Prifti italian: Gratë janë fajtore kur rrihen nga burrat

0
698

ITALI – Një prift italian ka shkaktuar polemika pasi në një shkrim të tij ka thënë se gratë janë pjesërisht fajtore për nxitjen e dhunës në familje, sepse ato nuk pastrojnë shtëpitë, nuk gatuajnë si duhet dhe sepse veshin shumë rroba të ngushta e provokuese.

Mediat italiane kanë raportuar se famullitari Piero Corsi ka vendosur një tekst në tabelën e lajmërimeve në kishën e fshatit San Terenzo di Lerici, në veri të vendit, ku ka deklaruar se femrat nuk ushtrojnë “autokritikë të shëndetshme” në lidhje me rastet kur një burrë vret gruan e tij.

Teksti, të cilin në internet e publikoi katoliku konservator Bruno Volpe, kritikon pornografinë dhe reklamat erotike televizive, ndërsa thekson se femrat pjesërisht kanë faj për “shkaktimin e instinkteve më të këqija, të cilat pastaj shndërrohen në dhunë dhe abuzim seksual”.

“Le ta pyesim veten: a është e mundur që të gjithë meshkujt përnjëherë të çmenden? Them se jo”, shkruan prifti në tekstin e tij, të publikuar në shumë media. “Thelbi i problemit qëndron në faktin se gratë janë çdo herë e më provokuese, arrogante dhe kështu në fund provokojnë tensione”.

“Sa shpesh shohim vajza, e madje edhe gra të pjekura në rrugë, në rroba provokuese dhe të ngushta? Foshnja të lëna pas dore, shtëpi të ndyra, ushqim të ftohtë dhe të shpejtë. Prandaj, në qoftë se familja përfundon në kaos dhe krimi ndodh (lloj i dhunës që duhet të gjykohet dhe dënohet) përgjegjësia është shpesh e përbashkët”, shton më tej prifti Corsi.

Kryetari i Bashkisë së Lericit, Marco Caluri, ka thënë se artikulli është “shumë fyes”. Ndërsa, peshkopi i La Spezias urdhëroi që teksti të hiqet nga tabela e shpalljeve, duke thënë se ajo përmbante qëndrime të papranueshme “që janë në kundërshtim me pozitën e kishës”.

Një e treta e grave në Itali është raportuar të jetë viktimë e dhunës serioze në familje, sipas një raporti të OKB-së. Aty thuhet se në 2010-ën burrat kanë vrarë 127 gra, ndërsa motivet më të shpeshta ishin “nderi, papunësia dhe xhelozia”.

Corsi pas kritikave kërkoi falje, por ka thënë se nuk ka ndërmend të heqë dorë nga detyra e tij.

(er.nu/tg)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu