Poshtërimi i tritan shehut në Lushnjë

0
456
Mero Baze
Përgjigjia e turmave në Lushnje, me marrjen peng të zëvendëskryeminitrit Shehu, për rënien e piramidës “Xhaferri”.

Mosreagimi i shtetit. Premtimi i Berishës për të shkuar në zgjedhje të parakohshme dhe mllefi i kryeministrit Aleksandër Meksi ndaj dyshes Berisha-Gazidede. Protesta në Tiranë në 28 janar dhe thirrjet e Arben Imamit për të pushtuar sheshet ku opozita nuk kishte arritur të protestonte prej dhunimit në 28 maj 1996.

 

(Vijon nga numri i kaluar)

Shteti ka filluar të bjerë. PD-ja e udhëhequr nga presidenti Sali Berisha, në janar 1997, nuk pranon ta shohë në sy realitetin e dhimbshëm. Një popull i tërë është mashtruar nga “pasurimi i shpejtë” në firmat piramidale, që kishin mbrojtjen e qeverisë dhe të strukturave shtetërore. Drama më e madhe ndodhi në Lushnje, qytetin ku fondacioni mashtrues “Xhaferri” kishte marrë kursimet e mbarë banorëve.

Ndaj dhe burgimi i Rrapush Xhaferrit do të çonte në këmbë lushnjarët që si përgjigje të parë marrin
peng dhe poshtërojnë Tritan Shehun, asokohe, kryetar i PD-së, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm. Gazetari Mero Baze në vijim të rrëfimit të tij, marrë nga libri “Viti ’97, prapaskenat e krizës që rrënuan shtetin”, hedhur në treg nga shtëpia botuese “Toena”.

Nga ana e pushtetit nuk ka asnjë reagim, përveç premtimit për të shpërndarë paratë e fondacioneve që ishin në banka, premtim që nuk arrin të fashitë zemërimin e turmave, të cilat do të rrënonin strukturat shtetërore dalëngadalë nga deri në rënien e plotë të shtetit piramidal të PD-së.

Në Lushnjë arritëm vonë, rreth orës 19.00. Qyteti ishte gjysmë i ndriçuar dhe pjesa nga stadiumi, ku mbahej peng Shehu, ishte errësirë. Ishim të veshur të dy me xhupa të zinj lëkure dhe unë kisha dhe një magnetofon të vogël, që e mbaja në xhepin e brendshëm të xhupit, fryrja e të cilit me sa dukej krijonte idenë e ndonjë arme të fshehur poshtë tij. Kur u afruam te stadiumi, pamë se nuk kishte asnjë njeri. Ishte një qetësi e frikshme, që po na trembte.

Nuk po u besonim syve se po hynim në një zonë ku, dikush që ishte kryetar i partisë në pushtet, zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, mbahej peng. Pas pak, u shfaq dikush nga ana e poshtme e derës së stadiumit dhe na bëri shenjë të afroheshim.

Kur ishim disa metra larg, ai pyeti:
– Ju jeni, apo të tjerë?

– Nuk po të kuptoj, – i thashë.
Njeriu që foli u zhduk sakaq dhe i foli dikujt tjetër.
– Shpejt, se jemi në kurth! Mund të ndërhyjnë!
Po i fliste me panik shokut të tij dhe shihte nga ne të dy.

Befas u hap dera e stadiumit dhe një makinë e vogël Porch me ngjyrë të kuqe fluturoi nga dera në sheshin para stadiumit dhe pas një frenimi të skëterrshëm, u kthye në drejtim të Lushnjës. Pas saj, dy makina Benz. Nuk po kuptonim asgjë. Pasi gjithçka u qetësua, dhjetëra njerëz mbinë para stadiumit. Ishte liruar Tritan Shehu. Dikush erdhi na dha dorën dhe na shkeli syrin.

Situata ishte komike dhe tragjike. Në të vërtetë, ne ishim të vetmit që nuk dinim asgjë se çfarë kishte ndodhur, por me sa dukej ishim përdorur në keqkuptim e sipër.

Filluam të qeshim me “rolin” tonë, por pak vetë na besonin që nuk ishim trima. Të gjithë mendonin se afrimi ynë i guximshëm atje, kishte qenë urdhër i Berishës. Në të vërtetë, kishte qenë budallallëku ynë.

Mësova më shumë detaje për poshtërimin e Tritanit. Përmendej zhveshja e tij lakuriq ose e pjesshme, poshtërimi me presh, tortura fizike, kërcënimi për jetën etj. Legjenda mori rrugë dhe filloi të bëhej historia më popullore brenda pak çasteve.
M’u desh të raportoj për “Zërin e Amerikës” në orën 20.30.

Përshkrova skenën e lirimit dhe opinionet e njerëzve. Nuk mund ta shmangia poshtërimin dhe zhveshjen e tij. Sapo mbarova, ra celulari, që kapte vetëm në disa qoshe të qytetit të Lushnjës. Ishte Aida Shehu, gruaja e Tritanit dhe punonjëse shtypi në zyrën e Berishës. Ishte tejet e revoltuar.

– Ke fyer Tritanin! – tha. – Atë nuk e kanë poshtëruar.
– Uroj të ketë qenë kështu, – i thashë, – por këtu flasin ndryshe dhe unë po përcjell opinionet e njerëzve.

– Do të dalë vetë Tritani ta sqarojë, – tha. – Ke për ta parë.
E mbylla telefonin. M’u duk bezdi e madhe të dëgjoja atë në telefon, ndërkohë që rrotull kisha njerëz që thurnin legjenda të reja për burrin e saj.

Ministri i Brendshëm, Halit Shamata, e përshkroi kështu të nesërmen, ditën e diel paradite, në seancën e jashtëzakonshme në Kuvend: “Rreth orës 13.00, me synimin dhe kurajën për të biseduar me qytetarët e Lushnjës, Tritan Shehu dhe Kristofor Peçi kanë mbërritur në qytetin e Lushnjës dhe janë përpjekur të vendosin urat e dialogut… natyrisht kanë dialoguar dhe kanë bërë ftesë për një dialog të gjerë, në kabinat e stadiumit të qytetit të Lushnjës.

Ka qenë ftesa e tyre e rëndësishme që ka evituar pa diskutim shkatërrimin e institucioneve në qytet. Ka pasur përpjekje për ta penguar zëvendëskryeministrin duke vënë kushte mjaft të rënda e krejtësisht antiligjore, por gjakftohtësia e policisë dhe mbështetja qytetare e Lushnjës bënë që zoti Shehu të udhëtonte drejt Tiranës në orën 20.00”.

Kur e dëgjova të nesërmen këtë ligjëratë të Halit Shamatës, u ndjeva keq. Duke e pasur mik, u përpoqa ta shfajësoja me vete, duke menduar se nuk mund të fliste kundër asaj që kishte thënë vetë Tritan Shehu, i cili, pasi ishte larë dhe ndërruar pas kthimit nga Lushnja, doli në TVSh dhe tha: “Kisha një bashkëbisedim të ngrohtë me popullin e Lushnjës”. Në të vërtetë, ai ishte peng dhe ndaj tij u krye një akt terrorist.

Mënyra se si ai vetë dhe pastaj shteti e interpretoi në mënyrë komike këtë akt terrorist, ishte një çmim i rëndë për anarkinë që pushtoi vendin.

Pasi raportova dhe pasi lajmet njoftuan se Tritani mbërriti në Tiranë, u ula me Sokol 0llashin të pinim një kafe diku ngjitur me Telekomin në Lushnjë. Saimiri, një gazetar lokal në Lushnjë, na tregoi se ishte djegur edhe Berati. Aty për aty vendosëm të vazhdonim për në Berat.

Qyteti ishte djegur tërësisht gjatë ditës dhe askush nuk dinte asgjë. Sokoli pranoi me qejf të vinte me mua dhe kjo ma lehtësoi vendimin. U lidha me redaksinë dhe i njoftova se mund të bëja një raport të hollësishëm për lajmet e mëngjesit mbi djegien e Beratit. Elezi më këshilloi ta peshoja mirë vendimin, nëse ishte rrezik. I thashë se myzeqarët janë popull i butë dhe u ndamë në telefon.

U nisëm pa shumë mëdyshje. Sapo hymë në fshatin Karbunarë, disa gurë të vegjël dhe një gomë biçiklete e ndezur, kishin bllokuar rrugën. Dola t’i hiqja. Në çast, një djalë rreth 15 vjeç m’u vërtit para këmbëve dhe më kërkoi me urdhër pesë mijë lekë.
– Ik, ore dreq, – i thashë. – Do 5 mijë lekë ti! Shko se po të fus ndonjë shkelm!
– O Goni, nuk do qy ore, çfarë t’i bëj?

– Thyej xhamin, – tha Goni.
Guri që unë nuk e kisha vënë re në dorën e djalit, u drejtua nga xhami trekëndësh i Golf-it dhe ai u bë copë.

Ngriva në vend. Nuk di kush ma mbajti dorën që të mos qëlloja mbi të, por mesa dukej ishte pasiguria që më jepte zëri misterioz i njeriut me emrin Goni pas kanalit.
– Kush është ai Goni, të dalë pak, – i thashë.

Doli Goni. Ishte rreth të tridhjetave, me një fytyrë pa formë dhe pa gjak.
– Hë, ere! As 5 mijë lekë s’ke, apo do që të ta marrim makinën?
U trimërova pak dhe i thashë Gonit se do ta paguante shtrenjtë, por ndërkaq do të ikja, se kisha një hall në Skrapar.

-Nesër do të sqarohemi, – i thashë.
-Bjer lekët dhe ik, ere, pa do sqarohesh me mua ti! — ma priti Goni. Nuk doja të dorëzohesha lehtë.

-Ka postblloqe të tjerë? – i thashë.
-Ka, – tha, – por thuaju që ia dhamë Gonit.
Bëra sikur besova, i dhashë 5 mijë lekë dhe ika.

Pa mbushur kilometri, prita tjetër.
-Ia dhashë Gonit, – u thashë, – ndaj mos më pengoni se jam për Skrapar kam një fatkeqësi.

-Ik, ere, me gjithë Gonin, bjer dymijëshen këtu dhe ik pirdhu, – më tha njëri nga djemtë.
E pashë që nuk ia vlente të acarohesha, qoftë dhe për shkak të pazarit që dha.
E pyeta dhe këtë se sa postblloqe kishte më tej.

-Mund të ketë dhe një, ere, – tha ai, – po nuk e di mirë, se ai del vonë Nxitoni pa dalë akoma, se e ka dorën të rëndë ai.

Në fakt, kur kaluam ne, në të dalë të fshatit ishte gati postblloku, po: shpejtësia me të cilën po ecnim ne, i gjeti pa përgatitur dhe kaluam. Kur u siguruam që shpëtuam, shtuam shpejtësinë dhe po ecnim si të marrë. Ishte një natë me hënë dhe me shumë ndriçim.

Kur po i afroheshin Beratit , sapo kalon një kthesë të fortë, m’u shfaqën përballë dy blloqe betoni në mes të rrugës dhe mezi frenova. M’u desh të ndaloja dhe të llogarisja me kujdes hapësirën për të hyrë mes tyre.

Mund të kalonte vetëm vetura. Hyra ngadalë dhe kur isha në mes të blloqeve, dy këmbë u varën para xhamit të makinës Ndalova i tmerruar. Sipër kabinës u zgjat një kokë te dritarja.

-Më jep 10 mijë lekë, ere, se kemi paguar makinën që solli blloqet! Një tip kishte vënë një hekur sipër dy blloqeve dhe ta merrte taksën nga sipër.

Lëviza pak më tutje dhe i thashë se nuk kam.
– Si të duash, por nuk kalon dot, babush, – tha dhe tregoi armën. M’u shtuan pak mornicat.

Nxora 10 mijë lekë dhe vendosa ta pyes pse i kanë bërë blloqet.
-Do të vijë Saliu me ushtarë, – tha, – se kemi djegur Beratin. Kem; bllokuar rrugën dhe kemi vënë roje… – Ndenji pak dhe pastaj pyeti me dyshim: – Me Saliun jeni ju?
– Jo jo, – i thashë, – po shkojmë në Skrapar.

– Ik, ere, se qenkeni dora jonë, – tha dhe u rehatua sipër betoneve.
Deri në Berat, nuk na ndaloi njeri. Qyteti dukej i shkretë dhe i vetmi lokal i hapur ishte hotel “Turizmi”, ku nuk mund të hanim dot asgjë, përveç një xupe, që ishte thuajse e prishur. Askush nuk tregonte çfarë kishte ndodhur.

M’u kujtua një kolegu ynë i vjetër, gazetar lokal në Berat, Xhevahir Lleshi. Shkova në postë, që po ashtu ishte hapur, për t’u lidhur me të. Centralistja më hetonte me sy e veshë se çfarë do të bëja.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu