Prokurori heq dorë nga rasti i Besnik Mustafës

0
727

Besnik Mustafa

Një javë para se të shpallej aktgjykimi për Besnik Mustafën, djalin e kryeministrit, Isa Mustafa, prokurori special i këtij rasti, Ali Rexha, ka hequr dorë nga ndjekja penale e Mustafës dhe kolegëve të tij nga “Banka për Biznes” për rastin në aeroport.

Gjykimi lidhet me 1600 udhëtarët, të cilëve në vitin 2009 nuk u erdhi aeroplani për t’i dërguar në Gjermani, ndërsa ata mbetën në hapësirat e Aeroportit të Prishtinës. I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, prokurori Rexha ka refuzuar të flasë në lidhje me këtë rast, duke u arsyetuar së çdo deklaratë e tij do të paraqiste shkelje të rregullave disiplinore.

“Nuk guxoj të flas asnjë fjalë për këtë rast, sepse çdo fjalë mund të më kushtojë me dalje para komisionit disiplinor”, ka thënë Rexhaj. Megjithatë, ky i fundit më pas ka deklaruar se “e ka analizuar ekspertizën dhe ka parë se nuk ka dëshmi të mjaftueshme për inkriminimin e Besnik Mustafës”.
Vendimin e prokurorit për të hequr dorë nga ndjekja penale kundër Besnik Mustafës e ka bërë të ditur avokati mbrojtës i tij, Besnik Berisha, i cili ka thënë se Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale kundër Besnik Mustafës dhe bashkëpunëtorëve të tij që kanë punuar në bankën “BpB”. “Prokuroria më në fund hoqi dorë nga ndjekja penale kundër Besnik Isa Mustafës dhe kolegëve të tij. Në cilësinë e avokatit mbrojtës të Besnik Mustafës, bazuar në rrjedhën e procedurës penale kundër tij dhe provave të administruara dhe pranuara në shqyrtimin gjyqësor, fuqimisht besoj së epilogu i kësaj çështjeje penale do të jetë aktgjykimi lirues dhe me këtë vendim Prokuroria ka konstatuar se as edhe një provë e vetme inkriminuese nuk ka ngelur”, ka deklaruar avokati Berisha.

Megjithatë, prokurori nuk hoqi dorë nga ndjekja penale e katër të akuzuarve tjerë, ngase për ta tha se ka prova që ua vërtetojnë fajësinë.
Në këtë proces gjyqësor për shpërdorim detyre ngarkohen edhe zyrtarët e Ministrisë së Transportit, Ismail Berisha dhe Nexhat Bala, ndërsa për mashtrim akuzohen biznesmenët Sibush Haziri e Hamzi Rrahimi. Sibush Haziri dhe Hamzi Rrahimi do ta paraqesin fjalën përfundimtare më 20 tetor, ndërsa Ismajl Berisha dhe Nexhat Bala e deponuan këtë fjalë me shkrim. Ky gjykim, përpos rastit të udhëtarëve të mbetur pa fluturim, ka tërhequr vëmendjen e mediave edhe për shkak se njëri nga të akuzuarit është edhe Besnik Mustafa, djali i kryeministrit aktual.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu