Profesori i Universitetit të Lubjanës: Në sistemin e drejtësisë sllovene ende kanë ndikim strukturat komuniste

0
622

Berisha

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Lubjanës, Martin Berishaj, kritikon ndalimin e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj në Lubjanë nga autoritetet e atjeshme.

Ai e quan këtë veprim të palës sllovene si flirt deri në vasalitet ndaj Beogradit. Por Berishaj thotë se problemet politike mes Kosovës dhe Sllovenisë nuk rregullohen me bojkotim të mallrave duke i derdhë pesë litra qumësht “Alpsko” në rrugët e Prishtinës siç ndodhi pas ndalimit të Agim Çekut vite më parë.

Ai kritikon heshtjen e ministrit të Jashtëm të Kosovës për këtë rast dhe reagimin e vakët të Qeverisë së Kosovës.

“Së pari mendoj se rasti i ndalimit të shtetasit – kështu u cilësua – Ramush Haradinaj në aeroportin e Lubjanës dhe peripecitë rreth këtij ndalimi nuk duhet shikuar assesi si rast i izoluar. Tendencën e këtij ndalimi shteti slloven deshi ta paraqesë si sprovë të ‘vigjilencës’ juridike duke u dëshmuar si partner serioz në rrafshin ndërkombëtar, me qëllim të jetësimit në praktikën juridike sllovene të konceptit anglosakson ‘clean up’, kur lënda duhet të përmbyllet, me ç’rast sistemi juridik duhet të veprojë në mënyrë të civilizuar karshi palës, në këtë rast karshi politikanit kosovar me pasaportë diplomatike, i cili jo më larg se një ditë më parë u prit nga autoritet gjermane”.

“Evidenca e debatit juridik këtu vjen e pështillet edhe më shumë pas deklaratës se Presidentit slloven Borut Pahor i cili në një mënyrë e cilësoi ndalimin më tepër si qasje politike sesa juridike – e unë do të shtoja si një ‘mbetje e rastësishme’ e fletarrestimeve në sistemin mjaft të sofistikuar të Interpolit. Krejt kjo e inicuar që në vitin 2004 nga shteti i cili nuk ekziston më, pra Serbia dhe Mali i Zi! Personalisht mendoj se Sllovenia me këtë ndalim të kryetarit të AAK-së tenton të ‘balancojë’ karshi Kosovës teorinë e marrëdhënieve «tërheq e mos këput», kurse ndaj Serbisë si kurrë me parë apo shikuar nga brenda si flirt deri në rrafshin e vasalitetit ndaj saj”, ka thënë ndër të tjera profesori Berisha në një intervistë për portalin DialogPlus.ch.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu