Policia e Kosovës merr kontrollin e 2 pikave doganore në veri

0
797

MITROVICE- Një situata e tendosur mbretëron në veri të Kosovës që prej mesnatës së të hënës pasi policia e Kosovës ndërmori aksion për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare me Serbinë, Bërnjak e Jarinjë, në veriun e banuar me shumicë serbe. Policia e Kosovës ka marrë kontrollin e pikës kufitare Bërnjakë. Sot në mëngjes mori dhe kontrollin e e Jarinjës. Reagon ministri i Brendshem Rexhepi: Tani është shtrirë sovraniteti

MERRET KONTROLLI EDHE I JARINJES
Ora 09: 30
Forcat policore kanë marrë kontrollin edhe në pikën 1 në Jarinje, ka konfirmuar ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.
“Kemi pritur se mund të ketë vështirësi. Por, situata është qetë. Tani është shtrirë sovraniteti, dhe ky është një hap shumë i rëndësishëm”, ka thënë Rexhepi, citon europa e lirë

TENSION NE VERI, RRITEN MASAT E SIGURISE
Ora 08:00 Situata vazhdon të jetë e tendosur ndërsa forca të shumta janë vendosur edhe në urën qendrore në lumin Ibër që shënon edhe vijën ndarëse të qytetit të Mitrovicës, ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.

Vetë Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Brendshëm Barjam Rexhepi kanë udhëtuar drejt veriut që në orët para të mëngjesit për të monitoruar situatën atje si dhe po zhvillojnë konsultime të shumta. Ndërkohë që serbët pas një tërheqjes disa orëshe, me të zbardhur drita kanë bllokuar sërish rrugën duke mos lejuar marrjen e kontrollit të Pikës 1, Jarinjës.

Aksioni i policisë së u ndërmor me vendim të qeverisë së Kosovës në përpjekje për të zbatuar vendimin për ndalimin e importeve nga Serbia, i cili nuk po zbatohej në atë pjesë të Kosovës.

MERRET PIKA DOGANORE BERNJAK

Ora 07:00 Pak minuta pas aksionit Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi konfirmoi se policia e Kosovës kishte marrë nën kontroll pikën kufitare në Bërnjak, e njohur dhe si pika kufitare 31. Edhe lideri i serbëve lokalë të Mitrovicës , Radenko Nedeljkoviç konfirmoi, për radio europa e lirë, se policia e Kosovës ka marrë nën kontroll pikën kufitare në Bërnjak. Mediat kosovare shkruajnë se aksioni nuk ka hasur në pengesa të mëdha.

SERBET NUK DOREZOJNE JARINJEN
Ndërsa grupe qytetarësh serbë nuk kanë lejuar marrjen nën kontroll të vendkalimit në Jarinjë, e njohur si dhe pika kufitare 1. Gjatë natës, serbët ishin nisur nga Zubin Potoku në drejtim të vendkalimit në Jarinje, duke vendosur  makineri të rëndë në rrugët që të çojnë në veri dhe situata raportohej të ishte e tendosur.

Gjysëm ore pas mesnatës, Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi konfirmoi për mediat lolake se policia ishte ndaluar në Leposaviç dhe nuk kishte mundur të depërtojë deri në Jarinjë. Sipas tij rruga është bllokuar edhe në Rudarë nga kamionë dhe makineri të rëndë.

Dy orë pas mesnatës mediat kosovare raportuan të ketë pasur dhe përleshje me serbët lokalë, ndërsa policia kishte arrestuar 4 prej tyre

REXHEPI: VEPRUAM VETEM, EULEX:  VEPRIMET E NJEANSHME TE DEMSHME
Aksioni i mbrëmshëm nuk ishte kryer në koordinim me EULEX-in, përgjegjës për kontrollin e pikave kufitare në veri. Lajmi ishte konfirmuar nga vetë ministri Rexhepi i cili kishte shtuar se  “EULEX nuk ka pasur gadishmëri që të mbështesë këtë aksion”, raporton Voa.

Ndërkohë EULEX ka theksuar rëndësinë e zgjidhjes së situatës aktuale përmes një rruge të qetë dhe paqësore. EULEX thekson se nuk është e përfshirë në asnjë lloj mënyre me operacionin e zhvilluar nga grupet speciale të policisë së Kosovës.

“Është e rëndësishme që situata aktuale të zgjidhet në mënyrë të qetë dhe paqësore. EULEX po bashkëpunon ngushtë me KFOR-in për ta bërë këtë dhe për ta ruajtur sigurinë. EULEX nuk ka qenë në asnjë formë i përfshirë në aksionin e ndërmarrë nga Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës. EULEX-i dhe Bashkimi Evropian në Bruksel e kanë bërë të qartë se çështja e vulave doganore duhet të zgjifhet nëpërmjet dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Veprimet e njëanshme nga cilado palë nuk ndihmojnë aspak. Problemet duhet të zgjidhen në mënyrë paqësore”.- thuhej në deklaratën e EULEX.

Në veri ndërkohë janë parë përforcime të KFOR-it, ndërsa komandanti i paqeruajtësve të NATO-s, gjenerali gjerman Erhard Buhler, u ka bërë thirrje siç thuhet të gjithë qytetarëve të Kosovës që të mos reagojnë me dhunë ndaj situatës aktuale në veri.

Pak para fillimit të aksionit të policisë në orën 22:00 të mbrëmjes së të hënës, qeveria e Kosovës bëri të ditur se kryeministri Hashim Thaçi shkarkoi  drejtorin e përgjithshëm të policisë Reshat Maliqi. Nuk janë dhënë hollësi mbi këtë vendim, ndërsa edhe vet zoti Maliqi, tha se nuk ka njohuri për shkaqet që mund të kenë nxitur një vendim të tillë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu