Profil: Krenar Shala – Qytetari ‘pa mendime’ që ëndërronte të bëhej analist (dhe që u bë)

0
81

Zotëri Shala, Zotëri Shala!” – piskaste moderatori Kushtrim Sadiku. Nga ajo rrëmujë fjalësh nga e cila s’kuptohej asgjë, megjithatë kuptohej që aty kishim një zotëri që mbante mbiemrin Shala. Një zotëri me fletore të kuqe. Një zotëri që pretendonte se fliste për politikë.

Qysh u bë analist?

Dikur, zotëriu Shala s’ishte më shumë se Krenari i Facebook. Një prej shumë ‘krenarëve’ që ndoshta s’e dinte se ku do të ishte pas pesë vitesh. Një prej shumë ‘krenarëve’ që ndoshta s’e dinte se me çka të merrej në jetën e tij. Me telashe në drejtshkrim. Me idenë e ndjellur nga ndonjë hallë a teze se megjithatë dinte diçka.

Por, Krenari kishte në shtëpi televizor dhe shikonte televizor. Një televizor që i shfaqte debatet për politikën.

Krenari dilte edhe nëpër kafeteri. Shihte televizor e dilte nëpër kafeteri. Dhe, përvetësoi televizorin e kafeterinë brenda tij, për t’u bërë një mishmash i dashur por i kuptueshëm.

Ashtu si shumë të tjerë para tij, as Krenari s’e kupton rëndësinë e fjalës publike. Por, faji s’është i Krenarit. As i Kushtrim Sadikut. As i televizionit. Faji është i secilit prej nesh.

Specifika: Çehrja e ngrystë

Krenar Shalës nuk i mban mend dikush ndonjë fjalë apo ide si analist. Megjithatë, i mban mend çehren e ngrystë që jepnin idenë se “gjendja ishte e rëndë”.

Krenari erdhi në shprehje pikërisht në kohën kur debati politik u ngushtua tepër shumë shkaku i polarizimit politik. Për shkak se Albin Kurti donte të mobilizonte masat, u tejthjeshtua debati.

Krenar Shala me Fletore te Kuqe

Dhe, ashtu i tejthjeshtuar siç ishte, me çehre të ngrystë e me një fletore të kuqe në duar shkaku i polarizimit politik, Krenar Shala u rras në studio televizive. Një herë a dy te Ermal Panduri, e pastaj u rehatua te Politiko e Kushtrim Sadikut.

Gjendja ishte e rëndë dhe duhej të kishim çehre të rëndë e duhej mbajtur shënime. Por, kur vinte fjala për të thënë diçka…

Ta themi troç: Shala nuk i ka dhënë asgjë të re sferës publike. Ndoshta edhe sepse nuk i është kërkuar që të jepte diçka të re. Atij iu kërkua të mbronte Albin Kurtin me fjalë të Albin Kurtit, dhe ashtu karikaturueshëm e bëri.

*Për fletoren e kuqe, një koleg thotë që ajo tashmë i është zhdukur në sezonin e ri të debatit.

Kush i shkon nerva?

Halil Matoshi. E përtej Matoshit, çdokush që del matanë debatit VV vs. Anti-VV. Por, vërehet edhe një anti-pati e heshtur edhe ndaj kolegut të tij që mbron të njëjtat qëndrime, Blerim Gashit. Luftë brenda llojit? Ende herët për t’u thënë.

Kujt i pëlqen?

Përveç Milaim Zekës, që i shpreh simpatinë publikisht, nuk dimë ndonjë tjetër.

Fjala e preferuar

Fjala e preferuar e Krenar Shalës është “dinjiteti”. Kurti nuk ishte servil sipas tij, pushtetarët e mëhershëm po. Kurti nuk ishte servil as kur bënte kompromise. As kur hante fjalët e tij. As kur sillej si servil (siç do t’i përshkruante të tjerët po të bënin veprime të ngjashme). Kurti ishte i dinjitetshëm. Pikë.

Qe një mendim i tij nga debati i mbrëmshëm në Kanal10:

“…Perëndimi po don me marrë Serbinë me veti. Qitu osht problemi kryesor. Jo ajo nuk është problem, nuk është problem. (Moderatori: ju sapo thatë që është problem?). Po, është problem se po don me marrë për veti.”

Eh, dinjiteti!

Orientimi politik i pretenduar: I majtë, jo po i shmajtë

Për shkak se “e majta” ka qenë në trend për vite me radhë nëpër kafeteritë e kryeqytetit ku lypësarët trajtohen me shpërfillje, besohet që edhe Krenari e quan veten të tillë.

Për më tepër, edhe Kurti me Vetëvendosjen janë të deklaruar si të majtë të qendrës.

Por, e vërteta është krejt tjetër.

Orientimi politik i vërtetë: Nacionalist

E thamë se fjala e tij e preferuar është dinjiteti. Pra, Krenari është nacionalist. Ai mund të mos e dijë, por do të votonte për Le Penin në Francë e Orbanin në Hungari, përkundër që deklarativisht i denoncon.

Diskursi i Kurtit që ka vendosur të çojë përpara është kryekëput nacionalist dhe shërbehet gati se me të njëjtat fjalë si liderët e ekstremit të djathtë që u përmendën më lart.

Ja çka shkroi në Facebook para disa ditësh:

“Qeveria duhet me e shqyrtu opicionin që deri në fund të vitit, qytetarëve të zonës Schengen me ja u vendosë vizat kur t’dojnë me hy në RKS. Punë vetrespekti e dinjiteti…” – shkruante ai me gabime drejtshkrimore më 14 tetor.

Nota: 3/10

Për fat të keq, emri i përfolur për t’u bërë kandidat për deputet është kolegu i tij Blerim Gashi. Kjo nënkupton se Shala nuk ka qenë aq i denjë as në mbrojtje të fjalëve dhe pozicioneve të Vetëvendosjes. Por, megjithatë nuk është më poshtë se disa deputetë të Vetëvendosjes.

*Ky shkrim për z. Shala është në serinë e shkrimeve mbi profile të figurave publike, me theks të veçantë mbi gazetarë, moderatorë e analistë që marrin pjesë në debate televizive. Përshtypjet e ndara në këtë shkrim janë tërësisht subjektive. Këto shkrime do të shfaqen në një kategori të veçantë që do të vendoset në ballinë e që do të quhet “Debat publik”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu