Prifti serb dhe Janullatos, aleanca e djallit

0
743

Të vërtetat historike nuk janë shovinizëm, apo nacionalizëm, përkundër, janë përgjegjësi për të ardhmen dhe kujtesë e domosdoshme për brezat që vijnë. Është detyra jonë është që memorien ta ruajmë domosdoshmërisht për ngjarjet historike në dëm të kombit shqiptar e për t’ua treguar brezave që vijnë. Ata duhet të mësojnë se 1913 ka qenë viti i kasaphanës mbi kombin dhe trojet shqiptare, kasaphanë e bërë nga fqinjët tanë, ku njëri është i përkëdhelur i perëndimit e tjetri i Moskës. Pas një skenari të turpshëm nga Janullatos me eshtra të ushtrisë agresive greke në dëm të popullit shqiptar në jug të Shqipërisë deri në Prevezë, na shfaqet një pseudo prift serb në Shkodër për të kërkuar varre ushtarësh serbë. Ky prift i quajtur Amfilohije Radoviç, jashtë misionit të tij si prift, i dërguar nga patriarkana e Beogradit, kërkon të na kujtojë ushtarë serbë të vrarë në Shqipërinë tonë, e cila me të vërtetë është bërë varrezë për armiqtë e këtij populli (Zoti të më falë për këtë që citova). Shqiptarët nuk kanë varre në dhe të huaj, sepse kurrë nuk kanë vrarë, grabitur, shfarosur popuj të tjerë. Historia na mëson shumë për të kaluarën tonë ndër shekuj, por sidomos për vitet 1912-1913, kur atdheu ynë u bë kurban për fqinjët tanë, që në ato vite treguan natyrën e tyre të vërtetë kundër kombit shqiptar. Serbët në Kosovë dhe grekët në Çamëri vranë popull shqiptar të pambrojtur dhe të pafajshëm, plaçkitën dhe shpërngulën si barbarë të uritur njerëz të mirë ortodoksë, myslimanë, katolikë, bektashi, vetëm se ishin shqiptarë në shtëpitë dhe pronat e tyre.
Çfarë kurdisin dy aleatë të djallit me eshtra ushtarësh si greku Janullatos dhe prifti serb Radoviç në dëm të kombit dhe truallit shqiptar?
Vetëkuptohet se të prekësh ndjenjat e një shoqërie apo kombi është t’i sjellësh ndërmend ushtarët e vrarë dhe qëllimin e tyre përse janë vrarë, me qëllim që të ngresh një mendim dhe qëllim të ri po si ai i vjetri në shoqërinë e sotme. Janullatos dhe nazistët grekë thonë se kanë heronjtë e Vorio-Epirit, Radoviç thotë se serbët kanë luftuar kundër osmaneve në veri të Shqipërisë, e cila shtrihet deri në Mitrovicë e Preshevë, kur Shqipëria e kishte shpallur Pavarësinë e saj më 28 Nëntor 1912 për të katër vilajetet pa asnjë ndarje. Ç’kërkonin këto hordhi grabitqare dhe kriminelesh në atdheun Shqipëri 62 mijë kilometra katrorë? Kuptohet se çfarë ndodhi më 1913.
Kisha Ortodokse Kombëtare Shqiptare, për hir të së vërtetës, krahasuar me kishën serbe dhe atë greke qëndron në piedestal të lavdishëm pranë dritës së Perëndisë dhe profetëve. Në asnjë mënyrë kisha nuk mund të bëhet vegël në duar terroristësh, mafiozesh, politikanëve vdekje-mbjellës, qëllimeve të urrejtjes apo racizmit injorant që buron që nga Kaini i Biblës. Si mund të thuash se Zoti të bekon ty, kur ti mendon për vdekjen dhe shfarosjen e tjetrit!? Ne shqiptarët e dimë shumë mirë se, misioni fetar është ai i dashurisë, respektit, besnikërisë, bujarisë dhe mbi të gjitha i lutjeve dhe faljeve të mëkateve që bën çdo njeri pa përjashtim në këtë botë.
Si prift që është, Radoviç apo kisha serbe duhet të kryejë misionin e saj human në gjetjen e mbi 3000 shqiptarëve të zhdukur nga ushtria serbe, ndërsa prifti Janullatos, t’i kërkojë shtetit grek respektimin e emigranteve shqiptarë si dhe kthimin e çamëve në pronat dhe shtëpitë e tyre në Çamëri. Çdo shqiptar dhe politikan duhet të mbajë qëndrim të qartë ndaj fqinjëve, që me gjithë gjenocidet dhe grabitjet ndaj popullit shqiptar dhe trojeve të tij, ne përsëri jemi për fqinjësi normale. Le të mbrojmë së bashku të paktën parimet kushtetuese, përsa u takon veprimeve antishqiptare, që cenojnë territorin dhe identitetin shqiptar. Në rast se nuk ndërhyjnë institucione të shtetit në mbrojtje të vlerave tona, atëherë e them me përgjegjësi se do t’i mbrojë populli me veprime fizike të drejtpërdrejta, sepse kupa po mbushet, siç e ka mbushur me kohë Dule, Bollano, Radoviç, Janullatos etj. Një ditë durimi i çamëve do të soset dhe po ashtu dhe ai i shqiptarëve në Maqedoni, Presheve, Bujanovç etj. Nuk mund të jesh nënshtetas i Shqipërisë dhe të kërkosh Vorio-Epir, këtu toleranca kthehet në dobësi dhe paaftësi për të vepruar. Disa herë kisha serbe është bërë frymëzuese e akteve të dhunshme në Mitrovicë. Thua se Europa fle për këto akte të drejtpërdrejta terroriste, në dëm të shqiptarëve të Kosovës? Ne besojmë se jo, por duhet informuar. Ne nuk e kuptojmë heshtjen e gjatë të partive tradicionale të djathta, që e kanë në program bashkimin kombëtar dhe nuk mbrojnë programin e tyre.
Ne si kishë e kemi të qartë planin ortodoks-serbo-grek në dëm të kombit shqiptar dhe kishës ortodokse shqiptare. Jemi të përgatitur për të përballuar me çdo mjet, sepse është e drejta jonë të mbrojmë veten tonë, kombin shqiptar dhe truallin e tij të bekuar në çdo drejtim. Gjatë festimeve të 100-vjetorit, ndodhi një mrekulli e madhe, kjo mrekulli ishte angazhimi politiko-qytetar i gjithë shqiptarëve me aktivitete të shkëlqyera, në çdo drejtim, që nga ekspozitat e flamurit e deri tek mbledhja e qeverisë në Vlorë. Vetëm Janullatos nuk organizoi asnjë simpozium historik për ata ortodoksë që dhanë jetën për pavarësi dhe liri. Çudi? Jo, tashmë e kanë të qartë të gjithë shqiptarët se ky përfaqëson kishën e minoritarëve të shitur tek asfalia greke dhe racistët e çmendur të Agimit të Artë. Kisha ortodokse kombëtare shqiptare dënon çdo veprim të çdo prifti që merret me politikë shoviniste, me qëllim genocidi ndaj çdokujt, qoftë ndaj individit apo kombeve të ndryshme. Ne do të reagojmë mbi parime kristiane ndaj Radoviçit dhe Janullatosit në organizma ndërkombëtare përkatës, me qellim që spekulimi i këtyre gjeneralëve të veshur me rroba prifti të marrë fund bashkë me planet e tyre.

 

At Nikolla Marku

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu