Policët e veriut i zgjedh Serbia

0
762

Do të jenë rreth 300 pjesëtarë të komunitetit serb të komunave të veriut që do të përfshihen në Policinë e Kosovës, por të premten, një ditë pas marrëveshjes në Bruksel, askush në Prishtinë nuk ka dhënë detaje se si do të shkojë procesi i inkuadrimit të këtyre pjesëtarëve në PK.

Derisa Prishtina zyrtare që nga fillimi i bisedimeve procesin e ka mbajtur në konfidencë, në Serbi thonë se kryeministri serb, Ivica Daçiq është siguruar në Bruksel se me punësimin e serbëve të Kosovës në polici do të merret Serbia. Madje, siç thuhet ky proces nuk nënkupton njohjen e statusit të Kosovës. Kështu janë përgjigjur zyrtarë të qeverisë së Serbisë për gazetën ‘Zëri’. Ata madje thonë se me policët e Kosovës do të merret Serbia dhe se listën se kush do të futet në policinë e Kosovës do ta bëjnë ata.

“Do të bëjmë listën e atyre që do të paraqiten për të hyrë në policinë e Kosovës. Ne u themi të gjithëve që të mos hezitojnë, për shkak se ky proces nuk nënkupton njohjen e statusit të Kosovës. Ata vetëm do të kujdesen për interesat e serbëve të Kosovës ndërsa ne do të kujdesemi për vetë policët”, është përgjigjja e tyre.

E jo zyrtarisht gazeta ka kuptuar se në Bruksel janë marrë vesh që 300 policë serb, që deri tani kanë punuar për Ministrinë e Brendshmet ë Serbisë (MUP) të inkuadrohen në Policinë e Kosovës.

Sidoqoftë, këto mbesin versione të Serbisë, pasi që delegacioni i Kosovës, në krye me Hashim Thaçin e koordinatorin nga AAK, Blerim Shala, vazhdojnë t’i mbajnë marrëveshjet e fshehura, të pasqaruara, të përfolura vetëm sipërfaqësisht, përkundër insistimit të gazetës që dikush të sqarojë apo të komentojë atë që e thotë Serbia.

Ndonëse vetë nuk e sqarojnë, kabineti i tyre qeveritar paraqitet se nuk dinë se çfarë ka ndodhur më 5 dhjetor në Bruksel.
Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri thotë se për këtë mund të flasin vetëm ata që kanë qenë në takim.

Bekim Çollaku, këshilltari i Thaçit i cili ka përcjellë takimin ka ndalur telefonin tërë ditën. Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuçi, që ishte po ashtu në takim, tha se ai ka qenë për të folur për drejtësinë e jo policinë. Ndërkaq Blerim Shala, nga AAK, koordinues i bisedimeve si çdo herë tjetër, vazhdon të mos flasë për media.

Sidoqoftë, analisti për çështje të sigurisë, Ramadan Qehaja deklaratën e Serbisë se ajo (Serbia) do të merret me policët serbë të Kosovës, e konsideron të rrezikshme për vendin, proces që sipas tij, vetëm do të shkaktojë probleme në të ardhmen.

“Pikë së pari kur flasim për integrimin e 300 policëve të Ministrisë Brendshme të Serbisë të kalojnë në atë të Kosovës, pa ditur se kush janë ata policë, pa shikuar të kaluarën e tyre nëse kanë qenë të përfshirë në vepra kriminale, është e patolerueshme”, tha Qehaja.

Me këtë mënyrësiç po deklaron Serbia ne do të kemi përzierje të kompetencave, ku policët e integruar në policinë e Kosovës do të jenë nën direktivat e të dy qeverive, edhe Kosovës edhe asaj të Serbisë.

“Si të tillë, kjo do të ndikojë negativisht në policinë e Kosovës. Mund të kemi hezitim prej anës tyre që të luftojnë krimin që mund të jetë prezent në veri të vendit”, tha Qehaja.

Ndryshe me 5 dhjetor siç u tha në Bruksel, dy kryeministrat janë pajtuar mbi policinë, ndërsa po këtë muaj me 13 dhjetor do të vazhdojnë dialogun mbi çështjet e gjykatave në veri të Kosovës.

 

Nga: Besiana Xharra

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu