‘Pranvera Shqiptare’ në Maqedoni

0
782

Personalitete publike, shkrimtarë, publicistë dhe analistë flasin për tezat e fundit të lansuara nga qarqe politike dhe institucionale maqedonase, për indoktrinimin e shqiptarëve me problemet fetare dhe jo kombëtare. Ata e shohin si të domosdoshme ngritjen e një opsioni të ri të revoltës dhe reagimit përmes protestave me moton “Pranvera Shqiptare”.

Mediat maqedonase, të ndjekura kryesisht nga ato serbe, kanë karakterizuar protestat e fundit dhe reagimet e shqiptarëve me kauza fetare islame, duke shfaqur etiketimet e pranisë së radikalizmit dhe fundamentalizmit islamik tek shqiptarët.

Së fundi, në një nga televizionet publike në Maqedoni është konstruktuar emisioni special që trajton idetë se a po vjen në Maqedoni “Pranvera Arabe” dhe se a “po krijohet modeli i izraelit ndaj palestinezëve”.

Publicisti dhe analisti Nijazi Muhamedi vlerëson për INA se shqiptarët nuk kanë asgjë të përbashkët me “pranverat arabe”, por se do të ndodhë “pranvera shqiptare”.

“Ka forca që do të marrin mbi vete përgjegjësinë kombëtare, për të eliminuar tërë këta skenarë që vijnë përmes qarqeve dhe mediave të caktuara, me një qendër të përbashkët”, thotë ai. “Ajo që është dhënë përmes këtyre emisioneve misionare, është një përfundim i realizuar nga pushteti aktual i VMRO-DPMNE-së, që e ka kthyer Shkupin në një Belfast të Irlandës, me kryqe të drejtuara nga ana e shqiptare, kisha, shenjtore, heronjtë të paqenë e të grabitur nga historitë tjera, duke krijuar brenda qytetit ‘peizazhe sovrane’. Dekodimi i këtyre skenarëve mund të jetë i ngjashëm me praktikat kolonizatore evropiane në Afrikë”.

Lidhur me tezën e modelit izraelit, Muhamedi thekson se ajo tezë shpaloset nga reflekset dhe sindromat traumatike të ndërdijes së sllavomaqedonasve.

“Ky komb i shpikur nga Stalini dhe i privilegjuar në ish-Jugosllavi ka huazuar dhe realizuar shpeshherë praktika të ideologjisë sioniste, por duke krijuar histori të paqenë dhe duke grabitur historinë e bullgarëve, serbëve dhe shqiptarëve”, shton ai.

Profesori universitar, Nehas Sopaj, nënvizon se shpërthimi i pakënaqësisë popullore të shqiptarëve me qëllim të caktuar po merr ikonografinë turko-arabe.

“Marrë në përgjithësi, dalja në sipërfaqe e shpërthimit të pakënaqësive popullore për shkak të indolencës së partive politike është e arsyetueshme. Po, mënyra, me gjithë atë ikonografi turko-arabe, në momentin e papërshtatshëm, saktë dhe si me dirigjim, sikur ka lindur nga kuzhinat e Beogradit”, thekson Sopaj.

Sipas tij, është shumë problematike të përmbahet pakënaqësia, por edhe më problematike sipas tij është t’i riorientosh qëllimet atje ku e kanë vendin: tek padrejtësitë, shantazhimet dhe antishqiptarizmin që hapur po e manifeston kjo qeveri sot.

“Është shkatërruar çdo vlerë njerëzore; po varroset kultura dhe arsimi. Por, t’u dalësh me një stop këtij rrëmeti, s’është ta ndalosh, por t’i japësh vrull ta groposesh!”, thekson Sopaj, duke theksuar së është koha e fundit që të rilind një “Pranverë Shqiptare” në Maqedoni, që do t`i japë goditje të fuqishme të gjitha mozaikëve dhe skenarëve që synojnë njollosjen e shqiptarëve dhe fshehjen e problemeve kombëtare me petkun fetar.

Shkrimtari dhe publicisti Ramadan Musliu nga Prishtina, komenton për qasjet e nxitura nga qarqe të caktuara maqedonase kundër interesave kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni.

“Shqiptarët duhet të lidhen me rrënjët dhe trungun e tyre perëndimor dhe të mos implikohen në reagimet absurde me karakter fetar të nxitura nga Rusia dhe aleatët e tyre sllavë në Ballkan. Shqiptarët nuk kanë asgjë me islamizmin, prapa të cilit ka tendenca dhe fshihet sllavizmi. Prandaj, edhe në rastet e fundit në Maqedoni, shqiptarët duhet të distancohen dhe të izolojnë grupet radikale islamike”, nënvizon për INA Musliu.

Sipas tij, shqiptarët që nga mesjeta kanë mbetur si një vijë ndarëse mes Lindjes dhe Perëndimit, duke ndjekur inercionin e brendshëm gjenetik dhe shpirtëror kah Evropa.

“Në prizmin e një historie të shkurtër, dihet se që nga viti 1454, një vit pas rënies së Kostandinopojës bëhet marrëveshja mes Kishës Ortodokse dhe administratës otomane. Që nga ajo kohë shqiptarët janë në një sandviç mes katolicizmit, ortodoksisë dhe islamizmit. Për fat të keq, kjo aleancë islamiko-ortodokse është edhe sot aktive, varësisht se kush i prin politikisht ortodoksisë. Edhe ngjarjet e fundit janë rezultat i kësaj marrëveshje. Shqiptarët shpesh kanë rënë viktimë e këtij karremi politik”, thekson publicisti Musliu.

Sipas tij, e keqja më e madhe është se kjo po ndodh në një moment shumë delikat kur po zhvillohet ridefinimi i interesave nacionale të shqiptarëve dhe kur krahu ortodoks (Rusia, Serbia, Greqia e bashke me të edhe sllavo-maqedonasit), po përpiqen t’i kthejnë pozicionet pas hyrjes së NATO-s në Ballkan.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu