dhe më pas komisar i Brigadës së Artilerisë në Burrel, tregon për gazetën “Shekulli” planin për evakuimin e popullsisë civile të mbetur mes dy zjarresh në rast lufte.

Si do të veprohej me popullsinë civile në rast të një sulmi frontal nga një ushtri e huaj?

Planet e reja filluan të bëheshin pas trazirave dhe demonstratave të kosovarëve në vitin 1981. Atëherë nga Ministria e Mbrojtjes na u dha një urdhër se si duhet të vepronin Brigadat në afërsi të kufirit, pra ato që ishin skalioni i parë, në rast të një sulmi nga ana e ushtrisë jugosllave. Sulmet frontale ballafaqohen edhe me lëvizje të popullsisë nga zonat e luftës. Në një rast të tillë ne duhet të kryenim dy lloj lëvizjesh, fillimisht duhet të spostonim civilët brenda kufirit, ata që viheshin në mes të dy zjarreve, dhe gjithashtu filluam përgatitjet në rast se do të kishte dyndje refugjatësh nga jashtë kufirit tonë, pra nga shqiptarët që jetonin në trojet e tyre jashtë kufirit shtetëror, në rastin konkret kosovarë apo maqedonas.

Si ishte përcaktuar të bëhej kjo lloj lëvizje?

Rregulli i përgjithshëm ishte që civilët duhet të evakuoheshin në një thellësi prej 25 kilometrash nga vija e kufirit apo nga fronti real i luftës. Për këtë u morën masa të jashtëzakonshme nga ushtria dhe pushteti lokal. Parashikohej që të lëviznin disa qindra mijë trupa dhe për këtë duheshin mjetet e transportit, fjetina apo vend fushimi, spitale për të dëmtuarit e të plagosurit me armë, ushqime e veshmbathje. Në kushtet e reja ne u përgatitëm të përballonim një dyndje të madhe njerëzish, në të njëjtat shifra që ajo ndodhi realisht në pranverën e vitit 1999. Për ata që vinin matanë kufirit fillimisht do të bëhej grumbullimi në një qendër ku bëhej dhe seleksionimi i tyre.

Çfarë nënkuptohej me seleksionim?

Me termin “seleksionim” kuptoheshin disa veprime. Fillimisht duheshin trajtuar të plagosurit. Më pas duheshin seleksionuar ata të rinj që ishin të aftë të përballonin luftën. Ata rekrutoheshin dhe futeshin në frontin tonë kundër ushtrisë kundërshtare. Së treti, në bashkëpunim me shqiptarët përtej kufirit bëhej një verifikim i të gjithë të ardhurve me qëllim që të dilnin të dyshimtët, fjala vjen agjentë serbë të infiltruar në radhët e refugjatëve. Për këtë punë angazhoheshin dhe organet e Ministrisë së Brendshme pasi ishin të specializuar për këto situata.

U bënë stërvitje për të vënë në zbatim këtë plan?

U bënë disa stërvitje shtabi e komandoshtabi ku përcaktohej me imtësi itinerari i lëvizjes, kapacitetet, dhe trajtimi i civilëve si këtej dhe matanë kufirit. Brigada kishte pozicionet e saj dhe i njihte mirë detyrat luftarake. Në çdo lloj operacioni dhe jo vetëm në rast të dyndjes së refugjatëve, parashikohej fillimisht se si do të tërhiqeshin forcat tona civile. Pra ishte parashikuar që nëse nga sulmi i befasishëm forcat jugosllave të futeshin në thellësi prej 10 kilometrash në territorin shqiptar, të bëhej lëvizja e trupave civile që mbesnin mes dy zjarreve. Përcaktohej kalimi i tyre, larg vijës së zjarrit, pra jashtë goditjes kryesore të armikut dhe në drejtimin kryesor të mbrojtjes tonë me qëllim që të kishte sa më pak humbje.

A kishte kosovarë që e kalonin kufirin në vitet ’80, pas përplasjes së demonstruesve me policinë serbe?

Po ka pasur shumë raste. Por ato ishin sporadike. Kalonin një, dy apo një grup prej disa personash dhe jo më shumë. Në përgjithësi ata ndaloheshin nga posta kufitare. Mbaheshin aty dhe u dorëzoheshin forcave të Ministrisë së Brendshme. Por kishte raste kur ata klonin dhe futeshin në thellësi, atëherë kapeshin nga repartet e brigadës së skalionit të parë. Edhe në këtë rast veprohej po ashtu, pasi ishin organet e Ministrisë së Brendshme ato që vërtetonin se çfarë kontingjenti ishin njerëzit që kalonin kufirin tonë shtetëror.

Çfarë tjetër kishte të përcaktuar në plan?

Ishte përgatitja psikologjike. Në luftë përgatitja psikologjike merr rëndësi të veçantë. Sidomos kur ke të bësh me popullsi civile që kalon në panik dhe nuk orientohet nga duhet të shkojë për t’i shpëtuar zjarrit. Në anën psikologjike futej dhe trajtimi i të plagosurve. Bëheshin stërvitje të posaçme me ushtarët aktivë e rezervistë për të seleksionuar llojet e plagëve. Çdo ushtar kishte në pajimet e tij personale dhe kutinë e ndihmës së shpejtë. Ata që kishin plagë të lehta trajnoheshin që të mjekoheshin vetë, ata me plagë më të rënda i mjekonte shoku, dhe ata akoma më rëndë transportoheshin për në spital. Dhe kështu u krijua bindja tek të gjithë se asnjëri prej tyre nuk mbeste i pa trajtuar në fushën e luftës.

Në repartin e katjushave

Ai ka provuar të lëvizi në shumë rrethe ku është emëruar në detyra të ndryshme. Për të qenë një ushtarak karriere, Xhevat Agolli, vazhdoi shkollën e mesme “Skënderbej”. Pas shkollës bëri një vit stazh në repartin e katjushkave në Pezë Helmës të Tiranës. Më pas vazhdon Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në specialitetin e artilerisë tokësore dhe në vitin 1969 pasi del me rezultate të shkëlqyer, titullohet oficer. Emërohet pedagog në Shkollën e Bashkuar në katedrën e artilerisë tokësore. Në vitet 1986-1988 vazhdon Akademinë Ushtarake e më pas Kursin e Lartë të Filozofisë. Merr detyra të rëndësishme në shtabin e Korpusit. Por do të emërohej dhe komandant e më pas komisar i Brigadës së Bulqizës në Burrel. Gjithashtu ai ka pasur dhe detyra të tjera të rëndësishme në divizion. Në vitin 1995 del në rezervë. /shekulli/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu