Procesi i “Çelikut”

0
962

Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se deputetët nuk i mbron imuniteti nga arrestimet e mundshme rreth padive penale apo civile. Pas këtij mendimi, për rastin “Kleçka”, EULEX’i paditi Fatmir Limajn dhe nëntë persona të tjerë që akuzohen se kanë urdhëruar ekzekutimin e policëve serbë të rrëmbyer gjatë luftës së UCK-së në vitin 1999.

Një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore që shënuan vitin 2011 për drejtësinë në Kosovë, është edhe ai i rastit “Kleçka”. Ky proces i cili ka nisur dy vite më parë, sërish nuk mundi të përmbyllej brenda vitit 2011. Personi kryesor në këtë proces është Fatmir Limaj, deputet i Kuvendit të Kosovës, ndaj të cilit janë duke u kryer hetime edhe për kohën sa ishte ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.

Në lidhje me procesin “Kleçka”, prokurorët patën marrë në pyetje edhe kryeministrin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, pastaj Rexhep Selimin, Ramë Bujën, Kadri Veselin si dhe tetë anëtarëve të tjerë të ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Limaj pretendon se me dëshminë e tyre do të vërtetohet se periudha për të cilën ai akuzohet për rastin “Kleçka” nuk ka qenë fare në Kosovë, por në Shqipëri, në përgatitje të operacionit të koduar “Shigjeta”.

Konfirmimi i aktakuzës së Limajt dhe të tjerëve, u bë gjatë muajit gusht, por shumë shpejt, gjithçka do të pështjellohej. Vetëvrasja e mistershme e Agim Zogaj i cili deri në atë kohë njihej si “Dëshmitari X”, solli shumë të papritura. Në lidhje me këtë çështje, ai vazhdon të jetë nën masën e arrestit shtëpiak e cila në fund të muajit tetor i është vazhduar edhe për dy muaj të tjerë. Por në lidhje me këtë vendim, kishte reaguar avokati i tij, Tahir Rrecaj duke e quajtur një veprim të tillë si të pa mbështetur në ligj.

Padia e ngarkon Limajn dhe nëntë të pandehurit e tjerë me akuza të ndryshme të krimeve të luftës që dyshohen se janë kryer në vitin 1999 në një qendër të paraburgimit të improvizuar të vendosur në fshatin Kleçkë.

Fletarrestimi për Fatmir Limajn kishte ekzistuar disa muaj më parë, por ai nuk kishte mundur të arrestohet deri në shtator të vitit 2011.

Kjo ka ndodhur tek pasi që Gjykata Kushtetuese shpalli aktgjykimin rreth çështjes së imunitetit të zyrtarëve të lartë publikë. Pasi që ky aktgjykim hyri në fuqi kjo iu dha mundësi organeve të drejtësisë që të arrestojnë zyrtarët për të cilët tashmë ekzistojnë aktakuza. Më parë, EULEX’i nuk ka mundur ta arrestojë atë për shkak të paqartësisë rreth çështjes së imunitetit. Ky ngërç u zgjidh pasi që Qeveria e Kosovës, nën trysni të bashkësisë ndërkombëtare, e çoi këtë çështje për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata ka sqaruar se deputetët nuk i mbron imuniteti nga arrestimet e mundshme rreth padive penale apo civile.

Limaj dhe nëntë persona të tjerë akuzohen se kanë urdhëruar ekzekutimin e policëve serbë të rrëmbyer gjatë luftës së UCK-së. Sipas prokurorit italian, Mauricio Salustro, Limaj, i cili ishte një nga komandantët e njohur të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte torturuar një të burgosur serb gjatë marrjes në pyetje në fshatin Kleçkë të komunës së Malishevës. Dëshmitari kryesor i këtij procesi ishte dëshmitari X, i cili më 28 shtator ka bërë vetëvrasje në Duisburg të Gjermanisë.

 

Nga, Jeton Musliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu