Policia ushtroi dhunë të tmerrshme në stacionet policore

0
911

Aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje”, kanë rrëfyer në një konferencë për media prapaskenat pas arrestimit nga policia dhe dërgimit të tyre në paraburgim prej 48 orëve. Një nga të arrestuarit, aktivisti nga Tirana Bojken Abazi ka thënë se aktivistët të VV janë torturuar në stacionet policore. Aktivisti tiranas, ka thënë se dhuna më e madhe nga policia është ushtruar ndaj aktivistit tjetër Misin Sadriu, të cilin thotë se e kanë rrahur brutalisht, dhe pas kthimit në sallë nuk ka qenë në gjendje të flasë, kurse ndihma i është orfruar vetëm pas 20 minutave.
Kurse sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Mulliqaj tha se tendencë e aktivistëve të VV-së s’ka qenë hyrja në institucione, por bllokimi i hyrjes së zyrtarëve të Qeverisë në ndërtesë’. Sipas Molliqajt, deklarata e dhënë nga zëdhënësi i policisë Baki Kelani, se “Liburn Aliu është rrëzuar dhe nuk është rrahur nga policia”, tregon më së miri se Qeveria e Kosovës e ka bërë instrument të qëllimeve të saj politike Policinë e Kosovës. Ai ka thënë se në Qeverinë e Kosovës është ndërtuar edhe një Ministri e re. “Në Qeverinë e Kosovës është ndërtuar edhe një ministri e propagandës e udhëhequr nga Hajredin Kuçi”, deklaroi Molliqaj.

VV: Ja dëshminë mbi torturën e ushtruar në dhomat e stacionit të policisë ndaj aktivistit Misin Sadriu dhe dëshminë për dhunën ndaj aktivistit Boiken Abazi.

Rasti i aktivistit Boiken Abazit

Shoferi polic që më shoqëroi mua për atje, në momentin që isha dukë hyrë në stacionin e policisë së Prishtinës, duke dal ai nga stacioni më kthehet dhe më ofendon me një fjalë shumë të rëndë, por unë s’e kuptoja saktësisht se çfarë po thoshte. Ai e kishte kuptuar që unë isha nga Tirana, dhe ma ktheu edhe njëherë me të njëjtat fjalë. Në ato momente i thash hap fjalorin e gjuhës shqipe, dhe gjej një fjalë tjetër për t’i përshëndetur njerëzit. Atëherë ai e humbi kontrollin, më është sulur, dhe me të dyja duart më ka kapur në grykë duke shtrënguar duart fortë për të ma ndalur frymën. Në atë moment kemi qenë në korridorin e stacionit të policisë, 2 metra para sallës së madhe, kam qenë i rrethuar edhe nga 8 policë tjerë që veç shtangën dhe nuk lëvizën as gishtin më të vogël. Momenti i parë kur policia ka filluar të ndërhyjë ishte kur 2 aktivistë tjerë që ishin tashmë në stacionin e policisë dolën nga salla të tmerruar dhe filluan të flisnin edhe ata, dhe veç në atë moment arritën që të më shkëpusin nga duart e këtij shoferi të policisë. Besoj që ky polic ka numrin e identifikimit 6376, që mbetet për t’u konfirmuar. Shumica e aktivistëve në hyrjen e stacionit të policisë janë pritur me një grusht, me një shpullë, dhe me plot raste të ngjashme duke ushtruar ndaj tyre dhunë.

Rasti i aktivistit Misin Sadriut

Misini është 41 vjeç, i martuar, baba i katër fëmijëve. Duke u futur në stacion nuk e kuptonim çfarë po ndodhte se thonin “çoni të dhoma çoni të dhoma.. “Nuk e kuptonim asnjëri prej nesh se çfarë paska qenë kjo dhomë. Në çast e kanë marrë Misinin, dhe vetëm kur është kthyer ai e kemi kuptuar se çfarë ishte kjo dhomë.
Misini është thirrur nga Naim Berisha, polic civil, hetues, që pasi e ka thirrur Misinin jashtë sallës, ia ka vendosur prangat dhe e ka shoqëruar te kjo dhoma e famshme e stacionit të policisë. Në këtë dhomë e prisnin të paktën 20 policë të forcave speciale të Kosovës. Njëri prej tyre që e quajnë “komandanti”, e dërgon Misinin në katin e dytë të një objekti që është në hyrje të oborrit të stacionit të policisë. Me ta futur aty, heq policët tjerë, ia heq prangat Misinit, i mbyll dritat e dritareve dhe fillon ta rrah me shpulla e grushta deri në momentin kur Misini bie në tokë dhe i fillon gjakderdhja nga veshi. Nuk mjaftohen me kaq, del jashtë, merr një polic tjetër, dhe të dy bashkë e godasin Misinin, që tashme ishte në gjendje të rëndë, me shqelma e grushta duke tentuar që ta dëmtojnë në organet e tij gjenitale. As me kaq nuk janë mjaftuar, dhe në fund fare kanë marr 5 policë tjerë të forcave speciale, duke u bërë 7 në total, 3 prej tyre me këmisha të bardha që nënkupton se ishin eprorë.
Kanë vazhduar të njëjtën histori, shpulla, grushta, shqelma, duke i thënë që “ti ke qenë personi që ka paske sharë në protestë”. Me këtë justifikim që Misini mbase i paska sharë në protestë, mund të thuhet me tërë gojën që e kanë torturuar. Njëri nga policët ka arritur deri aty sa që nxirrte pistoletën dhe u thoshte policëve të tjerë “largohuni se do ta vras”. Skena ka vazhduar për disa minuta derisa ky polici që kishte nxjerrë pistoletën i renditi rreth 13 policë tjerë të forcave speciale që kishin mbetur jashtë, me idenë se ka ardhur momenti që Misinin ta mbysim. Ajo që dimë është që në këtë moment këta që ishin renditur për ta rrahur e që e tërhiqnin zvarrë nuk e kanë bërë këtë gjë, por e kanë sharë e ofenduar. Në fund fare Misinin e kanë sjellë në sallë. Nuk foli, kërkoi ndihmë mjekësore e cila i erdhi vetëm pas 20 minutash. Ky lloj trajtimi mund të cilësohet si vepër penale, torturë. Kjo dhomë në stacionin e policisë pa frikë mund të quhet “dhoma e torturës”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu