Polici i vetëvrarë hetohej për vrasjen e Xhemajl Mustafës?!

0
427

Familjarët e Ismail Gërbeshit, policit që më 28 janar bëri vetëvrasje duke u hedhur nga kati i tetë i banesë së tij, i kanë dërguar një kërkesë EULEX-it për të marrë përgjigje nëse ai ishte i hetuar rreth rastit të vrasjes së Xhemajl Mustafës.

Këtë kërkesë familjarët e Gërbeshit e kanë bërë pas qarkullimit të fjalëve se ai mund të jetë duke u hetuar si pjesëmarrës në vrasjen e veprimtarit të LDK-së, Xhemajl Mustafa.

Ibrahim Gërbeshi, djali i agjës së Ismailit, ka mohuar që ia të ketë pasur lidhje me vrasjen e Xhemajl Mustafës, raporton KTV.

Deri më tash familja Gërbeshi nuk ka marrë asnjë përgjigje nga EULEX-I.

28 Janar 2013 07:38 Bie nga kati i tetë, vdes rreshteri i policisë

smajl Gërbeshi, pjesëtar i Policisë së Kosovës, dyshohet se ka kryer vetëvrasje duke rënë nga kati i tetë i banesës së tij. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë. Familjarët dyshojnë se shkas i vetëvrasjes ishin lëndimet që i ndjeri mori pasi u rrëzua gjatë orarit të punës. Në polici rasti është hapur si vdekje e dyshimtë.

Nuk e duroi dot gjendjen shëndetësore pas lëndimeve që mori para tri jave gjatë orarit të punës, prandaj edhe dyshohet se i dha fund jetës së tij duke rënë nga kati i tetë. Është kjo arsyeja që sipas familjarëve të ngushtë e shtyu Ismajl Gërbeshin 55 vjeç të kryejë vetëvrasjen. Kjo ngjarje tragjike, që ka ndodhur mëngjesin e hershëm të ditës së hënë, ka shokuar gjithë lagjen “Bill Clinton” në Prishtinë.

Ismajl Gërbeshi, rreshter i Policisë së Kosovës është gjetur pa shenja jete poshtë ndërtesës ku ai jetonte bashkë me gruan e tij. Dyshohet se i ndjeri ka rënë nga kati i tetë, duke kryer kështu vetëvrasje, rreth orës 7 në mëngjes pak minuta para se gruaja e tij të zgjohet nga gjumi. Ishte kjo e fundit që e pa trupin e pajetë të burrit poshtë ndërtesës dhe e lajmëroi menjëherë policinë dhe familjarët e tij.

E vetëm pak kohë pasi ndodhi kjo tragjedi, hyrja e banesës nëpër të cilën deri të dielën mbrëmje hynte ky ish pjesëtar i Policisë së Kosovës, të hënën ishte e mbushur me burra. Shumë prej tyre u habitën nga lajmi që morën herët në mëngjes, e disa të tjerë patën parandjenjën se diçka jo e mirë do të ndodhë me familjarin e tyre. Megjithëse të gjithë kishin mbetur të shokuar kur dëgjuan se Ismajli nuk jeton më.

I pikëlluar nga ajo çfarë i ndodhi dajës së tij, ishte edhe Nebih Hyseni. Thotë se kurrë nuk do t’ia merrte mendja se një njeri me të cilin bisedoi gjatë vetëm një natë para se të ndodhte kjo tragjedi, do të bënte diçka të tillë. Pavarësisht se tash pasi ndodhi kjo, i kujtohet se jo gjithçka ishte në rregull me Ismajlin gjatë kohës kur ata po bisedonin si zakonisht.

“Të dielën në mbrëmje kam qenë mysafir tek ai. E kam vërejtur se nuk është bash mirë….ishte pak nervoz”, ka rrëfyer të hënën Hyseni për Express.

Ai thotë se nuk e ka marrë shumë tragjike gjendjen psikike të dajës së tij, pasi ka menduar se e ka prej dhimbjes që ndiente nga lëndimet që mori në shpinë para pak javësh derisa po shkonte në punë.

“Daja ka punuar në pikën kufitare të Mutivodës. Aty një ditë derisa po bëhej gati për t’ia filluar punës është rrëzuar shumë keq, tri javë ka qëndruar shtrirë”, pohon nipi i tashmë të ndjerit Ismajl Gërbeshi.

Madje ai dyshon se është kjo arsyeja kryesore që ka e detyruar dajën e tij tashmë të ndjerë të kryejë vetëvrasje.

“Ka qenë njëri shumë i gjallë, asnjë sekondë nuk ka qëndruar i shtrirë”.

“Prandaj po dyshojmë se lëndimet janë shkaktari kryesor që daja sot më nuk është më në mesin tonë”, vlerëson Nebih Hyseni.

E përveç këtyre lëndimeve Nebihu dyshon se edhe rrahja që iu bë dajës së tij para luftës ka ndikuar që ai të marrë shumë më lehtë vendimin për kryerje të vetëvrasjes.

“Daja ka punuar polic edhe atëkohë. Ka qenë polic civil i sigurimit shtetëror, por disa kolegë të tij e patën rrahur keq, saqë e patën bërë për spital”, vazhdon rrëfimin e tij Nebihu, derisa akoma nuk po besonte që një njeri aq gazmor dhe hapur me të gjithë do të mund të bënte diçka të tillë.

“Ka qenë njeri me të gjitha të mirat, deri para se të rrëzohej e ta lëndojë shpinën ka qenë shumë i buzëqeshur. Por kohëve të fundit nuk ka qenë ai daja që ne e kemi njohur”, vlerëson ai.

Janë këto arsyet e vetme që e bëjnë të dyshojë Nebihun se daja i tij mund të ketë kryer aktin e vetëvrasjes. Kjo pasi sipas tij ai gjithmonë kushtet i ka pasur të mira dhe nuk ka pasur kurrë probleme familjare.

“Nuk e besoj se ka arsye tjetër”, tha ai.

Megjithëse ky është dyshimi që familjarët kanë rreth arsyes e cila e detyroi këtë pjesëtar të Policisë së Kosovës të kryejë vetëvarjen, në polici rasti është hapur si vdekje e dyshimtë. Toger Brahim Sadriu, zyrtar për informim në polici, ka thënë se një pjesëtar i policisë ka humbur jetën sot duke rënë nga ndërtesa.

“Mëngjesin e së hënës rreth orës 7 në mëngjes kemi marrë një informatë se një person është gjetur pa shenja jete në rrugën ‘Bill Clinton’ në Prishtinë”, ka thënë Sadriu. Ai tha se në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë të gjitha njësitet përkatëse të policisë së Kosovës të cilat po merren me rastin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu