Privatizimi përçan deputetët e AAK-së

0
791

Prishtinë, 9 tetor – Janë dhënë sot sinjalet e para të përçarjes ndërmjet deputetëve të AAK-së. Ndërsa, shkas për këtë ka mundësi të jetë procesi i privatizimit. Derisa Ardian Gjini dhe Burim Ramadani kërkojnë kompromis mes dy rezolutave, deputetja Donika Kadaj-Bujupi thotë se ky nuk është qëndrim i Grupit Parlamentar të AAK-së e as i organeve të kësaj partie.

Deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi ka reaguar sot ndaj deklaratave të Shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini dhe deputetit Burim Ramadani të cilët një ditë me parë kanë deklaruar se qëndrimi i Grupit Parlamentar të kësaj partie është që të harmonizohet Mocioni i iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili parasheh pezullimin e procesit të privatizimit dhe Rezolutës së PDK-së, e cila kërkon vazhdimin e privatizimit, në të kundërtën kjo parti nuk do ta votojë asnjërën. Këto deklarata, sipas deputetes Kadaj-Bujupi, nuk janë qëndrim i Grupit Parlamentar të AAK-së e as i organeve të kësaj partie. Në një prononcim për ORAinfo.com ajo ka theksuar se deputetët e kësaj partie do të votojnë individualisht në Kuvendin e Kosovës, se a janë për pezullimin apo vazhdimin e procesit të privatizimit.

Ndërsa përmes një deklarate publike për media, ajo ka sqaruar qëndrimin e saj rreth procesit të privatizimit.

“Si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, më lejoni t’ju njoftoj se qëndrimi im rreth procesit të privatizimit në Kosovë, nuk ka ndryshuar. Po ashtu, nuk qëndron fakti se ky vendimi deklarativ për të ndryshuar qëndrim është marrë në Grupin Parlamentar të AAK-së, deputetet së cilës nuk janë takuar apo konsultuar, për të marrë qëndrim ndryshe. Po ashtu, për këto deklarata nuk janë konsultuar as organet e partisë, sikur se do të duhej, konform statutit dhe rregulloreve të funksionimit të AAK-së”, ka thënë deputetja Kadaj-Bujupi.

“Andaj, e them publikisht se qëndron edhe më tutje, ajo që e kemi thënë në Parlament, se Aleanca si parti e spektrit të djathtë nuk është kundër privatizimit si koncept. Mirëpo, jemi kundër këtij lloji të privatizimit, i cili në Kosovë përveç thellimit të korrupsionit, krimit dhe humbjeve të vendeve të punës nuk ka sjellë asnjë dobi. Për më tepër, në fazën e tanishme, privatizimi i dy sektorëve më të rëndësishëm në vend, pa vendim të Kuvendit, pa strategji dhe në fazën kur në Kosovë mjedisi për bërjen e biznesit është shumë i dëmshëm, rrezikon që pa çmim minimal, i cili kurrë nuk është vendosur nga qeveria, këto ndërmarrje të Kosovës dhe të qytetarëve, të shiten për interesa të politikes dhe jo për interesa të vendit”, ka thënë deputetja Kadaj-Bujupi.

Ndryshe, partitë opozitare, duke përfshirë edhe AAK-në e kishin nënshkruar një mocion të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosjes përmes të cilit kërkohet pezullimi i privatizimit. Në anën tjetër, as partitë në pushtet nuk kanë ndenjur duar-kryq duke propozuar një rezolutë e cila lejon vazhdimin e procesit të privatizimit.

Edhe pse e kishin nënshkruar mocioni e opozitës, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të hënën, zyrtarë të AAK-së i kanë ‘hëngër’fjalët duke kërkuar harmonizimin e mocionit me rezolutën, në të kundërtën kjo parti nuk do të votonte për asnjërin propozim. Mirëpo ky qëndrim i disa zyrtarëve të AAK-së, sipas deputetes Donika Kadaj- Bujupi nuk janë edhe qëndrime të partisë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu