Pritet shkarkimi i Murat Mehes

0
973

Meha

Kryetari i Komisionit për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, Murat Meha pritet të bëhet “kurban” i qetësimit të tensioneve politike në vend, të cilat nuk po pushojnë që nga fillimi i sesionit vjeshtor të punimeve të Kuvendit të Kosovës.
Burime brenda partive në koalicionin qeverisës, nuk e kanë përjashtuar mundësin që ai të shkarkohet nga kjo pozitë, për t’i hapur rrugë dialogut me partitë e bllokut opozitar, në mos me të gjitha, të paktën me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka qenë më e zëshmja në kundërshtimin e marrëveshjes së nënshkruar në Vjenë.

“E vërteta është se vija kufitare e përcaktuar nga Komisioni që e udhëheq Meha, nuk po kontestohet vetëm nga opozita por edhe nga deputetët tanë dhe nga ekspertët e kësaj fushe. Kështu që, Meha mund të shkarkohet në mënyrë që të krijohen dy parakushte: e para që marrëveshja të mos kaloj në Kuvend dhe e dyta që të krijohet klima për dialog me opozitën, posaçërisht me AAK-në”, ka thënë për Gazetën Tribuna njëri nga zyrtarët brenda koalicionit qeverisës, pa dashur t’i përmendet emri.

I njëjti nuk e ka përjashtuar mundësinë që Meha të vihet edhe para përgjegjësisë nëse veç konstatohet se puna e tij nuk ka qenë profesionale.

“Meha mund të jap llogari sepse për shkak të tij shteti ka mundur t’i humb rreth nëntë mijë hektar tokë. Këtu me të drejtë edhe opozita po akuzon për tradhti kombëtare”, ka thënë ai.

Në fakt, sot është zhvilluar takimi i parë mes sekretarit të AAK-së, Blerim Kuçi dhe ministrit të Punës, Arban Abrashi, ku është diskutuar çështja e demarkacionit.

Në AAK, kanë mohuar se kanë lëvizur nga pozicioni, por në Qeveri janë optimist se gjërat kanë filluar të lëvizin në kahun pozitiv. /Gazeta Tribuna/

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu