Plani Micotakis-Millosheviq për ndarjen e Maqedonisë

0
452

Në Maqedoni po debatohet lidhur me një libër grek të titulluar “Aleanca e Poshtër” e autorit Tahis Mihas, i cili hedh dritë mbi planet greko – serbe për ndarjen e Maqedonisë, transmeton INA.

Kjo temë ka nxitur debate dhe analiza edhe tek qarqet analitike dhe politike maqedonase, të cilët kanë komentuar librin dhe kanë vënë në shënjestër edhe planin e ndarjes në të cilin do të ishte përfshirë edhe Shqipëria.

Në vitin 1992, në Athinë me nismë të kryeministrit të asaj kohe, Konstantin Micotakis ishin zhvilluar tri takime për ndarjen e Maqedonisë. Në takimin e parë, presidenti i Rumanisë kishte refuzuar propozimin e kryeministrit grek, ndërsa përfaqësuesit e Bullgarisë dhe ish-Jugosllavisë, kjo e fundit që udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviqi, kishin shprehur qëndrime të përmbajtura. Në këto takime nuk ishte ftuar Shqipëria. Në takimin e dytë, kësaj radhe pa Rumaninë, presidenti bullgar Zhelju Zhelev ishte shprehur i përmbajtur, ndërsa Sllobodan Millosheviq kishte kërkuar se duhet të pritet edhe pak kohë për shkak të angazhimeve të tij në Kroaci dhe Bosnjë – Hercegovinë. Ka pasur edhe takim të tretë, vetëm mes Micotakis dhe Millosheviqit, ku nuk ka pasur marrëveshje ashtu siç thuhet siç kishte dashur Micotakis.

Vetëm pas përfundimit të këtyre tre takimeve, Shkupi zyrtar ishte njoftuar mbi zhvillimin dhe përmbajtjen e tyre. Plani për agresionin ushtarak grek ndaj Maqedonisë ishte vërtetuar edhe nga zyrtari grek i shërbimit sekret Glikaris.

“Jo rastësisht edhe sot, Aleanca Greko – Bullgare dhe pjesërish edhe me Rumaninë, përsërit planin, por tani duke bllokuar proceset evrointegruese të Maqedonisë për në BE. Kësaj radhe kjo shkon në mënyrë më të sofistikuar, për dallim nga plani i vjetër i agresionit. Edhe pas 20 viteve, politika strategjike greke është e udhëhequr nga përcaktimet e njëjta të definuara nga Micotakis dhe bashkëpunëtori i tij Samaras, i cili është kryeministër aktual i Greqisë”, shkruan gazetari maqedonas, Aleksandar Damovski. Plani greko – serb ishte i qartë që të përkufizohej ndarja e Maqedonisë dhe vendosja e kufirit midis Greqisë dhe Serbisë. (INA)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu