Pranga “ushtarit” të Shullazit, dyshohet për vrasës me pagesë

0
812

Policia e Tiranës prangos vlonjatin 27 vjeç që dyshohet se ka kryer shumë vrasje me pagesë brenda dhe jashtë Shqipërisë

Një super operacion policie është zhvilluar mëngjesin e djeshëm në afërsi të kryqëzimit “21 dhjetori”, në Tiranë. Një person, i cili ka qenë në shoqërinë e një vajze, është vënë në pranga, pasi ndiqej prej kohësh nga policia kriminale e Komisariatit Nr 2. I riu është pikasur nën shoqërinë e një femre dhe policia në momentin e arrestimit i ka gjetur një armë pistoletë, një aparat fotografik dhe një i Pad Samsung. Ndonëse deri orëve të vona të mbrëmjes së djeshme policia e Tiranës nuk i ka publikuar emrin, u bë me dije se personi i arrestuar në afërsi të “21 dhjetorit” konsiderohet si një person i cili dyshohet për një sërë vrasjesh me pagesë. Madje ekspertët e Krimeve të Rënda e kanë konsideruar të arrestuarin e tyre si një prej personave që dyshohet se ka lidhje të afërta me Emiliano Shullazin. Kështu Policia e Tiranës, për shkak të intensitetit të madh të dyshimeve, ka mundur të dalë në një deklaratë për këtë person rreth 12 orë pas prangosjes së tij. Ai mësohet se është nga Elbasani dhe banon në qytetin e Vlorës. Njëkohësisht policia bën me dije se, i dyshuar për vrasës me pagesë qëndron prej kohësh në Tiranë, në një ambient me qira. Sipas të dhënave, mbi të rëndojnë një sërë akuzash për vrasje, që sipas policisë, i arrestuari i ka kryer brenda dhe jashtë vendi.

Aksioni

Zbulohet identiteti i vrasësit me pagesë, arrestuar paraditen e së shtunës. Ai është 27-vjeçari nga Elbasani dhe me banim në Vlorë, Julian Sinani, i arrestuar në afërsi të zonës së “21 Dhjetorit” në Tiranë, me një armë zjarri tip pistoletë TT. Efektivët e policisë, të cilët kryen këtë aksion bënë të mundur edhe konfiskimin e mjeteve që përdorte ky vrasës i dyshuar. Në momentin e arrestimit atij i janë gjetur një pistoletë TT, pajisje të teknologjisë së fundit, municione, një aparat fotografik me të cilin mendohet se ai fiksonte personat që do të vriste. Madje policia e Tiranës bën të ditur se në bazë të hetimeve të kryera mbi 27-vjeçarin, dyshohet se është autor i disa ngjarjeve të rënda në Tiranë, e madje mendohet të jetë vrasës me pagesë, brenda dhe jashtë vendit. Aparati fotografik është një provë e cila do të zbardhë mjaft detaje, pasi të shihen fotot që janë në të. Dyshohet se ka foto të personave të vrarë apo edhe të atyre që do të vriste në vijim. Strukturat e policisë po punojnë për të dokumentuar përfshirjen e tij në disa vrasje.

Hetimi mbi Sinanin

Sipas të dhënave të policisë së Tiranës bëhet me dije se, përveç ekspertimit të armës së krimit dhe të dy mjeteve teknologjike që ka patur me vete i riu, janë një sërë dyshimesh që implikojnë Julian Sinanin në ngjarje të rënda kriminale që kanë mbetur pa autor për gjatë një periudhe kohore rreth 1 viti. Sipas policisë, i riu nuk ka vepruar i vetëm dhe se po punohet për të zbuluar edhe grupin e bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa saktësohet se të gjitha dyshimet çojnë në lidhjet e tij me grupin e Emiliano Shullazit. Edhe pse policia nuk bën me dije se cilat janë këto njohje mes Shullazit dhe Sinanit, saktësohet se tashmë janë afër zbulimit të aktivitetin e tij kriminal, që me sa duket do të hedh dritë mbi shumë episode vrasjesh dhe plagosjesh. Policia po punon për të verifikuar ngjarjet, ndërsa Sinani është marrë në pyetje për orë me radhë nga ekspertë të Krimeve të Rënda.

 

Nga: Nikoleta Kovaçi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu