Po të kisha benzinë do të digjja gjykatësin dhe veten!

0
1283

TIRANË- “Më vratë djalin dhe babanë për herë të dytë, turp të keni”, me këto fjalë iu drejtua treshes gjykuese të Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, nëna e 7-vjeçarit Erison Durda, e cila prej katër vitesh kërkon ndëshkimin e atyre që ngritën punishten e demontimit të municioneve shumë pranë shtëpisë së saj. Djali i saj ishte një mes 26 viktimave të kësaj tragjedie. Në ato momente po luante me biçikletën e tij në oborrin e banesës. Zamira Durda, e veshur me të zeza që pas shpërthimit të datës 15 Mars 2008, si në çdo seancë gjyqësore, edhe dje ishte e pranishme në sallën e gjyqit së bashku me bashkëshortin e saj Feruzan Durda dhe tre nëna të tjera të cilët kanë humbur të dashurit e tyre nga ky shpërthim.

Të katërt së bashku, pasi iu nënshtruan kontrollit fizik nga efektivët e policisë për sende të ndaluar, hynë në sallën e gjyqit, duke u ulur si gjithmonë në fund të sallës. Salla e gjyqit nr.1 që ndodhet në katin e parë të Gjykatës së Tiranës, si asnjëherë tjetër, ishte mbushur me shumë efektivë të policisë, të cilët vigjilonin çdo lëvizje të të pranishmëve. Përveç familjarëve të viktimave, aty ndodheshin edhe disa nga të pandehurit, avokatët, prokurorët dhe mediat. Ndërsa, kafazi i hekurt që ndodhej në krah të djathtë të kësaj salle, ishte bosh, pasi kohë më parë të katër të pandehurit e arrestuar, Ylli Pinari, Dritan Minxholli, Mihal Delijorgji dhe Sokol Ngjeçi u liruan për shkak të afateve hetimore. Treshja gjykuese nuk vonoi shumë dhe hyri në orën 10:10.

Kryesuesi u shpreh se do të lexonte vetëm dispozitivin (shkurtimin) e vendimit dhe avokatët e prokurorët të marrin kopjen e arsyetuar në kryesekretari. Leximi i vendimit me masat e dënimit dhe akuzat zgjati vetëm 15 minuta dhe në përfundim të fjalës së kryesuesit të togave të zeza, reaguan familjarët e viktimave duke akuzuar treshen gjykuese për korrupsion. “Turp, turp t’ju vij! Mallkuar qofshi! Ju ndodhtë me prokurorë me avokatë dhe gjyqtarë, siç më ndodhi mua. Ma vratë djalin dhe babën për herë të dytë. Turp të keni, kafshë! Sipas jush, me këtë vendim fajin e kanë viktimat”- tha Zamira duke bërtitur dhe drejtuar gishtin tek treshja gjykuese. Por, pas mbarimit të kësaj fjale, nëna e 7 vjeçarit e shoqëruar edhe nga tre gratë e tjera, bllokoi për disa minuta derën e daljes kryesore të korridorit të Gjykatës në katin e parë. “Asnjë nuk duhet të dalë që këtu, mos më prekni!

Dua të mësoj sa i kanë paguar. Askush nuk do të dalë që këtej”-bërtiste Durda duke iu drejtuar efektivëve të policisë që kërkonin të lironte derën. Bashkëshorti i saj, Feruzan Durda, u mundua disa herë ta qetësonte duke e ftuar të shkonin së bashku në kafe, por ajo vazhdonte të mallkonte gjyqtarët dhe njerëzit që i morën jetën djalit të saj. Pas pak minutash u qetësua dhe e liroi derën duke u larguar duke qarë së bashku me të afërmit e tjerë që e shoqëronin. Por, sapo ka zbritur nga shkallët, nëna e 7 vjeçarit u drejtua te hyrja kryesore e Gjykatës, duke kërkuar që të takonte trupin gjykues të çështjes.

“Dua të takoj gjyqtarin, dua të takoj Ridvan Hadon, Fatmira Hajdarin dhe Shefkije Demiraj, t’i pyes sa lekë kanë marrë për këtë vendim”-thoshte me zë të lartë ajo. Policët nuk i lejuan duke u bërë një gardh para hyrjes së Gjykatës. E ndodhur në këtë situatë të rënduar psikike, ajo u var në duart e bashkëshortit. “Më lini, dua të vdes, po të kisha benzinë do t’i digjja ata dhe veten këtu”-tha me gjysmë zëri. Zamira u largua së bashku me bashkëshortin nga ambientet e Gjykatës së Shkallës së Parë, ku tre herë në javë vinte për të ndjekur seancat gjyqësore. Vendimi i djeshëm u dha vetëm 4 ditë para se të mbushet 4 vjetori i shpërthimit të punishtes së demontimit të municioneve në Gërdec.

 

 

Prokuroria: Vendim, i papranueshëm. Do të apelojmë

TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë deklaron fajtor vetëm 19 prej të akuzuarve, të cilët në total i dënoi me 90 vite burg dhe 26.5 milion lekë gjobë. Këta të pandehur, sipas togave të zeza, me veprimet e tyre direkte dhe indirekte kanë sjell pasojat e shpërthimit të datës 15 Mars 2008 ku gjetën vdekjen 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosen ose u gjymtuan. Ndërkaq për 9 të pandehurit e tjerë, togat e zeza dhanë pafajësi me argumentin se nuk kanë kryer asnjë vepër penale gjatë veprimeve të tyre. Ndërsa për të pandehurin Lavdi Shatro, Gjykata vendosi kthimin e dosjes në prokurori për hetime të mëtejshme.

Ky është konkluzioni i nxjerrë nga treshja gjykuese e kryesuar nga Ridvan Hado dhe anëtarët Fatmira Hajdari dhe Shefkije Demiraj, pas shqyrtimit të dosjes penale në 211 seanca gjyqësore brenda një afati trevjeçar. Sipas këtij vendimi, asnjë nga të pandehurit nuk kishte konsumuar veprën penale të “vrasjes”, siç pretenduan përfaqësuesit e prokurorisë, të cilët në këtë proces gjyqësor sollën disa të pandehur duke i akuzuar për “vrasjen masive”. Ishin përfaqësuesit e prokurorisë, të cilët gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare kërkuan nga togat e zeza, që tre nga 29 të pandehurit të dënohen me “burgim të përjetshëm” ndërsa 25 personat e tjerë në total të dënoheshin me 127 vite e 6 muaj burg dhe 80.9 milionë lekë të reja gjobë.

Ndërsa për një të pandehur, prokuroria kishte arritur në konkluzion se ishte i pafajshëm. Por, togat e zeza, gjatë leximit të vendimit të djeshëm, jo vetëm që nuk pranuan dënimin me burgim të përjetshëm për të pandehurit Ylli Pinari, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli, të cilësuar si arkitektët e fabrikës së demontimit, por u ndryshoi edhe akuzën. Nga vepra e “vrasjes në rrethana cilësuese të një apo më shumë personave”,  të pandehurit u dënuan për akuzat e “shkatërrimit të pronës nga pakujdesia”; “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”; “Shpërdorimi i detyrës nga kuadri komandues”; Shkeljes së rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse dhe radioaktive” dhe “shkatërrim të pronës me eksplozivë”. Bazuar në këto vepra penale, sipas vendimit të Gjykatës i pandehuri Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli u dënuan me nga 18 vjet burg secili, Sokol Ngjeçi dhe Mihal Delijorgji u dënuan me nga 10 vite burg secili, ndërsa gjenerali i arratisur Luan Hoxha u dënua me 6 vite heqje lirie.

Asnjë nga të pandehurit e lartpërmendur nuk ishin prezent në sallën e gjyqit, edhe pse prej kohësh po shijojnë lirinë duke përfituar nga zvarritjet e procesit gjyqësor. Por, pas leximit të vendimit, të parët që reaguan për këto masa të ulta dënimi ishin familjarët e viktimave, të cilët akuzuan togat e zeza për korrupsion. Më pas, ishin prokurorët e çështjes që u shprehen për median, se vendimet jo vetëm që janë të papranueshme, por edhe do të apelohen brenda 5 ditë në Gjykatën e Apelit Tiranë. Në këtë mendim, ishin edhe disa nga mbrojtësit e tjerë të të pandehurve, klientët e të cilëve u dënuan. Ata u shprehen, se masat e dënimit ishin të larta dhe do të apelohen. Ndërsa, një pjesë e të pandehurve që ishin në sallën e gjyqit, të cilët morën pafajësi, u shprehen të kënaqur, që sipas tyre, “drejtësia për ne u vendose në vend”. Procesi gjyqësor që përfundoi në Gjykatën e Shkallës së Parë paraditen e djeshme, ka filluar më 15 Korrik 2009.

 

Familjarët e viktimave: Kush i vrau të dashurit tanë?

Familjarët e viktimave të shpërthimit Gërdec bënë dje një deklaratë për mediat. Megjithë dhënien e një vendimi nga gjykata e Tiranës, ende pyesin se kush i vrau të dashurit e tyre. “Sot pas 4 vitesh seancash maratonë të sistemit të drejtësisë, më në fund është zbuluar se kush dëmtoi muret rrethuese të shtëpive, se cili shkaktoi dëm me anë të vjedhjes së municioneve, se cili falsifikoi dokument-at nga një zyrë e shtetit tek tjetra, por ngeli ende enigmë se cili vrau 26 veta nga të dashurit tanë.”- thuhet në deklaratë.

“Dhënia e vendimit shkaktoi tek ne si të dëmtuar drejtpërdrejtë nga shpërthimi, dhimbje të njëjtë me atë të vetë ngjarjes. Në u përballëm me vrasje në masë dhe si e tillë duhet të ishte gjykim në masë ndaj këtij krimi që na u shkaktua. Autorët e krimit ose nuk u gjykuan, si në rastin e Fatmir Mediut, ose nuk u dënuan për krimin kryesor, atij të vrasjes së 26 personave të pafajshëm. Ne kemi 4 vite që zgjohemi pa të dashurit tanë, por që nesër jemi të bindur se po zgjohemi të gjithë si shqiptar pa institucione shtetërore. Ky krim i shëmtuar i përket të gjithëve. Sot gjithkush mund të vrasë për shkak të fitimeve të veta dhe precedenti tregon se nuk do të dënohet në masën e duhur. Eksperienca nga ky vendim tregoi se “jeta” për institucionet është e pavlerë, kur bëhet fjalë për njerëzit e thjeshtë. Me këtë vendim, drejtësia nuk ishte vetëm e vonuar por në njëjtën kohë dhe e dështuar”-deklarojnë të afërmit e viktimave.
Konfiskohen dhe kalojnë në favor të shtetit:

Shumat në total: 4994.77 Euro; 1.568.403.31 Lek dhe 956.15 USD.

Një pistolete me ngjyrë të bardhë, me dorezë ngjyrë kafe, ku në trup ka shkrimin “BLOW MINI MOD 2003” dhe ka të stampuar Nr.6-209479, me karikator, pa fishekë.

7.700 dollarë amerikanë, kartëmonedha, sekuestruar shtetases Valbona Lloha.

25.190 euro, sekuestruar shtetases Valbona Lloha.

1.057.600 lekë, sekuestruar shtetases Valbona Lloha.

E gjithë sasia e materialeve skrap, gëzhoja tunxhi të kalibrave të ndryshëm, të dëmtuara ose jo, predhave të shtime të dëmtuara ose jo, të mbledhura pas pastrimit dhe përpunimit të zonës së shpërthimit.

Të gjitha mbetjet e tjera metalike (skrap) të gjetura në vend-ngjarje, të cilat nuk kanë lidhje me municionet luftarake,

 

 

Vendimi i trupit gjykues

1. Ylli PINARI, 18 vjet burg

2. Dritan MINXHOLLI, 18 vjet burg

3. Sokol NGJEÇI, 10 vjet burg

4. Mihal DELIJORGJI, 10 vjet burg dhe “Heqja e së drejtës së ushtrimit të detyrave drejtuese” për një periudhë prej 5 vitesh

5. Luan HOXHA, 6 vjet burg dhe “Ndalohet e drejta për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për 4 vite

6. Shkëlzen MADANI, 3 vite burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë si dhe “Heqja e të drejtës për të ushtruar funksione publike”, për një periudhë prej 3 vitesh

7. Dashnor ÇAUSHI, 3 vjet burg dhe “Ndalohet e drejta për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për 2 vite

8. Hilmi LAÇAJ, 3 vite burg dhe “Ndalohet e drejta për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për 2 vite

9. Gëzim OSHAFI, 3 vjet burg dhe “Ndalohet e drejta për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për 1 vit

10. Jorgo MINO, 3 vjet burg dhe “Ndalohet e drejta për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për 1 vit

11. Fari TOSKA, 3 vjet burg dhe “Ndalohet e drejta për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për 1 vit

12. Zenun FERO, 3 vjet burg dhe “Ndalohet e drejta për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për 1 vit

13. Hysni ÇOÇKA, 3 vite burg dhe “Ndalohet e drejta për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për 1 vit

14. Shoqëria ALBADEMIL sh.p.k., dënohet me 25.000.000 lekë gjobë dhe si dënim plotësues “ndalimi i përhershëm për të marrë pjesë në procedurat e prokurimit të fondeve publike” dhe “Heqja e së drejtës së ushtrimit të çdo lloj veprimtarie që ka lidhje me armët dhe municionet luftarake dhe lëndët plasëse” për një periudhë kohe prej 10 vjetësh

15. Shpëtim SPAHIU, me kush për 3 vite dhe “Ndalim i të drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore”, për 3 vjet.

16. Ndue MARKU, 1 vit burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë

17. Fatbardh KUÇI, 1 vit burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë

18. Denis HAJDARI, 1 vit burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë

19. Armand TARTARI, 1 vit burg dhe 300 mijë lekë gjobë

20. Agim LALA, i pafajshëm

21. Adriatik MEMA, i pafajshëm

22. Juliana MARGARITI, e pafajshme

23. Ardian MULLAHI, i pafajshëm

24. Fiqiret MATO, i pafajshëm

25. Zija BAHJA, i pafajshëm

26. Agim BABAMETO, i pafajshëm

27. Rezart TËRSHANA, i pafajshëm

28. Besnik DAUTI, i pafajshëm

29. Lavdi SHATRO, kthehet dosja në prokurori

 

Pretenca e Prokurorisë

Mihajl Delijorgji, me burgim të përjetshëm

Dritan Minxholli, me burgim të përjetshëm

Ylli Pinari, me burgim të përjetshëm dhe 2 milion lekë të reja gjobë

Sokol Ngjeçi me 23 vite burg
Shkelzen Madani me 8 vite burg dhe 2 milion lekë të reja gjobë

Shpëtim Spahiu me 8 vite burg
Luan Hoxha me 8 vite burg,

Dashnor Çaushi me 8 vite burg
Ardian Mullai me 7 vite burg

Zija Baja me 6 vite burg
Armand Tartari me 4 vite e 6 muaj burg

Zenun Ferro me 4 vite e 6 muaj burg

Agim Lala, me 4 vite burg
Fari Toska me 4 vite burg
Agim Babameto me 4 vite burg
Hilmi Laçaj me 4 vite burg

Jorgo Mino me 4 vite burg

Rezart Tërshana me 4 vite burg

Hysni Çoçka me 4 vite burg

Fatbardh Kuçi me 3 vite e 6 muaj burg

Gëzim Oshafi me 3 vite e 6 muaj burg

Denis Hajdari me 3 vite e 6 muaj burg

Besnik Dauti me 3 vite e 6 muaj burg

Ndue Marku me 3 vite burg dhe 400 mijë lekë gjobë

Juliana Margariti me 2 vjet e 6 muaj burg dhe 300 mijë lekë të reja gjobë

Fiqiret Maton me 2 vite burg dhe 1 milion lekë të reja gjobë

Ardian Mema me 1 vit e 200 mijë lekë të reja gjobë

Personi Juridik “Albademil” me 75 milion lekë gjobë

Lavdi Shatro, prokuroria tërhoqi akuzën

 

Nga, Flamur Vezaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu