Platforma e Thaçit me disa opozitarë për kompromis me Serbinë e Daçiqit

0
752

Qeveria e Kosovës dhe kryeministri i saj aq shumë e aq shpesh kanë theksuar se s’kemi pse merremi me Rezolutën e Platformën e Serbisë saqë ajo mbase edhe nuk duhej lexuar fare sipas tyre. Njëkohësisht, vazhdonin ata, Kosova nuk ka pse harton Platformë të saj për dialogun politik meqenëse ne s’duhet ta imitojmë Serbinë dhe fryma, germa e vijat e kuqe për neve tashmë i ka shkruar ish Presidenti finalandez Marti Ahtisaari. Sidoqoftë, kryeministri Thaçi i mblodhi pardje krerët partiakë të koalicionit qeverisës dhe ata opozitarë që s’e kundërshtojnë dot, për të përpiluar një dokument i cili si në strukturë po ashtu edhe në përmbajtje i ngjan pikërisht një Platforme për dialogun politik me Serbinë.

Shumëçka do të mund të thuhej për këtë Platformë dhe kontekstin e saj politik, mirëpo këtu po kufizohem në pesë elemente që m’u dukën më të rëndësishme. E para, kjo Platformë i referohet territorit gjeografik në veri të lumit Ibër në Kosovë si Veriu i Kosovës, pra me ‘V’ të madhe thua se bëhet fjalë për një entitet të veçantë, tërësisht në përputhje me aspiratat e Serbisë. Së dyti, problematizimi i strukturave shtetërore të Serbisë në Kosovë kufizohet vetëm te ato të MUP-it famëkeq duke mos i quajtur ato as armiqësore, as kriminale dhe, në fillim, as ilegale, por vetëm struktura të sigurisë.

Më tej, kërkohet veçse largimi i këtyre strukturave, gjë që paraqet një lloj amnistie për krimet e tyre të panumërta në këto vitet e pasluftës. Së treti, është ofenduese që kjo Qeveri të zotohet që do të themelojë ‘Fondin Zhvillimor për Veriun’ në kohën kur edhe qasja e vizioni, edhe buxheti shtetëror, sipas kësaj Qeverie e vitet e saj të qeverisjes, mund të jenë gjithçka tjetër përveçse zhvillimore. Së katërti, asnjë fjalë nuk thuhet në këtë Platformë për Luginën e Preshevës, përkatësisht Kosovën Lindore, ashtu qysh e kishim parashikuar qysh moti. Dhe, së pesti, fjalia “Natyrisht, ne e kuptojmë që Serbia nuk do të mund ta njohë pavarësinë e Kosovën në fund të këtij procesi…” shfaq mirëkuptim sa të çuditshëm aq edhe të dëmshëm të Thaçit dhe të të tjerëve për Serbinë. Kjo do ta trimërojë Serbinë dhe do të ketë pasoja të mëtutjeshme në zbutjen e qëndrimit të faktorëve ndërkombëtarë karshi saj.

Platforma e Qeverisë së Kosovës me të cilën u pajtuan edhe disa opozitarë po e përgatit terrenin për kompromisin e radhës për Kosovën. Ky kompromis nis me veriun por zgjatet edhe te njëfarë bashkësie e komunave me shumicë serbe si dhe sërish te trashëgimia kulturore ortodokse. Meqë ky dialog nuk bazohet në drejtësi ai s’mund të sjellë drejtësi. Nuk është i bazuar në drejtësi sepse nuk ka asnjë parakusht për Serbinë dhe aty dialogohet veçse për çështje të brendshme të Kosovës. Nuk do të sjellë drejtësi andaj më shumë koncesione drejt marrëveshjes së kompromisit do të kërkohen nga pala më e dobët e që në këtë rast është Kosova.

Bashkimi Evropian dhe Serbia pajtohen që ndërmjet idesë së ndarjes së Kosovës dhe Planit të Ahtisaarit ekziston një hapësirë. Zyrtarë të shumtë të BE-së që janë preokupuar me rajonin e Ballkanit perëndimor, në kohëra dhe forma të ndryshme, e kanë pohuar këtë gjë. Këta zyrtarë evropianë dhe qeveritarët serbë mund të mos pajtohen për madhësinë e asaj hapësire por jo edhe për faktin nëse ajo ekziston. Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës duket se pretendon të kundërtën, së paku deklarativisht e para publikut kosovar. Mirëpo, kjo Platformë tash porsi edhe vetë hyrja në dialog me Serbinë më herët, e demantojnë Qeverinë e Kosovës.

BE-ja dhe Serbia po nxitohen për njëra-tjetrën, kurse Kosova po përfundon si dëm kolateral. Thaçi është këtu në Kosovë (dhe jo vetëm atëherë kur shkon atje në Bruksel) për ta riemëruar këtë dëm si ndonjëfarë fitore të Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është abnormalizim i veriut dhe i krejt Kosovës. E gjithë kjo për normalizim të marrëdhënieve të Thaçit me BE-në ku ky jep shtetësi e territor të Kosovës ndërkaq merr imunitet politik nga EULEX-i për korrupsionin e tij.

Po ky kryeministër që para disa muajve thoshte që nuk do të ketë dialog politik me Serbinë, kurse para disa javëve që nuk do të dialogojë me Serbinë për veriun e Kosovës, tash na thotë që nuk do të lëshojë pe në këtë dialog politik i cili qartazi me 17 janar 2013 do të jetë (edhe) për veriun e Kosovës. Siç e tha vetë Maja Kocijançiq, zëdhënësja e Baroneshës Ashton: “Raundi i ardhshëm i dialogut Prishtinë-Beograd do të jetë më i vështirë se takimet e tjera të mbajtura deri më tani dhe tema e veriut do të jetë temë kryesore”.

Dihet që Serbia është faktor destabilizues dhe destruktiv në Kosovë. Nëpërmjet dialogut politik në Bruksel me Kosovën e për Kosovën, Serbia po legalizohet si faktor stabiliteti dhe faktor konstruktiv në sytë e BE-së. Kësisoj, ajo po ribëhet hisedare në stabilitetin dhe ndërtimin institucional në Kosovë. Nga këndvështrimi i BE-së, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë janë komplementare në Kosovë si faktor stabilizues e ndërtues. ‘Normalizimi i marrëdhënieve’ ndërmjet Kosovës e Serbisë është sajimi i kësaj marrëdhënie komplementare në Kosovë ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë.

 

Shkruan: Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu