Profil: Valon Syla – Analisti showman që ndëshkon me fjalinë “A ju kam thanë”

0
236

Është një gjeneratë e gazetarëve në Kosovë që punojnë prej “qysh pas lufte” e që i kanë kaluar të gjitha proceset në 20 vitet e fundit në Kosovë. Ata trajtojnë njejtë të gjithë politikanët, sidomos atyre që kanë kaluar krejt këto dy dekada duke luftuar për të marrë pushtetin. Një nga ta është Valon Syla, analist në emisionin “Pressing” në televizionin T7.

Ai njihet si autor i fjalës tashmë pjesë e fjalorit popullor “gërrnaç” që i referohet diasporës kosovare, të cilën e komenton si “një grupacion që refuzon të integrohet në Evropë” por që jep leksione se si duhet “integruar shoqëria në Kosovë”. Komentohet për gjuhën aspak konformiste që përdor kur analizon, për humorin, nervozën dhe cinizmin që shpreh kur dikush e kundërshton se “nuk është kurrkah” me analizën e tij. Megjithatë, ai mendon se ka parë gjithçka dhe rrjedhimisht i di të gjitha skenaret e mundshme në këtë vend.

Me këtë mënyrë të të menduarit, ai është një analist që nuk analizon çka po ndodhë (sepse ai tashmë e din krejt të vërtetën) por i tregon popullit dhe analistëve kundërshtarë se “çfarë loje po luhet” ose “qysh e kanë honger foren” me një parti ose lider.

Yll Hoxha / Profil: Yll Hoxha – Analisti ‘pyet veten’ në debat “Qysh m’i piu sorra mendtë, e dola prej VV-së?”

Kësisoj, çasja e Valon Sylës kur komenton Qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje e sidomos liderit të saj, kryeministrin Albin Kurti, se “këta janë vetëm një tjetër grupacion i dështakave në politikë-bërjen e Kosovës”, që kanë arritur t’i mashtrojnë 51 për qind të votuesve, është shpërfaqje e një mendësie të analistëve që “i dinë senet” në Kosovë.

Ata kanë përvoja me “ndërkombëtarët të cilët vendosin për Kosovën”, “i njohin moti liderët të cilët sot shiten ndryshe” dhe mbi të gjitha “e dinë edhe epilogun e shumë ngjarjeve”, sikurse dialogu me Serbinë apo kohën kur Kosova do të anëtarësohet në BE apo NATO.

Qysh u bë analist?

Në tregun medial Valon Syla njihet si gazetar që ka kaluar nëpër disa proejkte mediale sikurse Gazeta Express, Klan Kosova e të tjera. Në studiot e debateve publike ai është rikthyer pas një përvoje si korrespodent i RTK-së në Beograd, dhe më pas hapi portalin e tij të lajmeve, “Metro”.

Pas paraqitjeve nëpër studio të ndryshme si mysafir/gazetar/komentator i temave specifike sikurse diaspora kosovare por duke i trajtuar ata me një narrativë që shumë shikues e kanë parë si “provokuese” e shumë të tjerë si “ofenduese”, Valon Syla tashmë është etabluar si analist permanent në studio e “Pressing-ut”. Del 2-3 herë gjatë javës.

Orientimi Politik: Kaosi

Nëse e dëgjon Valon Sylën teksa komenton Qeverinë e Vetëvendosjes ose të ndonjë Qeverie paraprake, e kupton se shumë nga politikanët kanë qenë të paaftë për të emëruar njerëz të duhur për pozitat që drejtojnë. Ai nuk ngurron të dalë haptas si mosbesues dhe tallës ndaj së majtës së proklamuar nga Vetëvendosje dhe për këtë arsye ai komentohet si “përkrahës i PDK-së”.

Ama ai nuk është se përkrahë PDK-në, por më shumë duket se beson në ish liderin e kësaj partie, Hashim Thaçin, të cilin e vlerëson për mënyrën se si ai është sjellur si lider në disa situata vendimtare. Veçanërisht interesant ishte një debat me Thaçin në studio, ku Valon Syla e shihte – ose besohej që e shihte – me sy shumë simpatik.

Ai ka qasje tallëse ndaj LDK-së që ia përmend “politikën paqësore të Rugovës në kohë lufte” ose “servilitetin e Lumirit ndaj Albin Kurtit”, ndërsa mban qëndrim neutral me nuanca të vlerësimit “për trimërinë e Ramush Haradinajt”. Kësisoj orientimi politik i Valon Sylës mbetet më shumë “kaosi” që do të prodhonte sa më shumë argumente që mbështesin bindjen e tij se “këtë vend krejt janë njëjtë”.

Specifika: Gjuha e trupit, humori dhe imitimet

Valon Syla njihet për tonin e lartë me nuanca nervoze, kur flet për gjëra të cilat të tjerët në studio i komentojnë ose i shohin krejt ndryshe nga ai. Duke qenë se i takon mendimit se “e kupton lojën” që po luhet për ta fshehur të vërtetën, Syla pasi përfundon fjalinë përdor gjuhën trupore sikurse “përplasja e kimikut në tavolinë pasi përfundon një argument ose një kundërargument”.

E përkthyer si qëndrim i bie që “s’ki qa e zgat mo, kjo është e vërteta”, por “disa po e pranojnë e disa jo”. Kësisoj, analizat e tij janë të mbushura me “fore”, “humor”, “imitime” e “cinizëm tallës” për kundërshtarët në studio sikurse replikat që i bën me Shkëlzen Gashin, i cili tërë kohën mendon se “po flet mençur e Valoni po e ndërpren”. Ai përdorë imitimet për t’u tallur me disa deklarime ekzaltuese të analistëve të tjerë sikurse Rron Gjinovci, apo imitimin direkt të politkanëve sikurse Lutfi Haziri.

Kush i shkon nerva?

Kush i shkon nerva Valonit, ka rëndësi jetike për paraqitjen e tij. Edhe kur në studio mungojnë “ata që filozofojnë” sipas Valonit (Sadri Ramabaja ose Elvis Hoxhaj e Hysamedin Feraj) ai nuk përton të gjej dikë që i shkon nerva edhe pse pajtohet me të. Për shembull, kapet shpesh me Blerim Latifiin, një tjetër filozof me të cilin pajtohet shpesh, por me të cilin gjen hapësirë me debatu si kundërshtar sidomos për kohën “kur ka qenë në PDK” ose për “momentet që Latifi po bëhet me VV-në”.

Specialiteti: SHOWMAN

Nëse për asgjë tjetër, Valon Syla, me qasjen e tij ofron një spektakël në emisionet debatuese që transmetohen çdo natë në TV-të tona. Nëse arrin të mos e marrësh seriozisht “analizën e tij apokaliptike” për politikën në Kosovë dhe fokusohesh në mënyrën sesi ai komenton shumë figura politike dhe shumë femoneme në Kosovë, atëherë ti do të argëtohesh me aktualitetin.

Përtej politkanëve, ai ka specialitet ekspozimin e analistëve të tjerë që njashtu sikurse Valoni, edhe ata e dinë një të vërtetë tjetër që nuk është ajo që na thuhet, neve qytetarëve. Sidomos ata që “të vertetën e re” e kanë sjellur në studio, në dy-tri vitet e fundit. Fakti që shumë kundërshtar të Sylës në studio, e mirëkuptojnë atë sado që ai bëhet brutal me ta, ose me atë që ata besojnë, tregon shumë. Nuk është që e respektojnë.

Nota: 5/10*

Valon Syla arrin mesataren e notës së vendosur nga ne, për shkak të guximit të tij për të thënë ato që mendon në mënyrën më të zëshme dhe më qesharake të mundur. Fakti që ai nuk e shqyrton aspak mundësinë se “jo krejt janë njëjtë”, ia pamundëson atij që të shoh pikturën e plotë të realitetit me plot të vërteta dhe njerëz që ndryshojnë. Nëse vazhdon në këtë mënyrë, ai mund të bëhet si “gërrnaqat” që i kritikon se “i dijnë senet për Kosovë, ma mirë se na që jetojmë këtu”. Tani për tani, talenti për të përdorur humorin në analizën e tij dhe entuziazmi dhe tensionimi e mbajnë në mesataren e debateve televizive.

*Pas reagimit të pasjellshëm në Facebook, kemi vendosur që Valon Sylës t’ia heqim një yll, që nënkupton se tash është i gjykuar me 4/10.

**Komentet e shprehura nuk përbëjnë detyrimisht qëndrim të redaksisë së gazetës

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu