Prapaskenat e britanikëve në misionin e tyre në Shqipëri

0
707

Në dy numrat e kaluar të shkrimeve mbi Arkivat e S.O.E britanike kemi folur mbi momentin mjaft deciziv të dimrit të 1942 dhe fillimit të 1943, periudhë kur Shërbimi Britanik mori vendimin për të dërguar një mision ushtarak në Shqipëri. Ky mision do të ishte në gjendje të mblidhte informacion mbi situatën aktuale, por edhe të kontaktonte me të gjitha grupimet politike të cilat ishin të afta për të luftuar kundër forcave italiane. Misioni i përgatitur në Kajro, paralelisht me misionet e ngjashme në Greqi dhe Jugosllavi, vinte në një moment kyç dhe me sa duket një kthesë e rëndësishme në politikën britanike për Ballkanin.

Për një kohë të gjatë, S.O.E britanike kishte mbështetur një rrjet të gjerë personash dhe grupimesh aktive, të cilat ishin pjesë e rezistencës kundër italianëve në Shqipëri apo gjermanëve në Greqi, por me sa duket, duke parë ndryshimet e mëdha në fushën e luftimeve në Afrikën Veriore dhe planet për një invazion të Europës Juglindore nga trupat aleate, dilte si detyrë parësore dërgimi i oficerëve britanikë të S.O.E, të cilët nga terreni mund të ishin shumë më efektivë se grupet e shkëputura të rezistencës, duke i bashkuar ato në një front të gjerë rezistence.
Po kështu, një prej arsyeve të rëndësishme të dërgimit të misioneve ushtarake në Ballkan ishte jo vetëm organizimi i një rezistence më efektive, por edhe një devijim i vëmendjes së gjermanëve nga Jugu i Italisë, ku mendohej të bëhej edhe zbarkimi real i aleatëve. Për këtë arsye, Ballkani do të krijonte përshtypje e rreme se forcat aleate po përgatisnin një zbarkim ushtarak në Ballkan. Një përshtypje, që në fakt kishte qenë një propozim konkret nga Churchilli, por ishte refuzuar me forcë nga Stalini, i cili nuk dëshironte që trupat aleate të ishin kaq pranë zonave të konsideruara si zona të influencës së ardhme ruse.
Nga dokumentacioni i S.O.E, duket se britanikët kërkoni sa më parë të kishin oficerët e tyre në terren dhe në shkurt të 1943 dërguan instruksione për liderin e misionit ushtarak në Greqi, brigadier Edmond Myers që të dërgonte sa më parë disa oficerë në Shqipëri. Nuk është akoma e qartë se përse Edmond Myers nuk ka mundur që të infiltrojë oficerë të grupit të tij në Shqipëri, kur dihet se kontaktet e tij me grupimet partizane greke kanë qenë të mira. Megjithatë, në Kajro gjatë dimrit të 1942 dhe pranverës së ‘43, po bëheshin përgatitje për përzgjedhjen e misionit ushtarak britanik që do të parashutohej në Shqipëri. Mbi protagonistët, objektivat dhe historinë e këtij misioni janë botuar një numër i konsiderueshëm publikimesh, të cilat nga këndvështrimi britanik tregojnë ngjarjet e infiltrimit të misionit të parë britanik në Shqipëri. Megjithatë, për një sy të vëmendshëm nuk shpëton fakti se misioni britanik u dërgua në Shqipëri pa asnjë shqiptar të rrjetit të S.O.E. Si Billi MacLean, si David Smiley në kujtimet e tyre asnjëherë nuk kanë shpjeguar faktin se përse i parashutuan në Shqipëri pa asnjë udhërrëfyes shqiptar. Është mjaft e çuditshme që misioni i parë ushtarak që dërgohet në Shqipëri nuk ka asnjë shoqërues me vete për t’i udhëhequr oficerët britanikë në territorin e vështirë të Shqipërisë. Me gjithë rrjetin e krijuar nga S.O.E, asnjëherë nuk është kuptuar qartë se përse një mision ushtarak udhëtonte në këto kushte.
Përgjigjja e kësaj pyetjeje mund të kërkohet në një mori dokumentesh, të cilat paraprinë përzgjedhjen e personelit dhe përgatitjen e misionit. Në dokumentacionin që sjellim sot për botim, shikojmë përpjekjet e S.O.E në Kajro për të përzgjedhur në fshehtësi të madhe një person të përshtatshëm për këtë mision. Një prej personave të piketuar nga Shërbimi i fshehtë është Xhemal F., një i ri shqiptar i larguar nga Shqipëria në 1938 për të studiuar në Universitetin Amerikan të Bejrutit. I riu shqiptar që ka punuar për sektorin e Shërbimit Inteligjent S.I si përkthyes, përshkruhet në raportin e oficerit të S.O.E në Jerusalem, si njeri mjaft i aftë, inteligjent dhe me mjaft dëshirë për të punuar për të mirën e vendit të tij. Megjithëse në bazë të kërkesave të S.O.E, i riu shqiptar është një kandidat shumë i mirë, ai refuzohet në momentin e fundit për faktin se britanikët e S.O.E nuk dëshironin që informacioni mbi dërgimin e misionit britanik në Shqipëri të mësohej prej Qemal Butkës. Një vendim shumë i çuditshëm, nëse kemi parasysh që arkitekti Butka dhe oficerët e S.O.E nuk ishin të panjohur për njeri-tjetrin.
Nga dokumentet e S.O.E, deri më tani nuk është e qartë arsyeja për një vendim të tillë nga britanikët, por nëse bazohemi në një sërë dokumentesh të tjera të S.O.E për këtë kohë, shikohet se disa prej shqiptarëve të rinj që ishin në kontakt me S.O.E kishin pikëpamje të ndryshme mbi politikën britanike në Shqipëri. Një prej pikave kryesore ishte ambiguiteti i politikës britanike mbi të ardhmen e kufijve të Jugut si dhe mbështetja e madhe personale që Churchilli kishte ndaj mbretit grek dhe favorizimi i këtij të fundit jo vetëm për të marrë fronin e kontestuar tashmë nga forcat republikane dhe komuniste në Greqi, por edhe për t’i bërë favore të cilat mund t’i sillnin atij një popullaritet në Greqinë e pas luftës. Po kështu, ka shumë mundësi që pikëpamjet e të rinjve shqiptarë që ishin në Kajro dhe Jerusalem binin në kundërshtim me pikëpamjet e deritanishme të S.O.E, e cila kishte kontakte me personalitete të periudhës zogiste, duke dhënë përshtypjen se rikthimi i Zogut në skenën politike shqiptare ishte e mundshme. Po të shihen me kujdes disa prej personave që ishin pranë autoriteteve britanike në Palestinë dhe Egjipt, ishin njerëz të distancuar nga Zogu dhe kërkoni një angazhim politik më të qartë të S.O.E britanike, një angazhim i cili në këtë kohë ka qenë i pamundur pa pasur një informacion të qartë të situatës politike në terren.
Gjithsesi, në shkrimet në vazhdimi do të sjellim një pasqyrë më të qartë të prapaskenave dhe politikës së S.O.E në përgatitjen dhe dërgimin e misionit ushtarak britanik në Shqipëri.

4/1/274/568 5.Maj.43
D/HX Nga B.8
302A
286A
XHEMAL F

Do të isha mirënjohës nëse përfaqësuesi i Juaj do të intervistonte një shqiptar të quajtur Xhemal F., për momentin i punësuar në Hotelin Y.M.C.A, në Jerusalem, dhe të më raportoni mbi aftësinë e tij për t’u infiltruar në Shqipëri me parashutë si udhërrëfyes dhe përkthyes i oficerëve të misionit britanik.
Unë do t’ju sugjeroja që në fillim t’i bëni ekzaminimin mjekësor për ta parë nëse është i aftë fizikisht, pasi nëse nuk është i aftë, atëherë kjo çështje duhet të mbyllet menjëherë.
Unë jam në veçanti shumë i shqetësuar për të qenë i sigurt se ai do të jetë mjaftueshmërisht i pranueshëm, i aftë mendërisht për këtë mision si dhe respektueshëm ndaj disiplinës, pasi kohët e fundit kemi pasur disa dështime të turpshme me disa prej të rekrutuarve tanë shqiptarë.

Dokument 2
SEKRET XC
6.maj.43
Per: D/H.470 ( kopje per D/HJ)
Nga: D/H.174 310 A
Xhemal F
1. Ju lutemi kontaktoni dhe intervistoni personin e mësipërm, subjekt shqiptar. Ai është për momentin i punësuar në Hotel Pensionin Y.M.C.A, në Jerusalem.
2. Ne duam të dimë nëse ai është i aftë për të shërbyer si udhërrëfyes dhe përkthyes i misionit britanik në Shqipëri, ku dhe do të infiltrohet me parashutë. Kualitetet e kërkuara për këtë mision janë si më poshtë:
· Inteligjent
· Njohje të mirë të gjuhës shqipe dhe anglisht
· Gatishmëria (për çlirimin e vendit të tij)
· Trimëri e moderuar
· I aftë si person në përgjithësi
· I aftë fizikisht
· I qëndrueshëm ndaj disiplinës (shumë e rëndësishme)
3. Për çfarëdo lloj arsyeje ai nuk duhet të mësojë asgjë mbi mundësitë e këtij misioni. Nëse ne do ta gjejmë të pranueshëm, do ta kontaktojmë direkt.
4. Procedura e ekzaminimit do të jetë si më poshtë:
· Përpara se ta kontaktoni atë, është shumë e rëndësishme që t’i interceptoni korrespondencën. Në rast se ai do të kuptojë që ju jeni të interesuar për të, ai mund t’i shkruajë një miku të tij me mbiemër BUTKA, i cili është jashtë interesimit të territorit tuaj. Ai ka shumë mundësi që të influencohet nga BUTKA, dhe ne nuk duam që ky i fundit të ketë dijeni mbi interesimin e “jashtëm” mbi Xhemal F.
· Duhet ta pyesni nëse ai është i interesuar për t’ju bashkangjitur aleatëve si ushtar (një letër që ne kemi interceptuar prej tij ai thekson se është në ankth dhe kërkon të bëjë diçka për t’i përzënë italianët jashtë Shqipërisë). Ndoshta do të ishte e këshillueshme që t’i sugjeroni se, mundësia e “qenies në fillimin e këtyre planeve” do ta ndihmonte për t’u rikthyer në Shqipëri. Nëse është tip i përshtatshëm, një promovim i shpejtë mund të ndihmojë atë gjithashtu.
· Në momentin që ai është i interesuar, është e nevojshme që ai të ekzaminohet nga mjeku. Mund t’i shpjegohet (nëse është e nevojshme) që kjo është një procedurë normale. Problemi qëndron në faktin që ne duam të dimë menjëherë nëse ai është një tip i përshtatshëm për t’u parashutuar apo jo, nëse jo nuk duhet të humbasim kohë me të.
· Nëse do të shkojmë sipas pikave që përcaktova më sipër, Ju lutem më dërgoni raportin Tuaj, i cili duhet të përfshijë një përshkrim të karakterit të tij dhe veçanërisht të referencave mbi kualifikimin që parashtrova në paragrafin 2.
Firmosur
D/H 143

Dokument 3
Dokumenti Mjekësor
E kam vizituar Zotin Xhemal F., dhe e konsideroj të aftë për Kategorinë A.1. Nëse do të regjistrohet në Forcat Britanike, unë e konsideroj që pas një periudhe stërvitjeje ai do të jetë fizikisht i aftë për t’ju nënshtruar trajnimeve më të vështira.
19.maj.43
Firmosur
(Sgd) P.J Waddington
Kapiten., R.A.M.C
Mjek i Stafit të Zonës 71

Dokument 4
Teper Sekret XC/SB/F
Vetëm për Oficerët XJ/1023
Për: D/H.174
(me shkrim dore kopje për D/HJ)
Nga: D/H.407 315 A
XHEMAL F
Referenca e Juaja XC/SB/F dates 6 maj.43
Raporti paraqitet si më poshtë:
1. Mbasi e kontaktova personin, unë isha pozitivisht i impresionuar nga paraqitja e tij. Ai ka tipare të pastra dhe sy inteligjentë.
2. Ai është shumë i gatshëm për të bërë diçka për vendin e tij, por më tha se përpara se të japë fjalën e tij, i duhet të konsultohet me BUTKEN.
3. Ai flet italisht dhe anglisht në mënyrë mjaft të mirë, si dhe ka një njohuri të mjaftueshme për frëngjishten.
4. Ai është i gatshëm për të rrezikuar nëse kjo bëhet për të mirën e vendit të tij.
5. Unë e konsideroj atë si person që pranon disiplinën e kërkuar.
6. Është person inteligjent. Ka studiuar për dy vjet në Universitetin Amerikan të Bejrutit, pasi është larguar nga Shqipëria në 1938.
7. Personi ka punuar për G.S.I (b) (Shërbimi Inteligjent), si përkthyes me të mbërritur në Palestinë. Për momentin punon në Hotel-Pensionin Y.M.C.A.
8. Bashkangjitur, certifikata mjekësore, gjithashtu faqet J/993/43 dhe JM/2781/43.
Firmosur
D/H 407

Dokument 5
B8/4/1/555 31. Maj.1943
Për: D/H 407 Nga B.8
XHEMAL F
Referenca e Juaj XJ/1023-328 e 23.5.43
Duke pasur parasysh pikën 2 në raportin Tuaj, ne kemi vendosur që personi i mësipërm të mos angazhohen në këtë mision, pasi ne duam që BUTKA të jetë komplet i shkëputur nga punët tona.
DH 274 ka kontaktuar me PËE, ku i ka kërkuar një gazetar shqiptar dhe do të njoftojë për vendimin e tyre për çdo eveniment.
Jemi mirënjohës për ndihmën Tuaj
Firmosur
B.8

 

[email protected]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu