Pozitarët

0
871

Është bërë një vit prej se Lëvizja VETËVENDOSJE! ndërmori nismën për takime me partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës, LDK-në dhe AAK-në. Me LDK-në kishim askohe tri takime: më 22 janar, 11 mars dhe 25 mars, ndërkaq me AAK-në u takuam më 28 mars të vitit 2013. Ishin drejtuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE! ata që i shkuan edhe LDK-së edhe AAK-së në selitë e tyre partiake për t’ua prezantuar idenë dhe konceptin e një blloku opozitar.

Sigurisht që dallimet programore dhe të tjera mbeteshin midis nesh, mirëpo e përbashkëta jonë ishte dëshira për t’ia hequr qafe qytetarëve të Kosovës qeverinë e Thaçit e cila edhe po e gjymtonte shtetësinë në negociata me Serbinë, edhe po e varfëronte popullin me privatizime e korrupsion. Në takime kishte shumë konstatime të përbashkëta të gjendjes së rëndë dhe të trendeve negative, mirëpo kur vinte puna te bashkërendimi i hapave të përbashkët e konkret gjithçka ngecte.

Qëllimi i formimit të bllokut opozitar ishte i thjeshtë: rrëzimi i qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme. Rrëzimi i qeverisë do të bëhej përmes mocionit të mosbesimit – opozita i kishte numrat në Kuvend meqenëse kryeparlamentari Krasniqi i mbështetur nga jo pak deputetë të PDK-së praktikisht ishin bërë opozitë e qeverisë.

Mënyra e atij blloku opozitar ishte po ashtu e thjeshtë: dinamizimi i opozitës në javët e muajt në vijim nëpërmjet disa komisioneve hetimore parlamentare dhe seancave të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës. Me 40 nënshkrime mund të bënim komisione hetimore për ShIK-un, kontratën e fshehtë me Bechtel-Enka dhe zbatimin e saj, për dyshimet për korrupsion në RTK etj. Njëkohësisht, me 40 nënshkrime mund të thërrisnim seanca të jashtëzakonshme për tema të rëndësishme dhe të kalonim mocione domethënëse opozitare.

Në anën tjetër, dukej hapur e dihej qartë se dialogu politik në Bruksel midis Thaçit e Daçiqit po dëmtonte rendin kushtetues e juridik si dhe të ardhmen politike e ekonomike të Kosovës. Ai dialog po zhvillohej pa transparencë, pa tekste të shkruara dhe duke shkelur edhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 18 tetor 2012.

Ishte koha e fundit që ai të ndalohej dhe sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës, rregullimi institucional dhe përfaqësimi i saj jashtë vendit, të bëhen çështje të brendshme të shtetit tonë ashtu siç e do dhe e thotë rendi republikan dhe demokracia parlamentare, vullneti dhe interesi i popullit, barazia dhe reciprociteti.

Gjithçka dukej kollaj e mundshme por asgjë nuk ecte. Përputhja në analizë dhe kritikë, konkluzionet aq të njëjta, nuk pasoheshin me dakordime për veprime të përbashkëta. Mospajtimi për bashkëveprim përkundër pajtimit në konstatim nuk ishte çështje e metodës. Blloku opozitar parashihte bashkërendim strategjik të opozitës në Kuvendin e Republikës i cili po shpërfillej nga qeveria e Kosovës.

Pra, mjetet e punës së bashkuar opozitare do të ishin institucionale e demokratike. Megjithëkëtë, me çdo kusht evitohej koordinimi opozitar i cili legjitimitetin e munguar të qeverisë do ta kurorëzonte e vuloste me largimin e saj.
Më 19 prill 2013 e kuptuam përfundimisht pse nuk patëm sukses në formimin e bllokut opozitar nga takimet me 25 e 28 mars 2013 me LDK-në e AAK-në.

Tri javë më vonë, këto dy parti e mbështetën marrëveshjen makabër Thaçi-Daçiq, e cila vuri themelet e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, duke ia siguruar asaj plot 89 vota dhe, më pas, edhe e ratifikuan atë me 27 qershor 2013 me 84 vota PËR (duke ia bashkangjitur mandej edhe projekt-ligjin për amnistimin e kriminelëve serbë nga veriu më 11 korrik). Përfundimisht, nuk pati bllok opozitar LDK-VV-AAK sepse pati vagonë qeveritarë prej këtyre dy subjekteve opozitare që kësisoj nuk ishin as subjekte e as opozitare.

Hapat e LDK-së e të AAK-së në drejtim të qeverisë ishin njëkohësisht edhe hapa në drejtim të pazareve të Thaçit me Serbinë dhe hapa kundër VETËVENDOSJE!-s. Pra, ata që janë bashkuar kundër Lëvizjes VETËVENDOSJE!, së pari janë bashkuar për dialogun me Serbinë dhe rezultatet e tij. Duke u bashkuar për dialogun me Serbinë e rreth rezultateve të atij dialogu, Qeveria, LDK-ja dhe AAK-ja janë bashkuar edhe kundër kundërshtarëve të këtij dialogu, përkatësisht Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Sot, njëmend flitet për zgjedhje të parakohshme, por jo edhe për rrëzim të qeverisë nga opozita. Thaçi i do afër vetes Mustafën e Haradinajn dhe nuk po ka nevojë për shumë mund që ta arrijë këtë. Sepse edhe këta dy po duan që t’i rrinë afër atij. Natyrisht që Thaçi i do afër ata dy për ta ndarë përgjegjësinë me ta e jo përfitimet.

Mirëpo, Mustafa e Haradinaj nuk shohin mundësi për përfitime pa Thaçin. Ata po presin se mos Thaçi do t’ia bart stafetën ndonjërit prej tyre teksa ai vetë orvatet të bëhet president. Mustafa e Haradinaj janë të përbashkuar me një dëshirë me një qëllim: posti i kryeministrit. Andaj i rrinë pranë Thaçit për t’ju ofruar atij si një trampolinë për president pas zgjedhjeve të ardhshme. Me fjalë tjera, opozitarë që pozojnë.

Problemet në Kosovë nuk vijnë prej mosmarrëveshjeve të krerëve partiakë e shtetërorë por pikërisht prej marrëveshjeve të tyre. Pra, Kosova nuk është në hall pse politikanët nuk po merren vesh, por pse ata janë marrë vesh tashmë, janë në marrëveshje për orientimet e qëndrimet themelore.

Ata janë marrë vesh për negociata me Serbinë të cilat e dominuan Kosovën para e pas pavarësisë; ata janë marrë vesh për neoliberalizmin që e dominoi ekonominë kosovare që prej çlirimit.

 

Nga: Albin Kurti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu