Policia e Kosovës arreston bosin e krimit, Naser Kelmendin

0
546

Naser Kelmendi, i cili konsiderohet si njëri prej bosëve të drogës në Ballkan dhe Evropë, është arresuar nga Policia e Kosovës. Arrestimi i tij është bërë nga Policia e Kosovës në orët e vona të së dielës.

Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media, ka thënë se në bazë të angazhimeve dhe punës së vazhdueshme policore, është arritur të lokalizohet vendndodhja e personit të dyshuar i cili kërkohej me flet arrest ndërkombëtar.

“Me 05 maj 2013 rreth orës 20:00, Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar, njeri prej tyre kërkohej me fletarrest ndërkombëtar, ndërsa tjetri për dyshimin e bazuar se ka ofruar ndihme personit të kërkuar nga Policia. Gjatë operacionit policor të realizuar në rajonin e Prishtinës, është arrestuar personi i dyshuar Naser Kelmendi viti i lindjes 1957, i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar si dhe personi i dyshuar Fuad Nikqi viti i lindjes 1981, me dyshimin se ka ndihmuar personin në kërkim”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë këtij operacioni policor, siç thekson njoftimi, janë kontrolluar edhe dy objekte në shfrytëzim të personave të dyshuar si dhe janë konfiskuar dëshmi të ndryshme duke përfshirë edhe dy vetura.

Personat e arrestuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes, për të vazhduar me procedurat e mëtutjeshme.

Ndryshe, Kelmendi ka një kohë të gjatë që gjendet në listën e më të kërkuarve të Interpolit, dhe po ashtu kryeson listën e personave më të rrezikshëm në Evropë, të administratës amerikane. /Zëri/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu