Profil: Yll Hoxha – Analisti ‘pyet veten’ në debat “Qysh m’i piu sorra mendtë, e dola prej VV-së?”

0
98

Rëndom, kur njerëzit dalin nga Vetëvendosja e përjetojnë një ndjesi të fortë çlirimi. Flasin më çlirshëm, e zgjerojnë të menduarit, i heqin mrrolat, qeshin më shpesh, përmirësojnë humorin e qe besa edhe bëhen më dashamirës e më tolerantë me njerëzit tjerë. Disave bile – si për shembull Dardan Molliqajt – nuk iu ndryshoi veç çehrja e fytyrës por edhe vetë fytyra.

Yll Hoxha megjithatë përbën përjashtim. Ylli vazhdon të ketë të njëjtën qasje idhnake e mosduruese, të njëjtin mendim të ngushtë dhe vazhdon të operojë me diskursin e gatshëm të Vetëvendosjes. Kur del prej atij diskursi – sa herë del prej atij diskursi – ai thjesht zhduket në hallakamën e mendimeve të paformë në hapësirë.

Ylli në çdo paraqitje televizive duket sikur lëngon të kuptojë arsyen pse ndodhet aty ku ndodhet – te Ermal Panduri – e jo aty ku do të mund të ndodhej po të ishte në Vetëvendosje – në ndonjë karrige ministri te Albin Kurti.

Në emisionin e fundit, në mënyrë arrogante mbrojti përpjekjen për unitet politik të kryeministrit Kurti në lidhje me marrëveshjen e mundshme me Serbinë. Kur iu përmend prishja e këtij uniteti nga ana e vetë Kurtit në të kaluarën, ai me arbitraritetin e një politikani autoritar tha se situata tash ishte e ndjeshme.

“Eksponent i Qeverisë Kurti,” – e cilësoi Visar Ymeri, merreni me mend pas këtyre fjalëve. Kryetari i Vetëvendosjes, domethënë!

Qysh u bë analist?

Yll Hoxha është goxha një farë veterani i skenës politike. Ai ishte pjesë e partisë Ora në mes të viteve 2000’, pastaj ishte në Frymën e Re në fillim të viteve 2010’ dhe në fund në Vetëvendosje.

Por, edhe pse shumë shumë gjatë në politikë e edhe më gjatë nëpër televizione, ai duket gjithnjë si një debutues. S’duhet të çuditemi nëse aty kah viti 2050 ta shohim në ndonjë televizion duke e pandehur si një figurë të re që helbete mos po sjellë diçka të re. Pas çdo dështimi të Yllit, duket sikur dikush na rraset në mendjet tona dhe na e fshin prej kujtesës, dhe ne kur e shohim në televizor bëhemi sikur ai është prej njerëzve të rinj në këtë mesele.

Specifika: Mendimet ‘me vulë’

Kur Yll Hoxha jep një mendim, ke përshtypjen se ai mendim e ka edhe vulën diku. Është pra, i vulosur nga analisti. Por, atij i duhet edhe që t’i çvulosë këto mendime sado fort që i mëshon vulës fillimisht.

Autorit të këtij shkrimi i ka rastisur t’i dëgjojë tri debate në të cilat Ylli merrte pjesë. I pari më 25 mars të këtij viti, pra para gati shtatë muajve. I dyti para disa ditësh për vizitën e Escobarit dhe i treti shkarazi me Valon Muratin pjesëmarrës.

Tashmë e thamë se Yll Hoxha shpreh mendimin e tij me një bindje të fortë e të thellë, diçka që ndoshta i ka mbetur nga koha kur ishte në Vetëvendosje. Por, kjo e bën të duket qesharak kur ato mendime të shprehura me bindje të fortë e të thellë i ndërron me mendime tjera të shprehura me bindje të fortë e të thellë.

“Nuk pajtohna që e kemi një shansë të shpejtë për me shku (dmth me përparu) në dialog. Lufta në Ukrainë e ka përmbys komplet rendin e gjërave në Ballkan dhe më tej. Nuk mendoj që jemi në atë fazë fare. Nuk mendoj që ekziston as farë pajtueshmëri që… Duhet të insistojmë në qëndrime parimore. Nëse e kemi një qëndrim parimor, e mbajmë deri në fund.” – thoshte z. Hoxha më 25 mars, pra në debatin e para shtatë muajve.https://www.youtube.com/embed/yU47MlDZdd8

Por, në debatin e para disa ditëve shtronte urgjencën që të harroheshin çështjet politike pikërisht sepse ai shans i shpejtë kishte ardhur. Ai nënkuptueshëm kërkonte të harroheshin qëndrimet e shkelura të Kurtit, të harrohej prishja e çfarëdo përpjekje për unitet nga vetë Kurti dhe propozonte faktikisht që të gjithë t’ia lehtësonin nënshkrimin e marrëveshjes. Pikërisht sepse, shansi që thoshte se s’do të vinte në fakt kishte ardhur.

Shihni ndërkohë, se çka thotë më poshtë:

“Unë mendoj që situata është kështu: Albin Kurti nuk është opozitë. Sot e përfaqëson shtetin. Ka përgjegjësi shumë më të larta. Nuk vendos veç për fatin e vet. Tri rrugë janë përpara: ta respektojë kërkesën e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe të provojë që të nxjerr maksimumin… Ato marrëveshje nuk janë të ëmbla, janë të hidhëta. Nuk shoh asnjë mundësi që të kemi marrëveshje me Serbinë e të mos ketë një farë autonomie (Asociacion) për serbët e Kosovës. Kjo duhet të pritet! E dyta (rrugë) është refuzimi i procesit. Nuk e ka obligim Albin Kurti që ta pranojë këtë zgjidhje. Mirëpo kjo i bart edhe pasojat që nuk janë vetëm individuale për Albin Kurtin. Nuk mendoj se ky është interesi nacional i Kosovës. Dhe skenari i tretë mendoj që është të shkojë te populli. Ta ves popullin se si t’ia bëjë. Dorëheqja!

Ah, nuk i paskemi ditur këto!

Kush i shkon nerva?

Ermal Panduri! Moderatori i Dukagjinit po i shtron pyetje, që është pjesë e punës së tij. Por, Ylli duket se nuk është mësuar që ta pyesin por t’ia diktojnë përgjigjet. Vetëvendosje duket se e ka kalitur që të pranojë fjali që përfundojnë me pikëçuditëse dhe jo me pikëpyetje!

Ndoshta edhe Dardan Gashi e tinëz edhe Visar Ymeri!

Kosova ideale sipas Yll Hoxhës

Ndoshta, Kosova utopike sipas Yll Hoxhës është Kosova e viteve ‘2000. Kur ai e kishte ende një farë shkëlqimi dhe nuk kishte pas vetes asnjë dështim politik.

Kosova distopike sipas Yll Hoxhës

Kosova e viteve sa ai ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje!

Fjala e preferuar: nuk ka!

Orientimi politik: Qendër

Yll Hoxha mund të kalojë nga e majta në të djathtë, sepse thelbësisht duket të jetë politikan centrist. Partitë e përmendura ku ka bërë pjesë, po ashtu janë të deklaruara si parti të qendrës (qendër e majtë).

Nota: 4/10

Megjithatë, duhet ta pranojmë se Yll Hoxha për dallim nga “eksponentët e tjerë të Vetëvendosjes” – siç i quajti Visar Ymeri – duket të jetë deridiku konstruktiv në debat. Të paktën, ai nuk e thotë një fjalë prej haveje që i prish rrjedhën logjike gjithë debatit. Shpesh di të jetë i arsyeshëm, madje edhe në mbrojtje të pozicioneve të Vetëvendosjes.

*Komentet e shprehura nuk përbëjnë detyrimisht qëndrim të redaksisë së gazetës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu