Plani sekret i Kryeministrit Mustafa!

0
499

Isa

Ka kaluar më shumë se një javë që kur Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Isa Mustafa e ka miratuar planin e saj qeverisës, mirëpo ky plan ende nuk është bërë publik. Deri më tani krejt çka dihet është një postim i kryeministrit Mustafa në Facebook, se ai plan nuk do t’i pëlqej siç ka thënë ai atyre që drejtojnë kazinot, duke aluduar në AAK-në dhe atyre që tentojnë të kthejnë sistemin e kooperativave, duke aluduar në Vetëvendosjen. Mirëpo, pa dhënë detaje se çka konkretisht do të përmbaj ky plan qeverisës.

Zëdhënësi i ekzekutivit të vendit, Arban Abrashi ka thënë për Gazetën Blic se plani do të publikohet shumë shpejt, mirëpo nuk ka treguar kohën e saktë e as detaje se çka konkretisht do të përmbaj ky plan.

“Programi i Qeverisë së Republikës së Kosovës 2015-2018 do të publikohet së shpejti. Kuptohet që konform respektimit të praktikave institucionale, Programi do t’i kalohet Kuvendit, dhe do të vlerësohet nëse reflektimi nga ana e deputetëve dhe organeve të Kuvendit ka nevojë të akomodohet në kuadër të Programit. Procesi i konsultimeve do të fokusohet në përfshirjen e kontributeve substancial nga ana e Kuvendit. Do të jemi ekspeditiv sepse nuk ka kohë për të humbur. Në momentin e përmbylljes se këtij procesi, Programi do të publikohet, dhe ne do të inkurajojmë qasjen reflektuese nga të gjitha palët, përfshirë edhe medien. Pavarësisht ky është një dokument programor i Qeverisë që është në shërbim të shtyrjes se agjendës ekzekutive”, ka thënë Abrashi për Gazetën Blic.

Ndonëse buxheti i miratuar nga ana e Kuvendit të Kosovës për këtë vit është bërë në vija të plota me planin qeverisës së qeverisë  Thaçi II, Abrashi ka thënë se kjo nuk do të jetë pengesë për realizimin e planit qeverisës së Qeverisë Mustafa.

“Buxheti është një proces, ndërsa Programi një tjetër. Në njërën anë, Programi ka marrë në konsideratë planifikimet paraprake, dhe paralelisht është projektuar në atë mënyrë që procesin e rishikimit buxhetor i cili do të bëhet së shpejti, ta përkthej Programin në një moment dhe mundësi të re. Procesi i rishikimit buxhetor do të bëhet në përputhje më Programin 2015-2018, dhe veçmas do të reflektojë pesë prioritetet e këtij programi në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, punësimin dhe mirëqenien sociale, sundimin e ligjit dhe shtetit të së drejtës, agjendën evropiane, si dhe reformat thelbësore sektoriale”, ka thënë Abrashi.

Ai ka thënë se bazë e këtij programi do të jenë zhvillimi ekonomik dhe mirëqenia e qytetarëve, nëpërmjet ekonomisë së tregut.

“ Gjithsesi, bazament i këtij programi qeverisës është promovimi i zhvillimit ekonomik dhe i  mirëqenies nëpërmjet ekonomisë së tregut. Ne gjithashtu së shpejti do të kemi edhe procesin e hartimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Kosovës, proces i cili do të shpie tutje qasjen programore dhe strategjike në qeverisje dhe zhvillim. Kryeministri dhe Qeveria e Republikës së Kosovës janë përkushtuar që vendit t’i ofrojë një qeverisje të bazuar në parametra modern, dhe në përkthim të këtij qëndrimi politik jemi të pa kompromis”, thotë Abrashi për Gazetën Blic.

Në anën tjetër, analistët politik kanë vërejtje për këtë zvarritje nga ana e kryeministrit Mustafa për publikimin e planit qeverisës.

Jetmir Bakija nga KDI-ja ka thënë për Gazetën Blic se “për publikun, Kryeministri Mustafa ende nuk ka një Program Qeveritar sepse nuk e ka bërë publik apo të qasshëm edhe një javë pas miratimit të tij në Qeveri. Krejt çka dihet për këtë plan është përmes një postimi të Kryeministrit Mustafa në Facebook. Është për çudi që Kryeministrit Mustafa në këtë postim thotë se ky program “Nuk iu pëlqen atyre që nuk e kanë lexuar” ndërsa nuk e ka të qasshëm as në ueb-faqe zyrtare që një javë dhe as nuk e ka shpërndarë tek mediat që të kemi mundësinë ta lexojmë”.

“Në postim të tij në facebook prej 536 fjalësh, Kryeministri Mustafa mburret se ka një Program Qeveritar për herë të parë por nuk përmendet, në këto pak fjalë, asnjë plan apo projekt konkrete por vetëm fjalë që duken më shumë boshe si “Le të jetë moto e këtij Programi: Të jetojmë nga puna jonë dhe dija jonë! Ta ruajmë dinjitetin dhe krenarinë tonë! Të mburremi se jemi njerëz të Kosovës dhe që po punojmë për Kosovën!” Pra kjo të lë të kuptojë që ky Program fshihet pas fjalëve të mëdha dhe veprimeve konkrete se çfarë mund të presim nga Qeveria Mustafa”, ka thënë Bakija.

Sipas tij, nëse vazhdon me këtë qasje të mos publikimit të dokumenteve kyçe në ueb-faqe atëherë duket se Kryeministri Mustafa do ta vazhdon mos-transparencën e qeverisë së kaluar, gjë që nuk i ka shërbyer mirë Kosovës.

Bakija thotë se ky nuk duket të jetë një plan serioz nga ana e ekzekutivit kosovar.

 

Në bazë të një njoftimi të shkurtë në ueb-faqe zyrtare dhe një postimi në Facebook të Kryeministrit Mustafa, nuk ka indikacione se ka ndonjë plan serioz por më shumë dëshira. Përpos fjalëve të mëdha që më shumë duken demagogji, në këtë moment, një javë pas miratimit në Qeveri nuk ka një plan serioz. Ne kemi nevojë për një plan të detajuar për këto 3 vite mandat efektiv që kanë mbetur. Mbetet të shihet kur të vijë në Kuvend të Kosovë se a përmban ndonjë gjë konkrete ky program, sepse besoj se Kuvendi nuk ka zgjidhje përpos ta bëjë transparent”, tha ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu