Pragu 5%, listat e hapura

0
836

Drejtuesit e partive politike në Kosovë, janë pajtuar të premten që listat zgjedhore të mbesin të hapura dhe se pragu zgjedhor të jetë pesë për qind për partitë politike, shtatë për koalicionet, dhe dy e gjysmë për kandidatët e pavarur.

Gjatë një takimi të përbashkët që ka zgjatur rreth dy orë, që është drejtuar nga ministri i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, ku kanë marrë pjesë kryetarët e të gjitha partive parlamentare, janë diskutuar disa çështje, por në shumicën prej tyre nuk është arritur konsensus.

Pas takimit, ministri Petroviq ka thënë se takimi ka qenë i frytshëm, ngase drejtuesit e partive politike janë pajtuar në disa segmente.

“Ne jemi pajtuar që në zgjedhje të shkojmë me lista të hapura. Ka mbetur të zgjidhjet edhe çështja teknike rreth numrit, se a do të rrumbullakohen pesë kandidatë apo më pak. Më shumë nuk do të ketë. Jemi pajtuar edhe për pragun zgjedhor, ai do të jetë pesë për qind për koalicion, shtatë për qind për koalicione, ndërsa për kandidat të pavarur do të jetë tre për qind. Erdhëm në përfundim që këtij procesi t’i japim një afat kohor për të zgjidhur problemet. Dhe shumica e përfaqësuesve në takim janë pajtuar që ky afat të jetë deri më datën 20 prill, dhe nëse deri atëherë nuk kemi konsensus sa i përket ligjit zgjedhor, atëherë për këto punë do të vendoset në Kuvend. Jemi pajtuar edhe që kuota për gratë në Kuvend të mbetet tridhjetë për qind”, ka thënë ai.

Petroviq ka bërë të ditur se është diskutuar edhe kërkesa e minoritarëve që edhe dy mandate të ketë vende të rezervuara në Kuvendin e Kosovës dhe vende të garantuara, për çka siç ka thënë ai, është shënuar përparim, ndërsa Vetëvendosje ka qenë kundër.

Pas këtij takimi është prononcuar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili vetëm ka thënë se është arritur konsensus në disa pika, ndërsa më i ashpëri është treguar kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Derisa ka vlerësuar se takimi i së premtes përbën një, siç ka thënë ai, forum joformal që nuk ndihmon shtet-ndërtimin, Kurti ka thënë se ka pasur dallime ekstreme mes opozitës dhe pozitës për përbërjen e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Sipas tij, opozita ka kërkuar që gjysma e anëtarëve që e përbëjnë këtë institucion të jenë nga opozita dhe gjysma nga pozita, ndërsa kryeministri Hashim Thaçi është shprehur kundër këtij modeli.

Ndërkaq, duke folur për kërkesën e minoritarëve që edhe dy mandate t’i kenë ulëset rezervuara dhe të garantuara në Kuvendin e Kosovës, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit qeveritarët kanë thënë se për këtë do të deklarohen pas takimit të 2 prillit të kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Ivica Daçiq, ku pritet të ketë marrëveshje mes y vendeve.

“Lëvizja Vetëvendosje konsideron se Kuvendi të reflektojë përbërjen e popullsisë, idenë e demokracisë, dhe konceptin e barazisë. Privilegjet për dikë bëhen diskriminim për dikë tjetër, dhe asisoj prishet koncesioni social. Pra, Lëvizja Vetëvendosje, jo që nuk është për vazhdimin e mandatit të ulëseve të rezervuara, por ne jemi edhe kundër ulëseve të garantuara”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, fakti që qeveritarët do të deklarohen për çështjen e ulëseve të rezervuara dhe të garantuara tek pas takimit të 2 prillit, nënkupton se ata janë pajtuar që me kryeministrin e Serbisë të diskutojnë dhe të arrijnë marrëveshje edhe për organizimin e brendshëm të shtetit.

“Qeveritarët, qe besa jo vetëm ata, jo vetëm që janë për ulëse të garantuara, por ata janë që t’iu vazhdohen ulëset e rezervuara, ama po e presin 2 prillin. Merrni me mend, për rregullimin e brendshëm të Kosovës janë duke e pritur takimin me Daçiqin, dhe kjo për mua është shokuese në këtë rast”, ka thënë ai.

Lideri i Vetëvendosjes ka cituar zëvendëskryeministrin Behgjet Pacolli, që gjithashtu ka qenë i pranishëm në takim, i cili, sipas tij, ka thënë se “pas dialogut do të ketë ndryshim të legjislacionit në vendin tonë”.

Edhe kjo, sipas tij, nënkupton që kryeministrat e dy vendeve do të merren vesh për çështje të brendshme, përfshirë edhe mundësinë që të rritet numri i ulëseve për deputetët minoritarë, duke e shtuar numrin e tërësishëm në njëqind e tridhjetë.

 

Nga: Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu