Prokuroria e quan Limajn “udhëheqës të një grupi kriminal”

0
815

Prishtinë, 9 prill – Profil “krimineli” i kanë bërë dy prokurorë të EULEX-it deputetit Fatmir Limaj të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Ata e kanë cilësuar udhëheqës të “një grupi të strukturuar kriminal”, të udhëhequr për të fituar sa më shumë para, duke keqpërdorur buxhetin e Kosovës. Cilësimet për Limajn kanë qenë të shumta. Ato e kanë bërë vetë atë shpeshherë të qeshë bashkë me të akuzuarit e tjerë.  

Në seancën e shqyrtimit fillestar, që është mbajtur për të shqyrtuar aktakuzën e prokurorit Johannes Pickert kundër Fatmir, Demir e Florim Limajt, si dhe Nexhat Krasniqit, Florim Zukës, Endrit Shalës, dhe Gani Zogajt, të akuzuar për një seri veprash kriminale që lidhen me korrupsion në MTPT, është lexuar shumica e aktakuzës. Por jo e tëra. Vazhdimin e leximit të saj prokurorët do ta bëjnë edhe të mërkurën, kur pritet që të akuzuarit të deklarohen nëse janë fajtorë apo të pafajshëm për veprat që rëndojnë mbi ta. Disa prej tyre janë shumë të rënda.

Të mërkurën vazhdon gjykimi i Limajt dhe 6 të tjerëve.

Gjithë dita e hënë, nuk i kanë mjaftuar prokurorit të EULEX-it, Johanes Pickert, për ta përfunduar leximin e aktakuzës kundër ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, i cili bashkë me dy vëllezërit e tij dhe me bashkëpunëtorët e ngushtë të ministrisë, akuzohen për korrupsion e keqpërdorim të milionave.
Për herë të parë në gjyqësorin vendor përkatësisht në seancën e parë gjyqësore për korrupsion ndaj Limajt, gjyqtarja polake Anna Adamska –Gallant me kërkesë të prokurorit e kundërshtim të mbrojtjes ka marrë vendim që të lexojë jo vetëm 20 faqe të aktakuzës ku përshkruhen 12 vepra penale me të cilat ngarkohen të akuzuarit, por edhe arsyetimin mbi të cilin është ngritur aktakuza e që përmban dhjetëra faqe të tjera.

Më shumë se pesë orë seancë që janë mbajtur të hënën nuk i kanë mjaftuar prokurorit që të përfundojë leximin e tërësishëm të aktakuzës. Aktakuza e cila përmban 78 faqe do të vazhdojë të lexohet edhe gjatë të mërkurës kur është paraparë seanca e radhës ndaj Fatmir Limajt, Nexhat Krasniqit, Endrit Shalës, Demir Limajt, Florim Limajt, Florim Zukës e Gani Zogajt.

Ky grup, që sipas prokurorisë, ka vepruar si grup kriminal me në krye Fatmir Limajn si njëri me ndikim të madh politik në vend, akuzohet se brenda periudhës 2008/2010, kanë vepruar në atë mënyrë duke kryer kështu vepra penale që lidhen me korrupsion e që buxhetit të vendit i kanë shkaktuar dëm të madh. Limaj e të tjerët akuzohen për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës zyrtare apo autoritetit, përfshirje në kontrata të dëmshme, pranim të ryshfetit, pastrim parash, pronësi-kontroll-posedim-ose-përdorim të paautorizuar të armëve dhe mosdeklarim të parave të pranuara për fushatë zgjedhore.

Limaj si njeri me ndikim në vend, sipas prokurorit, bashkë me grupin e tij e kanë shfrytëzuar periudhën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kur ligjet ishin të brishta me qëllim të përfitimit në një fazë ku nuk kishte kush t’i akuzonte për tërë ato veprime.

Por, një deklaratë e Mehmet Shkodrës e dhënë në misionin EULEX në vitin 2010 e në Agjencisë Kundër Korrupsionit kishte bërë që misioni EULEX të niste hetimet për çka edhe tashmë po mbahet gjykimi.

Dëshmitari që kishte denoncuar rastin Mehmet Shkodra nga Gjilani, sipas prokurorisë, ka vdekur në një aksident trafiku më 21 shkurt të vitit 2010 në Vjenë të Austrisë, por vdekja e tij nga provat e siguruara nuk figuron të jetë kryer si rezultat i ndonjë akti kriminal.

Dëshmia e Shkodrës kishte bërë që EULEX të niste hetime e kësisoj të shikonte dosjet e 50 tenderëve të dhëna nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomit që po udhëhiqej nga Limaj, ku shef i kabinetit ishte Endrit Shala, ndërsa shef i prokurimit, Nexhat Krasniqi. Dy vëllezërit e Fatmir Limajt, Demir e Florim Limaj, sipas prokurorit, kishin ndihmuar në pastrimin e parave. Paratë, sipas të njëjtit, ishin përfituar nga tenderët e dhënë dhe nga marrja e 20 për qind e vlerës së tenderit nga ata që lidhnin kontrata me MTPT-në.

Tërë këto prova të paraqitura nga prokurori të hënën, para nisjes së leximit të aktakuzës janë kundërshtuar nga mbrojtësit e Fatmir Limajt. Ata kanë kërkuar që aktakuza të hidhet poshtë për shkak se nuk janë respektuar afatet e parapara me ligj që nga aktvendimi për fillim të hetimeve e deri tek ngritja e aktakuzës. “Akuza nuk është e bazuar, prokurori nuk ka ofruar prova të cilat do të mbështesin akuzën, prandaj aktakuza do të dështojë. Besojmë në pafajësinë e Limajt sepse ai nuk ka asnjë fije faji. Asnjë provë konkrete e cila do të kishte për ta ngarkuar Limajn nuk na ka dorëzuar prokurori. Jam plotësisht i bindur se Limaj do ta fitojë edhe këtë betejë”, ka thënë njëri nga mbrojtësit e Limajt, avokati Tahir Rrecaj.

Por, pavarësisht kësaj, gjyqtarja ka vendosur që të vazhdojë me procedimin e rastit ndërsa prokurorin e ka urdhëruar që brenda pesë ditëve t’ia prezantojë mbrojtjes provat që i posedon si dhe mbrojtësve që të përgatitin një listë të provave që ata konsiderojnë që nuk i kanë në shkresat e lëndës që ata posedojnë.

Por, mbrojtësit gjatë seancës kanë pranuar edhe një CD nga prokurori special. Sipas këtij të fundit, CD-ja përfshin prova të reja përfshirë edhe disa nga raportimet në media.

Fatmir Limaj dhe gjashtë të akuzuarit e tjerë do të paraqiten edhe të mërkurën në Gjykatën e Apelit. Në këtë të fundit do të vazhdojë leximi i arsyetimit të aktakuzës dhe historia e rastit. Një gjë e tillë do të lexohet edhe pse është vlerësuar si i panevojshme nga ana e mbrojtjes. Në qoftë se përfundohet me leximin e aktakuzës gjatë ditës së mërkurë, të njëjtën ditë, shtatë të akuzuarit do të deklarohen rreth fajësisë apo pafajësisë së tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu