Portretet e 12 patriotëve “shoqërojnë” Isën në Boletin

0
600

Boletin

Familjarë të atdhetarëve dhe të patriotëve, Hasan Prishtina, Mehmet Dralla, Bajram Curri, Isuf Ndreu, Haxhi Zeka, Azem e Shote Galica, Rexhep Mitrovica, Jashar bej Shkupi, Idriz Seferi dhe Ismajl Qemali, kanë sjellë në Boletin portretët e patriotëve për të qenë përgjithmonë pranë dhe me Isa Boletinin, në kullën muze në Boletin.

Ata fillmisht kanë takuar kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, e pastaj kanë shkuar edhe në Boletin, me ç’rast dorëzuan 12 portretet e partriotëve shqiptarë. Ata i shprehen mirënjohje kryetarit të Mitrovicës për këmbëngulësinë e tij që eshtrat e Isa Boletinit të rivarrosen në Boletin.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës ripërseriti se rivarrimi i eshtrave të heroit Isa Boletini po bëhet në Boletin falë këmbëngulësisë së familjes së heroit, kërkesës unanime të qytetarëve të Mitrovicës, mbështetjes së intelektualëve mitrovicas, shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, shoqërisë civile nga Mitrovica e më gjerë.

“Qëndrimin tim të palëkundur e të drejtë se rivarrimi i heroit Isa Boletini, në Boletin, e jo në Vlorë, e mbështetën unanimisht qytetarët e Mitrovicës, Kosovës e më gjerë dhe falë kësaj, edhe Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, më vonë u pajtuan. Ne e duam Vlorën dhe jemi gati edhe jetën ta japim për të, por me rivarrimin e eshtrave në Boletin, ne realizojmë amanetin e vetë Isës dhe dëshmojmë respektin dhe dashurinë për të dhe për vendin”, tha Bahtiri.

Familjarët e figurave të njohur kombëtare, që ndodheshin në Boletin, të shoqëruar nga kryetari Bahtiri, e njoftuan këtë për vendimin e tyre që kullës muze të Isa Boletinit t’i dhurohen 12 portrete të personaliteteve të shquara të shqiptarisë, të punuara nga piktori prizrenas Shpend Thaçi.

“Është fjala për pikturat e Hasan Prishtinës, Mehmet Drallës, Bajram Currit, Isuf Ndreut, Haxhi Zekës, Azem e Shote Galicës, Rexhep Mitrovicës, Jashar bej Shkupit, Idriz Seferit, Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit. Para se të vendosen në kullën muze të Isa Boletinit, pikturat do të ekspozohen në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, thanë ata.

Ndërkaq, Gazmend Boletini, stërnip i gjeneralit Isa Boletini, njoftoi se nga një anëtar nga secila familje e figurave të njohura atdhetare nga vendi do të marrin pjesë në ceremoninë e nisjes së rrugëtimit të eshtrave të heroit Isa Boletini, si dhe në rivarrimin në Boletin, ndërkohë që konfirmoi se më 5 qershor do të mbahet simpozium shkencor në institutet e Historisë të Prishtinës, të Shkupit dhe të Tiranës, lidhur me jetën, veprën dhe kontributin e Isa Boletinit për çështjen kombëtare.

Kryetari Bahtiri, pasi i falënderoi përfaqësuesit e familjeve të njohura atdhetare për pikturat e dhuruara dhe për mbështetjen që i kanë dhënë dhe po i japin akoma, tha se ceremonia e rivarrimi të eshtrave të heroit Isa Boletini do të jetë një ceremoni dinjitoze madhështore që do të mbahet mend, pasi që kjo figurë emblematike e meriton një gjë të tillë.

Ai tha se eshtrat e heroit Isa Boletini, do të nisen nga Vlora, për të kaluar pastaj dhe për të ndalur në Tiranë, Prizren, Deçan, Prekaz, Prishtinë, për të arritur në Mitrovicë, ku në stadiumin “Adem Jashari”, do të mbahet ceremonia kryesore. Nga këtu, eshtrat e heroit do të vendosen në oborrin e kompleksit të kullave të tij, në Boletin, me përcjellje të Policisë. Pas takimit në ambientet e Kuvendit të Komunës, kryetari Bahtiri dhe përfaqësuesit e familjeve të figurave të njohura kombëtare, vizituan Boletinin, ku nga afër u njoftuan për përgatitjet që po bëhen për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu