“Prekazi i harruar i Burimit”

0
1009

Me rastin e 13 vjetorit të Epopesë së lavdishme të rënjës së Shaban Salihajt dhe familjës se tij

Buzë rrugës regjionale Pejë – Mitrovicë, në mes Hanit të Sarës dhe Rakoshit, ngrihet një lapidar që përkujton cdo kalimtarë të rastit, për heroizmin e pashembullt të familjes Salihaj nga Shushica e Poshtme, e cila pas familjes Jasharaj nga Prekazi i Skenderajt, mund të konsiderohet si rënja më heroike dhe më vetflijuese në kuadër të luftës së Ushtrisë Clirimtare të Kosovës në altarin e lirisë. Mbi atë lapidar deri në përjetësi janë gdhendur emrat e flijuar në një betejë të pabarabartë në mes të qindëra forcave të ushtrisë dhe policisë serbe dhe familjes Salihaj. Emrat e Shaban Salihajt,Milaimit,Hysenit,Arbenit, Abedinit, Hysniut,Isës,Fatimes Nazmi Gashit, shpalosin para nesh krenarin e ligjshme kombëtare, për ata që patën kurajon t’i thonë jo pushtuesit serb së “këtu është toka e jonë, kjo është tokë shqiptare”. Mbi lapidar me krenari flamuri kuq e zi shpalon palët, ai flamur, mbi të cilin Shabani, vëllazërit dhe nipërit e tij kishin dhënë betimimin e ushtarit të UCK-së për luftë pa kompromis për çlirim, liri dhe bashkim kombëtar deri në vdekje.

Kushtet dhe rrethanat shoqerore e politike nuk e vecuan këtë familje nga familje të tjera shqiptare, të cilat në vazhdimësi po përbiroheshi nëpër terrorin e vazhdueshëm të ushtruar nga mekanizmat gjenocidal kurdiste në vazhdimësi okupatori serb, gjithandej, në Kosovën e robëruar. Vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar ishin bërë të padurueshme për shumë arsye, për pjesën më të ndërgjegjshme të kombit shqiptar. Serbia përmes mekanizmave të saj të dhunës, armates serbosllave, policisë,UDB –së, njesiteve paramilitare të Arkanit dhe Sheshelit, po e shndërronin Kosovën në një laborator ku po provoheshin dhe eksperimentoheshin metodat më të njohura fashiste dhe elaboratet e Cubrilloviqit, Andriqit, Garashaninit etj. por në forma më moderne. Imponimi i përqafimit të politikës paqësore popullatës shqiptare në Kosovë nga LDK-ja, si organizëm politik e demokratik, për të zgjedhur cështjen e Kosovës,i kishte dhënë favore të cmuara Serbisë, në njërën anë për të luftuar kundër Kroacisë dhe Bosnjës e në anën tjetër për ta paraqitur Kosovën si vend të qetë dhe stabil para faktorit ndërkombëtar, ku kërkoheshin vetëm disa të drejta kozmetike. Dalja e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës në skenë, jo vetëm që ringjalli krenarinë kombëtare të përdhosur dhe të shkëlur paturpësisht, por ajo mbolli shpresën për liri dhe clirim të njëmend për popullin shqiptar duke qenë e gatshme të ujit cdo pëllëmë të Kosovës me gjakun e djemve dhe vajzave më të mira të kombit. Dalja e UCK-së kompromitoi dhe diskreditoi platformën pacifiste rugoviste e cila e kishte shndërruar Kosovën në një “han pacifist ku nuk dihej se kush hante dhe kush paguante, ku nuk dihej se kush hynte dhe kush dilte, në një han ku jetonin së bashku xhelat e viktimë”. Në këto kushte dhe rrethana , Shaban Salihaj nga Shushica e Poshtme e komunës së Burimit, nisi veprimtarinë e tij luftarake si pjestar i UCK-së, duke e ndier peshën aq të rëndë të robërisë, duke iu bashkuar zërit të atdheut dhe kombit në varganin e krushqëve të lirisë. Kontaktet e para të Shabanit me UÇK-në kishin filluar më 1997 në fshatin Vajnik të Skënderajt nëpërmjet nipave të tij dhe komandantit në zë të asaj ane, Abedin Rexha, i njohur me emrin e luftës “Sandokani” po nga ai fshat. Zyrtarisht UCK-së i ishte bashkangjitur më 5 mars 1998, që përkon me datën e sulmit të ushtrisë dhe policisë serbe kundër familjes Jashari në Prekaz të Poshtëm. Vajniku ishte një ndër pikat më nevralgjike dhe më të nxehta të konfrontimeve ndërmjet UÇK-së dhe forcave serbe. Pikërisht në këtë vend në vigjile të 28 nëntorit 1997,ndodhën ngjarje të rëndësishme zhvillimet e të cilave do të vulosin fatin e drejtimit të zgjidhjes së problemit të Kosovës përmes luftës dhe rezistencës së armatosur. Po në këtë ditë“Sandokani” me bashkëluftëtarët e tij kishin zbrapsur sulmin e forcave serbe,ndërsa në të njëjtën ditë kishte pasur luftime të ashpra edhe në Llaushë ku ishte vrarë mësuesi i fshatit Halit Geci. Varrimi i Halit Gecit u bë më 28 nëntor ku u bë edhe dalja e parë publike e UÇK-së.

 

Shkuarja dhe stacionimi në Vajnik

 

Shaban Isa, siç njihet në Shushicë të Poshtme dhe fshatrat e Burimit, regjistrohet pjesëtar i ZOD-it më 5 mars 1998. Pas një jave, së bashku me nipat e tij Jahir dhe Nazmi Gashi nga Vajniku kthehen në Shushicë për të filluar aktivitetet në zgjërimin dhe konsolidimin e UCK-së në territorin e komunës së Burimit. Policia serbe e cila kishte vënë re lëvizje të dyshimta në terren të Shaban Isës , një mëngjes e rrethojnë shtëpinë e tij dhe pas bastisjes i konfiskojnë një pushkë gjuetie. Me këtë rast arrestohet edhe Shabani me vëllaun e tij Milaimin. Në stacionin e policisë në Istog Shabani dhe Milaimi torturohen në mënyrën më shtazarake gjithëmonë duke kërkuar nga policia fije të ndërlidhjes të pjestarëve nga kjo komunë me UCK-në në Drenicë. Në mbrëmje i lirojnë me kusht që të paraqiten përsëri të nesërmen në stacionin policor. Pikërisht atë mbrëmje, Shabani betohet së jo vetëm që nuk do të paraqitet më në policinë vrastare serbe, por do të marr hak për gjithë ato mundime, gjithë ato vuajtje që po u shkaktoheshin në vazhdimësi bijve dhe bijave më të mira të popullit shqiptarë, të cilët po vriteshin, po torturoheshin dhe po dhunoheshin gjithandej Kosovës. Rruga jetësore e tij domosdoshmërisht po e orientonte edhe kësaj here drejt Drenicës martire, atje ku flakadani i lirisë po merrte përmasat e lirisë së ëndërruar, atje ku shpresa e ringjallur po shndërrohej në realitet, atje ku kuptimi i flijimit i tejkalonte caqet e kuptimit njerëzor. Së bashku më vëllan Milaimin, të dërmuar nga torturat e policisë serbe, rruga po shpinte në fshatin Vajnik. Në shkollën fillore të këtij fshati u takuan me Sandokanin, i cili i cakton në një tog të cilin e komandonte Fadil Imeri. Pikërisht këtu fillon rruga e vështirë e luftëtarit të lirisë, rrugë plotë sfida dhe sakrifica, të cilën do ta bënte Shabani me vëllaun e tij Milaimin, djalin e tij Hysenin, pa u trembur dhe pa u zbrapsur deri në vdekje. Pasi që armatosën së bashku me vëllaun Milaimin dhe djalin Hysenin, Shabani caktohet në pikën e Ozdrimit, ndërsa Hyseni më pas do të caktohej të shërbente si polic ushtarak në Burojë. Në këtë grup bënin pjesë edhe tre luftëtarë nga Shushica e Poshtme: Ademi, Veseli, dhe Iliri nga Alidemajt. Ngjeshja e armëve në sherbim të kombit dhe atdheut, për Shaban Isën, ishte ngjarja më kulmore, ngjarja më sublime e jetës së tij. Duke u rreshtuar në anën e lirisë, në anën e clirimit të Kosovës, kundër tiranisë ishte i gatshem të flijohej sa herë ta kërkonte zëri I atdheut.

 

Ndërmarrja e aksioneve të para për çarmatosjen e kriminelëve serbë

 

Duke qenë së në territorin e komunës së Burimit, Ushtria Clirimtare e Kosovës ende nuk I kishte konsoliduar strukturat e saj ushtarake, ndërsa terrori serbomadh përmes policisë, njesiteve paramilitae, bandave të cetnikëve,organizatës “Crna ruka”, sigurimit shtetëror dhe ushtrisë serbe popullatën shqiptare e kishte vënë para sprovave të rënda , pikërisht për këtë arsye, Shaban Salihaj me grupin e tij të luftëtarëve të lirisë, vullnetarisht kërkojnë nga komanda e UCK-së, të veprojnë në komunën e Burimit për të neutralizuar sadopak kapardisjen e aparatit shtypës serbomadh mbi shqiptarëte pambrojtur.

Aksionin e parë me grupin e tij prej katër vetash, Shabani e filloi në fshatin Veriq të Burimit në fillim të prillit të vitit 1998, kundër kapitenit të ushtrisë serbe ,Ramadan Istrefi, i nacionalitetit egjiptas, i cili kishte dhënë prova të shumta për orientimin e tij antishqiptar. Ndonëse kapiteni nuk u gjet në shtëpinë, ku jetonte, atij iu konfiskua nje pushkë automatike, një snajper, një revole e tipit Tokarev, një pushkë gjuetie dhe një sasi e municionit, të cilat Shabani me grupin e tij i dorëzojnë në bazën e UCK-së në Drenicë.

Aksionin e dytë Shabani e orienton kundër policit antishqiptar, Dragan Zhivkoviqit, nga fshati Zhakovë,të cilit gjatë natës i hynë në shtëpi duke e kërcënuar së është i rrethuar me 200 pjetarë të UCK-së dhe pasi që ia jep një” mësim të mirë” ia konfiskon një pushkë automatike “Zastava”, revolën zyrtare dhe një automatic të quajtur “maxhar”. Këto veprime të grupit luftarak të Shabanit bënë që të popullata shqiptare të ngjallën ndjenjat e adhurimit deri në përkushtim për UCK-në dhe bijtë e kësaj treve të cilët kishin filluar ta godasin aparatin represiv edhe në strofullën e tij. Armatimin e konfiskuar gjatë natës ,Shabani e dorëzonte në mëngjes në shtabin e UÇK-së në ZOD. Pas një numri aksionesh të sukseshme që kishte ndërmarrë në komunën e Burimit, emri dhe personaliteti i Shabanit u bë i nderuar dhe i respektuar. Vet komandanti i tij fillon ta thërras më emrin Shaban Polluzha, duke aluduar në trimin e Drenicës legjendare. Sa e sa herë komandanti i ishte drejtuar me fjalë : “Ti,Shaban, sa herë po del në aksion, kurrë nuk po kthehesh pa armatim , për të cilin kemi aq nevojë”. Besimi që ishte krijuar të komandantët dhe ushtarët në Drenicë për Shabanin nuk ishte I rastësishëm. Ai buronte si rrjedhojë e sa e sa aksioneve të kryera me sukses, si dëshmi e një përcaktimi të fuqishëm të një lufte të drejt dhe pakompromis deri në fitore.Trimëria dhe gadishmëria për tu vu në ballë të aksioneve më të vështira, bënë që Shabani të angazhohej në sigurimin e armëve që silleshin nga Shqipëria për luftëtarët e UCK-së. Kështu Shabani ishte vënë në rolin e dyfishtë; në furnizimin me armë nga Shqipëria, dhe në kryerjen e aksioneve në territorin e komunës së Burimit që rezultuan në eliminimin e disa kriminelëve serbë me damkë.

 

Bartja dhe furnizimi me armatim nga Shqipëria

Nevoja për armatim e Ushtrisë Clirimtare të Kosovës në fillim të vitit 1998, ishte njëra ndër sfidat më të papërballueshme dhe më të domosdoshme për kohën. Atdhetarët kërkonin armë për t iu përgjigjur thirrjës së atdheut për liri, ndërsa armët ishin aq të pakëta në krahasim me rrethanat e luftës që po shkallëzohej gjithandej Kosovës.

Në maj të vitit 1998, nga Shtabi I UCK-së Shabani caktohet për të udhëhequr një grup prej 24 vetave (vet i 25-ti) për në Shqipëri, për të sjellur armatim për luftëtarët e lirisë. Duke e pranuar këtë detyrë sa me peshë po aq edhe të vështirë, Shabani ishte i vetëdijshëm, së nëpër cfarë rruge apokaliptike do të kalonte me shokët e tij të idealit, por gjithashtu ishte i vendosur që të jipte cdo gjë prej vetes që misioni të kishte sukses. Mirëpo, pasi pajisën me një sasi të konsiderueshme të armatimit në Shqipëri, gjatë kthimit për në Kosovë, grupi prej 25 ushtarësh bien në pritë në rrethinat e Gllogjanit, ku pas një lufte të pabarabartë, detyrohen të tërhiqën, duke mos patur mundësi të tërheqin armatimin e sjellur nga Shqipëria. Aty mbesin armët që ishin të ngarkuara në kuaj dhe gomarë, ndërsa grupi arrinë të rigrupohet në Drenicë vetëm me armët personale.

Shabani sërish i rifillon aksionet në terrenin e Burimit edhe më më forcë, i bindur plotësisht së rruga clirimit kërkon vuajtje, sakrifica deri në flijim. Në fillim të javës së tretë të qershorit udhëhoqi një formacion prej rreth 470 vetave,të cilët ilegalisht po deportonin një sasi të madha armatimi nga Shqipëria. Ky formacion i luftëtarëve kishte qëndruar afër 3 javë në Shqipëri dhe nuk kishte mundur të futej në Kosovë, për një kohë, për shkak të shtimit të forcave të shumta policore dhe ushtarake në kufirin shqiptar. Në përbërje të këtij formacioni bënin pjesë luftëtarë nga tri zona operative të UÇK-së: Zona operative e Drenicës ( ZOD), Zona Operative e Shalës (ZOSH), dhe Zona Operative e Llapit (ZOLL). Në mesin e këtij grupimi të udhëhequr nga Shabani ishte edhe Rrahman Rama, komandant i ZOSH-së. Shabani udhëzon marshin e grupit nëpër shtigjet e maleve dhe bjeshkëve të Vrellës, Shushicës, Rakoshit, Leqinës, Izbicës, dhe i shpie deri në Vajnik. Një kamion armatim që u kishte mbetur në fshatin Vrellë të Istogut, i cili ishte i destinuar për ZOD, ZOSH, dhe ZOLL duhej me cdo kusht të dërgohej në destnacion. Rreziku i bartjes së këtij armatimi ishte jashtëzakonisht i madh duke marrë parasysh shtimin enorm të patrullave policore, paramilitare, por edhe të bashkëpunëtorëve të okupatorit. Në fillim të gushtit, kjo sasi e armatimit sillet në oborrin e shtëpisë së Shabanit në Shushicë të Poshtme. Aty mbushën tri rimorkio traktorësh me armë të ndrysshme të cilat transportohen përmes Rakoshit dhe dalin të lagja e Memiqëve të Kërrninës. Pushtuesi serb kishte vënë nën kontroll të gjitha rrugët e kalueshme nëpër të cilat kishte vënë postblloqe dhe punkte të ndryshme. Luftëtarëve të lirisë u kishin mbetur për lëvizje ato rrugë dytësore nëpër të cilat fshatarët bartnin dru me qerre kuajsh ose për punë të tjera. Në një rrugë të këtillë bartësve të armatimit u rrotullohet traktori, në të cilin kishte edhe mortaja 500-she, që ishte rrezik i shpërthimit të armatimit por edhe vënja në rrezik e vet jetës së luftëtarëve të lirisë. Pas dërgimit të armëve në vendin e caktuar, burimet serbe të cilat duket se kishin arritur të informohen rreth kësaj veprimtarie, të nesërmen në emisionin e lajmeve në gjuhën shqipe në Televizionin e Prishtinës (i cili asokohe ishte i okupuar )informojnë opinionin e gjërë ” së Shaban Salihaj kishte futur 500 terroristë të armatosur nga Shqipëria në Kosovë”.

 

Aksionet e Shaban Salihajt për eliminimin e kriminelëve serbë

 

Nga flakët e luftës Drenicë ,krenaria dhe dhëmbja ishin bërë bashkëudhëtare të pandara, dashuria dhe solidariteti e mbi të gjitha ,atdhedashuria po merrte përmasa gjithënjë e më të mëdha në të gjitha segmentet e jetës së njerëzve. Afrimi i luftës kishte filluar të ndihej i sigurtë në cdo prag të shtëpive të shqiptarëve, në cdo cep të atdheut tonë të pushtuar. Lufta po merrta përmasa apokaliptike.

Në komunën e Burimit levat e pushtetit okupues po përpiqeshin të blejnë kohën edhe ashtu të cmuar që u kishte mbetur. Policia vrastare serbe, Dora e Zezë, paramilitarët e Arkanit, Sheshelit ishin lëshuar si korbat në gjah kundër popullatës së pambrojtur shqiptare. Pjestarë të këtyre grupeve famëkëqia po dëshmoheshin përditë e cdo cast përmes dhunës dhe brutalitetit kundër shqiptarëve. Këto horda kriminale po bënin plojë nëpër vatrat e luftës në Drenicë e Dukagjin, duke vrarë e prerë të pafajshëm, duke djegur, duke përdhunuar…Por derisa këta kriminelë trevat e luftës, por edhe aty ku nuk kishte luftë, po i mbytnin në gjak, Shaban Salihaj me grupin e tij i gjurmonte hap pas hapi dhe u jipte atyre dënimin e merituar. Rajko Gajiq nga Veriqi, një kriminel i njohur për krime dhe i regjur në luftën e Bosnës, pjesëtar i njesisë special e të policisë serbe, i dëshmuar në kryerjen e shumë krimeve nëpër vatra të luftës, kishte mbushur kupën. Përvec kësaj ai nuk kishte hezituar ta vriste e pastaj ta priste në fyt Bajram Binakun diku në mallet e Ucës. Vendimi për vrasjën e tij nga strukturat komanduese të UCK-së vinte si një detyrim, si një shpagim, si hakmarrje për gjithë atë kob që po mbillej në Kosovë, për gjithë atë gjak të pafajshëm që po derdhej, për gjithë atë urrejtje të shfrenuar patologjike që vinte nga ana e Serbisë… Atentati i ngarkohet Shaban Salihajt dhe grupit të tij. Një natë qërshori të vitit 1998 sëbashku me vëllaun Milaimin, djalin Hysenin dhe nipin Nazmiun i afrohen shtëpisë së tij në Veriq. Shtëpia e Rajkut ishte shndërruar në një cerdhe cetnikësh ku pihej alkooli deri në dehje, ku këndoheshin këngë cetnike për shfarosjën e shqiptarëve, të cilat në të shumtën përcillëshin me krisma të kalibrave të lloj-llojshme të armëve. Të gjitha këto bëheshin për të krijuar efekte psikologjike të frikës ndaj shqiptarëve. Atë natë Shabani ngadal, por me vendosshmëri afrohet deri të dritarja e dhomës ku po qëndronte Rajku me një nga nipërit e tij, ndërsa pjestarët e grupit të Shabanit kishin zënë pozicione gati për zjarr. Nga jasht Shabani me një serbishte të shkoqur i drejtohet :” O Rajko, jam Gjuriqi, eja shkojmë të pijmë në Istog”. Rajku duke mos kuptuar grackën që i kishte kurdisur Shabani fillon të dalë me automatik dhe revole (sepse kështu shkonte thuajse çdo kund në atë kohë). Duke dalë nga dera e hyrjes së shtëpisë, Milaimi dhe Hyseni ia lëshojnë nga një breshëri nga të dy automatikët në mes të trupit, duke e plandosur për tokë. Ia marrin armët dhe largohen nga vendi i ngjarjes pa lënë gjurmë. Vrasjen e Rajkut e mëson më shpejt baza e Shabanit në Drenicë, të cilës Shabani ia dorëzon armët e konfiskuara, se nipi i Rajkut që ishte aty brenda. Kur nipi zgjohet në mëngjes, sheh Rajkun të shtrirë dhe gati të ndarë në dysh në derën e hyrjes së shtëpisë. Vetëm atëherë e kupton se breshëritë e mbrëmshme nuk kishin qenë të Rajkut dhe Gjuriqit siç ishte mësuar t’i dëgjoj shpesh ai dhe shumë të tjerë, por paskeshin qenë të UÇK-së. Vrasja e Rajkut në qarqet serbomëdha u prit me indinjatë të madhe. Për humbjen e Rajkut, komandiri i policisë serbe në Burim ishte shprehur: “Po të m’i vrisnin pesë njerëz tjerë, e madje edhe të kishin mundësinë e zgjedhjes së tyre, nuk do të mërzitesha më shumë se për Rajkun”.

Aksionin e radhës Shabani së bashku me djalin Hysenin dhe nipin Nazmiun e ndërmarrin në jug të daljes së fshatit Rakosh dhe hyrje të fshatit Kërrninë të Burimit. Në një pritë të përgaditur mirë ata vrasin dy policë serbë të uniformuar: Slavko Gergiq nga Rakoshi dhe Sllavolub Grozdanoviq nga Kernina, derisa po shkonin në ndërrim në një postbllok të policisë serbe. Policëve të vrarë, grupi I UCK-së ua merr armet si trofe dhe të njejtat në mëngjes dorëzohen në shtabin e UÇK-së në Drenicë. Edhe më këtë rast, komandanti i Shabanit në Drenicë në shënj mirënohje dhe krenarie duke ia rrahur supet i thotë: “Sa herë po të sjell era këndej tek ne, nga një aksion po na kryen andej, plus po na sjellë armë”.Jehona e vrasjes së policëve serbë dalëngadal po mbillte farën e frikës, dëshpërimit dhe rënjën e moralit në vecanti të strukturat komanduese dhe pjestarët e policisë. Vrasja e këtyre policëve i kishte kufizuar deri në minimum lëvizjet e policisë serbe gjatë natës, ndërsa banorët shqiptarë të kesaj treve për herë të parë po ndienin një lehtësim, një qetësi pak më të madhe, edhe pse të përkohshme, nga bastisjet e policisë serbe që i ndërmerrte natën.

 

Rrethimi, rënia në shtëpinë e lindjes dhe vrasja e familjes

 

Strukturat inteligjente serbe përmes sherbimeve dhe rrjetit informativ që kishin do të kuptojnë së në ballë të të gjitha veprimeve, sulmeve, atentateve qëndronte strategu sypatrembur Shaban Salihaj dhe grupi i tij, i cili e mbështeti me forcën dhe besnikërinë më të madhe deri në fund. Për të asgjësuar këtë grup të UCK-së i cili po u kallte datën, strukturat policore, ushtarake dhe paramilitare hartojnë planin e eliminimit të këtij grupi.

Në mbrëmjen e 28 gushtit 1998, Shabani me grupin e tij të vogël kthehet në shtëpi për të vizituar familjen e tij në Shushicë të Poshtme. Për vizitë në shtëpinë e tij kishte qenë edhe dy herë pra kësaj date. Si për ironi të fatit, atë mbrëmje kishte pasur dy” mysafirë” që kishin ardhur ta vizitojnë, qëllimet e të cilëve nuk kishte arritur t’ i kuptoj Shabani edhe pse ata qëndruan deri pas mesnate. Rreth orës katër të mëngjesit të 29 gushtit, nëna e Shabanit vëren se sana në oborrin e tyre po digjej, Ajo lajmëron Shabanin se janë rrethuar. Sanën po e digjnin forcat serbe nga distanca. Të gjithë të pranishmit në shtëpi zgjohen duke kapur armët për të rezistuar. Fillojnë të shtëna nga shumë drejtime nga kalibra pushkësh snajperiste, automatikësh, mitrolozësh të rëndë nga autoblindat. Një luftë e pabarabartë, për jetë o vdekje. Luftë në mes të lirisë dhe robërisë. Pozicionimi i luftëtarëve të lirisë bëhet në qark, duke bërë përpjjekje për ta mbrojtur pragun e shtëpisë, nderin dhe lirinë e nëpërkëmbur. Ndër antarët e parë që goditet nga plumbat ishte Isë Hyseni, babai i Shabanit, plak 76 vjecar, të cilin pasi e zënë e egzekutojnë. Pas tij, në interval e të ndryshme kohore vriten vëllezërit e Shabanit, Arbeni, dhe Abedini, e më vonë djali i Shabanit, Hysniu. Djali tjetër i Shabanit, Hyseni plagoset duke tentuar për të carë rrethimin e trefisht që kishin bërë forcat serbe. Në të njejtën kohë plagë të rënda kishte marr edhe Milaimi, vëllai I Shabanit. Të dy edhe pse të plagosur vazhdojnë të rezistojnë duke u bërë krah i lirisë, zë i ndërgjegjes së kombit, duke u bërë fanarë të dritës së lirisë së Kosovës. Tymi dhe flaka kishte mbuluar Shushicën. Krismat e armëve të të gjithë kalibrave të mundshëm po e vrisnin mengjesin e asaj dite gushti, ndërsa familja Salihaj po luftonte me një ushtri, me një krajli. Nëpër flakët e zjarrit, nëpër shtëllungat e tymit, nëpër krismat dhe gjëmimin e armëve shquhej zëri i Shaban Isës që komandonte, u jipte zemer familjarëve të tij të luftojnë dhe të mos turpërohen para shkjaut. Rrethimi sa vinte e ngushtohej përreth luftëtarëve të lirisë. Krismat e mbrojtjes bëheshin gjithënjë e më të pakëta. Municioni po u mbaronte. Kur Hysenit dhe Nazmi Gashit po u mbarohej municioni , për të mos rënë në duart e bishave fashiste, bëjnë vetëvrasje duke qëlluar me revole në pjesën e majtë të nofullës. Nuk donin të dorëzoheshin për asnjë cmim, kishin dhënë betimin e ushtarit të UCK– së dhe këtij betimi i qëndruan deri në fund. Të njejtën ditë vritet edhe Gani Salihaj, që ishte civil. Dara e rrethimit militarist po e ngushtonte rrethin ndaj shtëpisë së familjës Salihaj.

Derisa shumica e mbrojtësve të lirisë, ishin vrarë aty pranë shtëpisë dhe përreth, Shabani arrin të dalë nga rrethi i parë duke u futur në rripin e malit afër 300 metra të gjatë dhe përafërsisht 50 metra të gjerë që fillon nga oborri i shtëpisë së tij në drejtim të lindjes deri në rrugën Zhakovë – Rakosh. Shabani vritet në rrethin e dytë kur në armët e tij nuk kishte mbetur më asnjë sasi municioni , afër rrugës Zhakovë – Rakosh. Koha e vrasjes së tij ishte ora 10. Ndërkohë, forcat serbe zënë gruan e Shabanit duke bërë përpjekje për tu arratisur nga shtëpia në drejtim të perëndimit. Rreth orës 11. serbët hyjnë në oborrin e shtëpisë dhe fillojnë ta djegin atë. Kërkojnë edhe nënën e Shabanit që ta vrasin, e cila e sëmurë kishte arritur të strehohej në shtëpinë e një fqinji. Ndërsa gruaja e Shabanit, të cilën serbët e kishin marrë me vete, është gjetur e masakruar në postbllokun e policisë dhe ushtrisë serbe në Kodër të Rakoshit (3-4 kilometra larg nga shtëpia). Asaj më vonë i janë gjetur vetëm eshtrat dhe flokët që dalloheshin se janë të saj.

Mëngjesi dhe paradita e 28 gusht 1998, nuk ishte ditë e zakonshme për banorët e treves së Burimit, ndonëse ishte një ditë pas shiut që kishte rënë gjatë natës. Koha e vrerët dhe me mjegull që kishte pllakosur luginën e lagjes së Salihajve nuk kishte mundur as përafërsisht të mbuloj gjurmët e krimit monstruoz që u krye atë ditë. Banorët e fshatrave përreth, sidomos Shushicë e Poshtme dhe e Epërme, u zgjuan nga krisma armësh dhe e kuptuan se aty në lagjën e Salihajve po bëhej luftë, ndërsa ata po qëndronin të mpirë, po bënin sehirë. Sipas burimeve serbe, në operacionin kundër familjes Salihaj, kishte marr pjesë një efektiv prej 500 trupave, ku bërthamën kryesore e përbënin ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë nga Burgu i Dubravës, që ishte shndërruar në një bazë të madhe ushtarake e logjistike . Në mesin e 500 trupave kishte edhe policë e paramilitarë serbë nga fshatrat përreth Shushicës si: Zhakovë, Mojstir, Shushicë e Poshtme, dhe Veriq. Diten e vrasjes pandërprerë mbi Shushicën e Shaban Salihajt, një helicopter i ushtrisë vrastare serbe vrojtonte pandërprerë mbi gërmadhat e kullës së Salihajve që ende nxirrnin tym dhe flakë. Dukej sikur as vet nuk po besonin syve së Shabani dhe formacioni tij i UCk-së ishin vrarë .

Varrimi i dëshmorëve dhe anëtarëve të familjes Salihaj u bë në oborrin e tyre më 29 gusht 1998, ndërsa më vonë është ngritur një lapidar në hyrje të rrugës që shpien të lagja e tyre, përgjatë magjistrales Pejë – Mitrovicë. Ndonëse kontributi i dëshmorit Shaban Salihaj për UCK-në deri në rënjën e tij (5 mars-28 gusht) zhvillohet brënda një periudhe më të shkurtër së gjysmë viti, rënja e tij në fushën e betejës ishte një humbje e madhe për UCK-në kur të merret parasysh roli dhe kontributi i tij intenziv. Akti i madh heroik, guximi, atdhedashuria, vetflijimi me vetëdije, Shaban Salihajn dhe familjen e tij, do ta radhisin përjetësisht në gjerdhanin e dëshmorëve të kombit shqiptar të cilët luftuan gjithandej për një atdhe të lirë, për një atdhe të përbashkët ku bukës do t’i thuhet bukë e ujit –ujë. Përjetësisht

 

27 gusht 20011 Prof. Qerim Rexhaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu