Plani bullgar nuk e uli papunësinë në Kosovë

0
881

Prishtinë, 12 janar – I prezantuar me entuziazëm të madh, plani i zhvillimit ekonomik i hartuar në pranverë e vitit të kaluar në Bullgari nga Qeveria e Kosovës nuk po reflekton ende. Papunësia vazhdon të mbetet në nivel të lartë, e që ishte një ndër fushat më të “prekura” nga plani. Qeveria kishte paraparë, nga viti 2011 deri më 2014, të punësoheshin 8 deri 10 për qind e punëkërkuesve në listat zyrtare. Analisti  i çështjeve ekonomike, Agron Demi, duke u bazuar në  trendin e zhvillimit ekonomik të Kosovës, thotë se objektivat e Qeverisë janë të paarritshme. 

“Kjo rritje ekonomike nuk do të ndikojë fare në uljen e papunësisë, por ekziston rreziku i rritjes së papunësisë”, thotë Demi.

Plani i Banjskos i prillit 2011 parashihte një rritje ekonomike prej 7-8 për qind, që do të ndikonte në ulje të papunësisë për 8-10 për qind.

“Vetë këto dy objektiva bien ndesh njëra me tjetrën. Nevojitet një rritje shumë më e madhe se 7-8 për qind , për të pasur një ulje të papunësisë 8-10 për qind. Tre vjetët e kaluar rritja ekonomike ka qenë 5-6 për qind, mirëpo papunësia ka mbetur e njëjtë 45-47 për qind”, thotë Demi.

Trendi i largimit nga lista e punëkërkuesve mund të përmbushë objektivat e Qeverisë më së afërti deri në vitin 2020.

Sipas të dhënave të fundit që ka Ministria e Punës, në nëntor të vitit të kaluar kanë qenë të regjistruar 332 208 persona të papunë apo 2800 më pak se në periudhën e njëjtë të një viti më parë. Në 12 muajt e fundit si të papunë janë regjistruar 19 409 të papunë të rinj. Në të njëjtën periudhë janë regjistruar 7 562 persona që kanë dalë nga lista e personave të papunë

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu