Privatizimi në duar të Thaçit

0
757

Kryeministri Hashim Thaçi po e përgatit terrenin ligjor që ta marrë në duar vendimmarrjen në procesin e privatizimit në Kosovë.

Me ndryshimet që po bëhen në Projektligjin e Privatizimit, përkatësisht në nenin 4, paragrafin 2, në kuadër të ndryshimeve dhe plotësimit të ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kryeministri do t’i emërojë 3 anëtarët ndërkombëtarë në Bordin e Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Opozita kosovare dhe disa deputetë të koalicionit qeverisës kundërshtojnë ashpër këtë iniciativë të Qeverisë së Kosovës, pasi që, sipas tyre, ky nen është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e që është neni 142, pra agjencitë e pavarura.

“Nëse AKP-ja është agjenci e pavarur, atëherë pse anëtarët t’i emërojë kryeministri, e jo Kuvendi. Edhe ky nen është në kundërshtim me qëllimin e ligjit, pasi po vazhdon mandati i tre ndërkombëtarëve në Bord”, thotë për “Zërin” Albana Fetoshi, deputete e Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin e Kosovës.

Sipas saj, deri më tani Bordi i AKP-së i ka pasur 8 anëtarë, 5 prej të cilëve i ka emëruar Kuvendi, ndërsa 3 anëtarë ndërkombëtarë të Bordit i ka emëruar Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (PCN), Piter Feith.

Mirëpo, në kuadër të ndryshimeve dhe plotësimit të ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës, kompetenca e Feith-it do t’i marrë kryeministri Hashim Thaçi. Pra, 3 anëtarët ndërkombëtarë të Bordit do t’i emërojë kryeministri.

“Nëse po flasim për përfundim të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë, pse edhe më tutje të ketë ndërkombëtarë në Bordin e AKP-së”, pyet deputetja Fetoshi, duke shtuar se me këtë projektligj, i cili ka kaluar leximin e parë në Kuvend, kryeministri e emëron kryesuesin dhe zëvendëskryesuesin e Bordit.

Ajo ka shtuar se agjencitë e pavarura, siç është AKP-ja, vazhdojnë të mos kenë pavarësi të plotë, pasi që kompetencat që i ka pasur deri më tani Piter Feith po i merr kryeministri, e jo Kuvendi.

Edhe deputeti i Koalicionit për Kosovën e Re(KKR), Muhamet Mustafa, në seancën e 22 qershorit 2012 të Kuvendit të Kosovës, ka tërhequr vërejtjen lidhur me propozimet për ndryshimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

“Nëse Kuvendi i zgjedh anëtarët tjerë, atëherë duhet t’i zgjedhë edhe anëtarët ndërkombëtarë. Pra, kryeministri dhe Qeveria mund t’i propozojnë Kuvendit, por Kuvendi duhet t’i zgjedhë ata, e jo kryeministri, sipas logjikës”, pati pohuar deputeti Mustafa.

Ai ka folur edhe për zgjedhjen e drejtorit të kësaj agjencie, ku ky i fundit, sipas tij, duhet të zgjidhet nga Bordi, të cilin e ka emëruar Kuvendi.

Përndryshe, përpos 3 ndërkombëtarëve në Bordin e AKP-së, 5 anëtarët e Bordit që janë zgjedhur nga Kuvendi janë: Haxhi Arifi, përfaqësues i punëtorëve, Bahri Shabani, zëvëndëskryeministri Sllobodan Petroviq dhe Naser Osmani.

Humb pavarësia e Agjencisë

Ibrahim Rexhepi nga Organizata Joqeveritare “STRASS”, thotë për “Zërin” se Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar ka pasur kompetenca të rezervuara për emërimin e tre anëtarëve ndërkombëtarë të Bordit të AKP-së, ngase një fuqi të tillë ia ka dhënë Pakoja e Ahtisarit.

Ndërsa nëse kompetencat e tilla tashmë i kalojnë kryeministrit Hashim Thaçi, atëherë, sipas tij, humbet pavarësia e agjencisë së pavarur të privatizimit.

 

Nga Lavdim Hamidi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu